Ka premtuar të lehtësojë ligjin e shamisë, Massoud Pezheskian zgjidhet presidenti i ri i Iranit

Reformisti Massoud Pezeskian është zgjedhur presidenti i ri i Iranit. Pezeskian mposhti ultra-konservatorin Said Jalili në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, duke siguruar 16,384,403 vota kundrejt 13,538,179

Korrik 6, 2024 - 11:00
 0
Ka premtuar të lehtësojë ligjin e shamisë, Massoud Pezheskian zgjidhet presidenti i ri i Iranit

Reformisti Massoud Pezeskian është zgjedhur presidenti i ri i Iranit.

Pezeskian mposhti ultra-konservatorin Said Jalili në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, duke siguruar 16,384,403 vota kundrejt 13,538,179 të kundërshtarit të tij.

Në të njëjtën kohë, përqindja e pjesëmarrjes në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ishte vetëm 49.8%.

Në fushatën e tij zgjedhore, Pezeskian premtoi të arrijë Perëndimin dhe të lehtësojë ligjin e detyrueshëm të shamisë së kokës.

“Ne do t’ua zgjasim të gjithëve dorën e miqësisë. Që të gjithë jemi njerëz të këtij vendi. Duhet ta përdorim secilin për përparimin e vendit tonë”, tha Pezeshkian në fjalimin e tij të parë pas fitores.

Votimi më 5 korrik ishte caktuar të përfundonte në orën 18:00, por u shty tri herë, një herë deri në orën 20:00, pastaj deri në orën 22:00 dhe pastaj deri në mesnatë, sepse autoritetet synonin të nxisnin sa më shumë njerëz të shkonin për të votuar.

Në raundin e parë nuk pati pjesëmarrje të madhe, pavarësisht se lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei, kishte bërë thirrje për dalje më të lartë në votim, për ta mbrojtur imazhin e Iranit si një vend i fuqishëm, i cili e gëzon mbështetjen e popullit të vet.

Në këto zgjedhje, të cilat u thirrën për shkak të vdekjes së Ebrahim Raisit nga rrëzimi i helikopterit muajin e kaluar, iranianët duhej të zgjidhnin mes reformistit dhe ligjvënësit veteran, Masud Pezeshkian, dhe ish-negociatorit për çështje bërthamore, konservatorit Saeed Jalili.

Pezeshkian ka qenë anëtar i Parlamentit iranian prej vitit 2008 dhe shërbeu si nënkryetar mes viteve 2016 dhe 2020, kur reformistët dhe të moderuarit gëzonin shumicën në legjislaturë.

Pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini më 2022 në paraburgim për veshjen e shamisë së kokës në mënyrë jo të duhur, Pezeshkian i vuri në pikëpyetje metodat e Iranit për zbatimin e detyrueshëm të hixhabit, një shami islamike e kokës për gratë.

Pas vdekjes së Aminit, e cila nxiti trazira disamujore në gjithë vendin, Pezeshkian kërkoi sqarim nga autoritetet për rastin e saj.

Pasi votoi gjatë raundit të parë javën e kaluar, Pezeshkian tha: “Ne do ta respektojmë ligjin për hixhabin, por kurrë nuk duhet të ketë sjellje çnjerëzore ndaj grave”.

Pezeshkian ka folur gjithashtu edhe në favor të bisedimeve me Perëndimin.

Megjithatë, ai mbështet parimet e republikës islamike dhe thotë se do t’i ndjekë politikat e Khameneit, nëse zgjidhet president.

Derisa fitorja e Pezeshkianit nuk ka gjasa të sjellë ndryshime të mëdha politike, ajo mund të ketë ndikim në pasuesin e Khameneit, 85-vjeçarit që është lider suprem i vendit prej vitit 1989.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.