Pas marrjes së vulës, tani PD duhet të bëjë partinë

Nga Roland Qafoku Kanë kaluar 13 ditë nga 11 qershori, kur Gjykata e Apelit vendosi që vula dhe logoja i takonte Rithemelimit. Përveçse ndonjë lajmi i kalimit të beftë nga partia e drejtuar nga Lulzim Basha te partia e drejtuar nga Sali Berisha të një, apo dy deputetëve, duket se ky vendim është harruar. Është […]

Qeshor 24, 2024 - 09:35
 0
Pas marrjes së vulës, tani PD duhet të bëjë partinë

Nga Roland Qafoku

Kanë kaluar 13 ditë nga 11 qershori, kur Gjykata e Apelit vendosi që vula dhe logoja i takonte Rithemelimit. Përveçse ndonjë lajmi i kalimit të beftë nga partia e drejtuar nga Lulzim Basha te partia e drejtuar nga Sali Berisha të një, apo dy deputetëve, duket se ky vendim është harruar. Është harruar edhe entuziasmi naiv i disa militantëve që festuan me daulle e fishekzjarre, a thua se PD kishte fituar ndaj PS-së. Në fakt, më e vështira për Partinë Demokratike është tani. Ajo vërtetë fitoi vulën dhe logon, por që të arrijë qëllimin final, atë të ardhjes në pushtet, tani i duhet të bëjë partinë. Dhe që të bëjë partinë, i duhet të kryejë domosdoshmërisht disa procese. Janë të paktën 10 veprime dhe vendimarrje që PD duhet t’i marrë në mënyrë që kjo parti të jetë një alternativë e denjë për të ardhur në pushtet.

  1. PD nuk duhet ta paraqesë marrjen e vulës si një fitore të jashtëzakonshme dhe historike. Vendimi i Gjykatës së Apelit ishte i drejtë dhe me sens për shumë e shumë arsye. Por më kryesorja është që Rithemelimi ishte partia e shumicës së demokratëve. Por ama kjo nuk i jep të drejtën kësaj pjesë të partisë ta quajë këtë si një betejë të madhe të fituar në historinë e saj? Ndaj kujt? Fitorja është ndaj një pjese tjetër po të PD. Pra në një farë mënyre ajo betejë ka qenë mes Berishës dhe Bashës dhe kjo nuk vlen në betejën e madhe që PD ka me PS-në. Prandaj ulja e entuziasmit dhe euforisë pa arsye, do të ishte pjesa më normale në këtë siuatë. Nuk ka triumf dhe nuk ka fitore kur ajo bëhet brenda vetes.
  2. Partia Demokratike zyrtare tashmë duhet të hartojë një platformë dhe një strategji të qartë për të ardhmen e saj. Dhe e ardhmja e saj është beteja elektorale në pranverën e vitit 2005. Në këtë mënyrë PD duhet të gjejë mekanizmat që e çojnë atë në fitoren e zgjedhjeve. Në këtë konteks duhet të punohet për bashkimin e plotë të kësaj partie për të krijuar një frymë bashkimi dhe reflektimi. Duhen lënë pas të gjitha mosmarrëveshjet dhe përplasjet dhe duket krijuar ambjenti që partia duhet të ketë vend për të gjithë. Në të duhet të ketë vend edhe për plangprishësin Basha që e katandisi si mos më keq këtë parti dhe është autor i gjithçka që ndodhi në të. Por duhet të themi se në PD ka edhe jo pak mëkatarë të tjerë që e kanë dëmtuar jo këtë parti. Prandaj, bashkimi dhe jo ndarja duhet të jetë pjesë e platformës së kësaj partie. Vetëm në këtë mënyrë ajo do të fitojë zgjedhjet parlamentare. Nëse kjo parti nuk do të fitojë zgjedhjet që po trokasin, do të thotë jo vetëm nuk ka arritur asgjë, por do të jetë një dështim i rëndë dhe me pasoja për të ardhmen e saj. Një humbje e mundshme në ato zgjedhje nuk ka asnjë justifikim dhe do jetë vetëm për fajin e saj dhe të askujt tjetër. Justifikime të tipit “Rama vodhi zgjedhjet” nuk pinë më ujë.
  3. Partia Demokratike duhet t’i nënshtrohet një procesi riorganizimi nga qendra në bazë dhe nga baza në qendër. Dhe organizim do të thotë krijimi i të gjitha struktuave të reja mbi bazën e parimit të votës. Ishte pikërisht mungesa e votës që kjo parti u katandis siç e dimë të gjithë. Kthimi në normalitet politik nëpërmjet institucionalizimit të votës do ta bëjë këtë parti të besueshme dhe reale në radhë të parë anëtarësia e saj dhe më pas në opinionin publik. Është pikërisht vota që do ta kthejë partinë në një subjekt alternativ për të ardhur në pushtet.
  4. Partia Demokratike duhet të nisë një proces të thellë reflektimi dhe ndryshimi lidhur me disa qendrime të saj. Janë dy qendrime kryesore që kjo parti jo vetëm t’i ndryshojë, por edhe të jenë të unifikuara për të gjithë. E para është qendrimi ndaj SHBA që deri tani për turp kjo parti e ka cilësuar armike dhe e dyta është qendrimi ndaj SPAK e cilësuar si bandë kriminale dhe të lidhur me mafian në pushtet. Epo ta themi troç. Një parti opozitare nuk vjen në pushtet me qendrimin antiamerikan dhe anti SPAK si një institucion që është produkt ekskluziv amerikan. Çdo koncept dhe sqarim tjetër nuk vlen. Prandaj PD duhet të ndryshojë pa asnjë diskutim këtë qendrim dhe duhet të ketë primare në programin e saj marrëdhëniet shumë të mira me SHBA dhe mbështetjet pa asnjë kondicion me drejtësinë, veçanërisht me SPAK.
  5. PD duhet të nisë një proces të thellë hapjeje për partinë. Partia Demokratike deri tani është e asfiksuar dhe rreth saj vërtiten disa figura që i dimë të gjithë se çfarë bëjnë. Ata duken që e kanë marrë peng partinë. Nuk duan figura të reja në të dhe e trajtojnë atë si pronë private. Hapje do të thotë që të bëhen pjesë e kësaj partie intelektualë dhe personalitete të njohur dhe me autoritet në publik. Deri tani çdo përpjekje ose ka mbetur në tentativë ose nuk është bërë fare. Shembulli më tipik është doktor Ilir Alimehmeti, një figurë që për hir të vërtetës krijoi simpati në masën e njerëzve dhe jo vetëm në mesin e demokratëve. Por tashmë është zhdukur sepse në PD janë ata që bërrylat i kanë pjesë normale të një dite pune dhe intrigat janë pjesë e përhershme e karakterit në jetën e tyre. Epo parti të sukseshme vetëm me militantë dhe me figura që kanë 3 dekada që mbajnë peng, nuk mund të ketë.
  6. PD duhet nisë menjëherë procesin e përzgjedhjes dhe zgjedhjeve të listës së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e viti 2005. Nëse vijohet me metodat e vjetra të kryetarit Basha që dorëzonte listën në orën 24.00 ku skadonte afati dhe fikte telefonin, kjo parti do të përsërisë veten në një dështim spektakolar. Prandaj, për të shmangur një perceptim se kjo parti bën trafik për listat e deputetëve, duhet të kalojë një proces selektimi dhe përzgjedhje mbi bazën e rregullave demokratikë që bazën e kanë përsëri te vota. Kjo do të krijojë bazën e madhe të besueshmërisë në këtë parti dhe do të sjellë një frymë tjetër nga më parë që dukej sikur i bënin thirrje PS-së të ikte nga pushteti sepse këtyre të PD u erdhi radha.
  7. PD duhet të qartësojë qendrimin e saj ndaj Sali Berishës edhe pse ai është kryetari i saj dhe ndodhet në izolim. Derisa ai ende është në arrest shtëpiak por më e rënda është se ai vijon të jetë non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, PD nuk mund të jetë peng i tij. Sigurisht që kjo kërkon kurajo dhe integritet. Por nëse vijohet me parimin e orës biologjike, kjo nuk është as humane dhe as karakteriale. Zgjidhja më e mirë është që Berisha të tërhiqet dhe ta lërë partinë në proceset e saj. Por derisa kjo nuk ndodh, kjo duhet të realizohet me anën e forumeve. Duhet të ketë burra dhe gra kurajozë që duhet t’i thonë Berishës që partia duhet të çlirohet prej tij.
  8. PD duhet të qartësojë dhe të hapë garën për drejtimin e partisë në mënyrë sa më demokratike. Nuk është fare normale të paracaktohen kandidatët që do ta drejtojnë këtë parti në të ardhmen. Por nuk është normale gjithashtu që të pengohet Argita Malltezi Berisha për të qenë kandidate vetëm pse është vajza e Sali Berishës. Ajo ka të drejtën e saj legjitime dhe morale për të garuar për drejtimin e PD. Por vetëm se kushti krysor që duhet të plotësojë është dhe duhet të jetë se ajo duhet të garojë dhe ta arrijë fitoren vetëem përmes një procesi të rregullt të votimit. Nëse do të ketë tentativa si ajo që u bë me Lulzim Bashën në vitin 2013, do të jetë jo vetëm një dështim, por një goditje e madhe për partinë. Nëse dëshiron ta drejtojë PD-në, zonja Berisha duhet ta arrijë këtë nëpërmjet votës dhe besimit të anëtarësisë dhe jo pse është vajza e Sali Berishës. Koncepte të tilla që “trashëgon partinë e babait” janë njësoj sikur grekët ta ndalonin Dora Bakojanis dhe Qirjako Micotaqis të futeshin në politikë vetëm pse, e para ishte vajza dhe i dyti djali i kryetarit të “Nea Dimokratia”, Kostandin Micotaqis. Bakojanis jo vetëm e arriti këtë, por nëpërmjet votës karriera e saj ka qenë tepër e suksesshme. Nga kryetare e bashkisë së Athinës, në ministre e Kulturës dhe ministre e Jashtme ajo madje vijon karrierën e saj si deputete e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Edhe më e suksesshme është karriera e vëllait të saj Qirjakos Micotaqis, i cili është sot kryeministër i Greqisë.
  9. PD duhet të ndryshojë totalisht raportin me median. Një parti që ende vazhdon të bëjë selektime, të ketë prefererenca dhe të organizojë deri sulme ndaj gazetarëve të veçantë, nuk është e denjë për të qenë një parti e mirë opozitare. Është e papranueshme që në PD ka ende figura të rëndësishme që kanë luksin të kenë deri këshilltarë personalë mediatikë apo edhe këshilltarë të jashtëm të PR që një zot e di se për çfarë i këshillojnë, duke e parcelizuar këtë parti në një kopje edhe metodave qeveritare. Një PD ndryshe nga qeveria duhet të funksionojë në këtë drejtim. Një parti që edhe mbrojtjen e gazetarëve që u shkelen të drejtat e bën me selektim “se ashtu është një punë” përsëri nuk është e denjë për të qenë një subjekt i mirë opozitar. Sulmet e kësaj partie ndaj gazetarëve apo mediave të veçanta janë një tjetër problem. Nuk ka qendrim më të gabuar për një parti demokratike dhe në opozitë që x gazetar apo y media janë armike të partisë. Liria e një gazetari është të mbështesë çdo ide që atij i duket e drejtë dhe jo e kundërta. Është njësoj sikur një televizion të sulmohet përse mbështet PD-në. Kjo do të ishte akoma më e rëndë.
  10. PD duhet të ndryshojë konceptin e drejtimit të partisë nga personazhe pa moral. Morali është baza e një partie në opozitë dhe si e tillë në kupolën e saj duhet të ketë persona që kanë cilësi pozitive, pa vese, që familjen e kanë të shenjtë dhe cilësi që rrjedhin nga një jetë e rregullt qytetare. Politikanë që nuk i kanë këto cilësi, jo vetëm nuk gëzojnë besim në publik, por arrihet deri në urrejte ndaj tyre. Janë disa politikanë në PD që vërtetë mund të jenë të preferuar të një rrethi njerëzish, por sa irritim krijojnë ata me jetën e tyre në bazën e partisë dhe në opinionin publik. Prandaj, nëpërmjet figurave që e duan familjen, e duan atdheun dhe e duan qytetarinë, duhet të krijojë një perceptim që PD është partie e vlerave morale.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.