Pritet numër i lartë i vizitorëve, Greqia merr masa kundër hiperturizmit

Greqia duhet të reduktojë ndërtimet e shfrenuara dhe të mbrojë burimet ujore dhe zonat bregdetare, nëse dëshiron të ketë një industri të shëndetshme turistike në të gjithë ishujt e saj dhe zonat e plazheve, thekson në raportin e tij të fundit Avokati i Popullit. Rreth 33 milionë njerëz vizituan Greqinë në vitin 2023, 5 milionë […]

Qeshor 15, 2024 - 18:30
 0
Pritet numër i lartë i vizitorëve, Greqia merr masa kundër hiperturizmit

Greqia duhet të reduktojë ndërtimet e shfrenuara dhe të mbrojë burimet ujore dhe zonat bregdetare, nëse dëshiron të ketë një industri të shëndetshme turistike në të gjithë ishujt e saj dhe zonat e plazheve, thekson në raportin e tij të fundit Avokati i Popullit.

Rreth 33 milionë njerëz vizituan Greqinë në vitin 2023, 5 milionë më shumë se një vit më parë, të tërhequr nga vendet e saj të lashta arkeologjike, ujërat e kaltra të Mesdheut dhe ditët pa mbarim me shkëlqimin e diellit. Mbi 4 milionë vizituan vetëm Akropolin.

Por Avokati i Popullit paralajmëron për rreziqet mjedisore në rritje dhe bën thirrje për reforma urgjente për ta menaxhuar atë në mënyrë të qëndrueshme”. Greqia nuk duhet “të shterojë potencialin e saj, duke e humbur atë dhe duke i bërë destinacionet turistike jo tërheqëse me kalimin e kohës”- thuhet në raport.

Edhe kryeministri Mitsotakis në një intervistë të fundit për Bloomberg deklaroi se ka ardhur koha, ndoshta vitin e ardhshëm, për të vendosur kufizime për anijet turistike që vizitojnë ishujt më të njohur të Greqisë, si hapi i parë i qeverisë për të trajtuar efektet e “hiperturizmit” në periudhën pas pandemisë.

Mitsotakis tërhoqi vëmendjen për presionin mbi ishujt si Santorini ku  numri i madh i vizitorëve nga anijet që ankorohen, largon ata që vizitojnë ishullin dhe qëndrojnë në të për më shumë ditë.

Santorini, i njohur për pamjet e tij të mrekullueshme vullkanike dhe perëndimet fotogjenike të diellit, ishte destinacioni më i popullarizuar i Greqisë vitin e kaluar, me 800 anije që e vizituan, duke ofruar afro 1.3 milionë vizitorë, një rritje prej 17% nga viti 2022. Ishulli ka afërsisht 15,000 banorë ,por pret më shumë se 5.5 milionë vizitorë në vit, dyfishi në krahasim me 2012 dhe kontribuon me 1 miliard euro në të ardhura vjetore të vendit .

Edhe Mykonos priti 749 anije turistike në 2023, një rritje prej mbi 23% nga një vit më parë .

Turizmi përbën rreth një të katërtën e prodhimit të ekonomisë greke dhe pas pandemisë  vendi ka thyer rekorde për vizitat turistike  dhe të ardhurat. Greqia mirëpriti vjet 18% më shumë se një vit më parë, ndërsa tremujori i parë i 2024-ës pati një rritje prej gati 25% të vizitorëve.

Të ardhurat pritet të rriten këtë vit në 21 miliardë euro  nga 20.5 miliardë vitin e kaluar – një ndihmë e madhe për një ekonomi që del nga një krizë borxhi prej një dekade.

Greqia nuk është vendi i parë mesdhetar që detyrohet të ndërmarrë masa për të përballuar efektet e hiperturizmit. Italia në vitin 2021 ndaloi anijet e mëdha të lundrimit të hyjnë në kanalin që çon në qendrën historike të Venecias pas dëmeve nga numri i madh i tyre, ndërsa edhe tani ata që e vizitojnë atë brenda ditës paguajnë një tarifë të vendosur nga autoritetet për të hyrë në qendër të saj gjatë periudhave të pikut.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.