Bukuroshet e fjetura dashurojnë të njëjtin kirurg gjithmonë

Nga Ornela Çuçi Refleksione nga një ditë pa plazh…ndër kujtime… Mario 4 vjeç: “Ma, unë nuk do të mundem asnjëherë të bëhem superhero, sepse nuk dua të jem jetim. Superheronjtë nuk kanë ose mamin ose babin ose asnjë nga prindërit”. U shokova atëherë nga ky perceptim I tij e për më tepër asnjëherë nuk më […]

Korrik 6, 2024 - 15:15
 0
Bukuroshet e fjetura dashurojnë të njëjtin kirurg gjithmonë

Nga Ornela Çuçi

Refleksione nga një ditë pa plazh…ndër kujtime…

Mario 4 vjeç: “Ma, unë nuk do të mundem asnjëherë të bëhem superhero, sepse nuk dua të jem jetim. Superheronjtë nuk kanë ose mamin ose babin ose asnjë nga prindërit”.

U shokova atëherë nga ky perceptim I tij e për më tepër asnjëherë nuk më kish shkuar vetë nëpër mend kjo. Fillova t’I analizoja të gjitha përrrallat që I kisha lexuar (atëherë veç video me shirit kishte veç librave).

Kish të drejtë! Plotësisht!

Fëmijët na rrisin shumë më tepër se sa e themi apo edhe sa vetë e pranojmë…

Pas kësaj analize fillova të analizoja mesazhet që I përcjellim fëmijëve përmes përrallave, e të mendosh që ende nuk kishin filluar këto kartonat me prindin nje e prindin dy, apo refleksione seksuale fëmijënore. Problemi nuk ish vetëm Piter Pan, por edhe botëkuptimi që kish formuar në vetë mua, mamin, Borëbardha, Hirushja, Bukuroshja e Fjetur, etj etj etj që mbyllen me frazën vrastare:

“Dhe jetuan përgjithmonë të lumtur….”

A jetuan kështu????? A mbyllet kështu cdo histori???? Edhe kur? Pikërisht aty kur duhet të fillojë në fakt, sepse gjetja e princit të kaltër nuk është arritja, ndërkohë sfida për të jetuar e lumtur është sfida e përjetshme.

Përrallat si Borëbardha dhe Peter Pan janë më shumë se thjeshtë histori – ato ndikojnë thellësisht në perceptimin tonë rreth rolit gjinor dhe vlerave që përcaktojmë për veten tonë.

Ne gocave për shembull, përrallat na mësojnë se si të presim të shpëtohemi nga një princ, duke krijuar një standard të shëmtuar për vajzat: të jenë të bukura dhe pasive, duke e lënë veten në duart e dikujt tjetër, qoftë ky edhe i veshur me “BOSS” e para timonit të ndonjë “Range” (të cilit I kanë vendos edhe impjant gazi se nuk mbahet dreqi), se nuk do vijë princi përjetë më kalë. Ky “princ me Range” presim që bashkë me impjantin e gazit të na sjellë edhe lumturinë që mezi e kemi prit në jetë. Na kanë rrit për të qenë princesha e princit, jo për të qenë princesha të vetëarritura, të zonjat, të fisme, plot respect për veten e se nuk kemi nevojë për asnjë princ e asnjë kalë-range për të qenë të vetëmjaftushme në lumturi. E kështu ne i shikojmë këto Bukuroshe të Fjetura (që ngjanë si pikat e ujit me njëra tjetrën sepse operohen tek I njëjti doktor), të pakënaqura me vetën, që lejojnë që për atë sediljen e Range të shkelen në cdo lloj menyre, duke kërkuar vazhdimisht përshtatje për të përmbushur standarde të pazakonta të bukurisë dhe pritshmërive.

Në anën tjetër, Peter Pan përfaqëson një kundërshtim ndaj rritjes dhe përgjegjësisë. Ai refuzon të rritet dhe të marrë përgjegjësi, duke pasqyruar një model ku djemtë janë të lirë nga pritshmëritë për të qenë të përgjegjshëm dhe të pavarur. Kjo mund të shkaktojë vështirësi në zhvillimin personal dhe shoqëror, duke penguar aftësitë e tyre për të marrë vendime të zgjuara dhe për të zhvilluar marrëdhënie të qëndrueshme dhe të shëndetshme. Dhe ajo që vërejmë tashmë kudo, janë Piter Pan-ët 50 vjeçarë, të cilët e shprehin lirinë e tyre në çdo lloj mënyre, duke moskuptuar e mbase edhe kur e kuptojnë, duke mos jua ndjerë se sa dëmtojnë edhe një tjetër brez, duke nisur që nga fëmijët e tyre. Duke ju dhënë djemve të tyre modelin e “djaloshit 50 vjeçar që mund të bëjë ca të dojë mjaft të ketë lekë” dhe vajzave të tyre se do të duhet të pranojnë këtë realitet sic bëjnë nënat e tyre çdo ditë.

Unë ia hedh fajin edhe përrallave, e me të vërtetë nuk di nëse ka vetëm një faj për këtë katandisje të mentalitetit shoqëror ku kemi arritur. Mjaft të bëni një xhiro me këmbë në një nga brigjet e resorteve buzë detit sot….

Pra, a nuk është koha që të ndryshojmë këtë botëkuptim? Të promovojmë një kulturë të re ku çdo individ, pa dallim gjinie, ka mundësinë të jetë protagonist i jetës së tij, duke vlerësuar aftësitë personale dhe zhvillimin e një identiteti të fortë dhe të pavarur? Unë e filloj duke hequr përrallat, e duke I zëvendësuar ato me “Benin që ecën vetë”, mbase sepse, për sa kohë shkon në fshat me këmbë, nuk është model I keq.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.