“Tranzit” nga Rinasi drejt BE, hyrje-daljet e shtetasve të Kosovës rriten me rreth 4 herë pas heqjes së vizave

Si efekt zinxhir i turizmit, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës u kthye vitin e fundit në epiqendrën më të rëndësishme të fluturimeve në Ballkan, duke lënë pas edhe Aeroportin e Beogradit. Hyja e linjave low cost si Wizz Air dhe Ryanair kanë bërë që numri i destinacioneve ku fluturohet dhe shpeshtësia e tyre të jetë e […]

Qeshor 16, 2024 - 15:35
 0
“Tranzit” nga Rinasi drejt BE, hyrje-daljet e shtetasve të Kosovës rriten me rreth 4 herë pas heqjes së vizave

Si efekt zinxhir i turizmit, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës u kthye vitin e fundit në epiqendrën më të rëndësishme të fluturimeve në Ballkan, duke lënë pas edhe Aeroportin e Beogradit.

Hyja e linjave low cost si Wizz Air dhe Ryanair kanë bërë që numri i destinacioneve ku fluturohet dhe shpeshtësia e tyre të jetë e lartë, duke bërë që jo vetëm vendasit, por edhe shqiptarët e Kosovës, ta shohin si një mundësi të mirë për të udhëtuar.

Liberalizimi i vizave ka rritur numrin e hyrje-daljeve të shtetasve nga Kosova nga pika kufitare në Aeroportin e Rinasit me rreth 4 herë në janar-prill 2024, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas shifrave zyrtare të vëna në dispozicion të “Monitor” nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës në janar-prill hynë në pikën kufitare të Rinasit mbi 55 mijë shtetas me pasaportën e Kosovës, teksa për të njëjtën periudhë të këtij viti kanë dalë mbi 62.7 mijë shtetas të Kosovës.

Në vitin 2023, për të njëjtën periudhë hynë nga Rinasi 15 mijë shqiptarë të Kosovës dhe dolën 18 mijë. Pra qartazi kemi të bëjmë me një rritje rreth katër herë që ka si arsye liberalizimin e vizave.

 

Burimi: TIA

 

Shifrat e kalimeve në kufi mbeten të paqarta, pamje të ndryshme të së njëjtës tablo

Numri i saktë i turistëve të Kosovës në Shqipëri është i paqartë dhe kjo buron nga një sërë aspektesh që deri më sot, institucionet shqiptare nuk kanë preferuar ta sqarojnë, duke e lënë të mjegullt.

Së pari, është turizmi patriotik që përfshin shqiptarët e Kosovës kryesisht dhe më pak ata të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut ai që ka mbajtur peshën kryesore në shifrat që raportohen sa u takojnë vizitorëve.

Për këtë bazë janë shifrat e raportuara të Lëvizjes së Shtetasve nga Instituti i Statistikave por që burim kanë Policinë e Shtetit.

Një raportim të ngjashëm bën edhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit që nëse i referohemi periudhës janar-mars vlerësonte se në vendin tonë kanë hyrë rreth 600 mijë shqiptarë të Kosovës, me rritje 37% krahasuar me një vit më parë.

Të pyetur nga “Monitor” për mënyrën sesi “numërohen” shtetasit e Kosovës në lidhje me hyrjet në vend gjatë kohës së sezonit kur nuk ka regjistrim të pasaportave, përfaqësues të Policisë së Shtetit në vend nuk dhanë informacion.

Ndërkohë, rritja 37% e raportuar nga pala shqiptare për 3-mujorin nuk përkon shumë me rritjen që, në anën tjetër, ka dhënë Policia e Kosovës. Kjo e fundit vuri në dispozicion të “Monitor” të dhënat për hyrje-daljet në rrugë tokësore në kufirin Kosovë-Shqipëri.

Konkretisht sipas këtyre shifrave, hyrjet në Kosovë nga Shqipëria për janar-prill 2024 janë ulur me 25%, ndërkohë që daljet nga Kosova në janar-prill 2024 në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë janë rritur me 19.6%.

Rritja e hyrjeve të shtetasve nga Kosova në Shqipëri duket se është dukshëm më e lartë si tendencë në palën shqiptare, pavarësisht se krahasimi nuk është i plotë, pasi kemi raportim 3-mujor dhe 4-mujor, por tendenca është e qartë.

Ajo që shpesh nuk raportohet apo qartësohet është si numërohen hyrjet që vijnë nga Kosova, a llogariten këtu edhe shqiptarët që për hir të lehtësisë që ofron rruga udhëtojnë nga Morina në Kukës dhe dalin nga Qafë Morina për në Tropojë apo anasjelltas.

A llogariten këtu edhe hyrjet e shtetasve të Kosovës që Shqipërinë e përdorin si tranzit për të udhëtuar drejt Europës nga Aeroporti.

Për aq kohë sa nuk ka një regjistrim të saktë apo qartësim të metodologjisë së përdorur “për të numëruar” turistët, shifra që ofrohet është gjithmonë evazive.

Burimi: TIA

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.