Lorik Cana: Sylvinho meriton besim, Shqipëria dinjitoze në Euro 2024
Lorik Cana e konsideron pozitiv rrugëtimin e Shqipërisë në Euro 2024. Ish-kapiteni dhe lideri i Shqipërisë në pjesëmarrjen e parë historike në europian
Lorik Cana e konsideron pozitiv rrugëtimin e Shqipërisë në Euro 2024. Ish-kapiteni dhe lideri i Shqipërisë në pjesëmarrjen e parë historike në europian në 2016, tha gjatë një deklarate për emisionin Euro Cup Nights nga Vilma Masha dhe Hans Zuna në Vizion Plus dhe Tring, se kuqezinjtë ndonëse ishin në grupin më të vështirë të kompeticionit, luajtën denjësisht.
“Nota mbetet pozitive, sepse ti e gjen veten në grupin më të vështirë të Europianit dhe arrin të jesh brenda lojës dhe të marrësh edhe pikë. Nëse Shqipëria do kishte dalë me 0 pikë nga të treja ndeshjet do ishte një gjë normale dhe e pritshme. Shqipëria mori barazim në një lojë të mirë me Kroacinë. Me Italinë nuk ishte ai meraku që nuk luajtëm dhe me Spanjën mbetet një notë pozitive”, tha Cana.
Mirëpo Lorik Cana ka edhe keqardhje teksa evidenton ndeshjen me Italinë, si një përballje që duhet të ishte menaxhuar më mirë.
“Ajo që më la një shije të hidhur ishte ndeshja me Italinë, jo për rezultatin. Shqipëria e këtij edicioni ka kualitet të mirë në sulm dhe pjesën e parë nuk e sulmuan portën. Me Kroacinë dhe Spanjën është e tëpërt tu kërkojmë më shumë”, shtoi ai.
Pavarësisht analizës në lidhje me performance në tre ndeshjet e euro 2024, Cana është i bindur se Shqipëria duhet të vazhdojë me Silvinjon.
“Kjo është e padiskutueshme Vilma..Jemi duke folur për një trajner që kualifikoi për herë të dytë në histori”, tha Cana.
Ish futbollisti i njohur i disa skuadrave europiane, vlerësoi paraqitjet e disa lojtarëve në europian sikurse Mitaj, Asllani dhe mbi të gjitha Gjimshitin, për të cilin shtoi se është një shembull i përulësisë dhe sakrificës për kombëtaren./vizionplus.tv
What's Your Reaction?