Don Kishoti i Backës

Edison Ypi Të shkosh në Backë nga Çorovoda, është normale, por jo interesante, jo eksituese. Të shkosh në Backë nga Vithkuqi, ai është udhëtim aventuresk, kavaleresk. Në Maliq, ku kthen për Klocë, një tip me thes në sup më tha se rrugë nga Vithkuqi për në Backë nuk ka. Nuk e besova Tersin e Maliqit […]

Korrik 7, 2024 - 17:20
 0
Don Kishoti i Backës

Edison Ypi

Të shkosh në Backë nga Çorovoda, është normale, por jo interesante, jo eksituese.
Të shkosh në Backë nga Vithkuqi, ai është udhëtim aventuresk, kavaleresk.
Në Maliq, ku kthen për Klocë, një tip me thes në sup më tha se rrugë nga Vithkuqi për në Backë nuk ka. Nuk e besova Tersin e Maliqit që do ketë qënë ndonjë djalë xhaxhai me Tersin e Pojanit.
Në të dalë të Korçës, kur nga hutimi desh’ shtypa nën rrota dy korçarka me pantallona të shkurtra si breçka, Tersi i Korçës që e pyeta si të vazhdoj për në Qaf të Qarrit, më degdisi në ca labirinte rrugësh nëpër plantacione mollësh.
Diku mes mollëve, një tjetër ters, Tersi i Boboshticës që mu mburr se ishte mësues Historie dhe njihte me pëllmbë Shqipërinë e jugut, me një ton kryeneç më tha të kthehesha nga erdha. Sepse, sipas tij, në Backë shkohet vetëm rretherrotull: nga Elbasani, Berati, Çorovoda. Ngaqë, gjithmonë sipas tersit, rrugë për në Backë nga Vithkuqi nuk ka, nuk ekziston.
Nuk u stepa nga ky ters dinak. S’ke ç’bën. Të nisesh nëpër aventura, duhen duruar edhe tersat.
Nga një ters te tjetri, më tmerroi Tersi i Kamenicës. Më tha se rrugë nga Vithkuqi për në Backë, ka, por është rrugë e vështirë. Plot me humnera ku po re të përpin errësira. Gjithato shpella ku të nxjerrin sytë lakuriqët e natës. Pa numurim puse të thella, ku po re brenda, mbytesh dhe mbetesh, thirr sa të duash, s’të vjen njeri për ndihmë. Pa hesap gropa, gunga, rrëpira, shtigje, ku po humbe, të hanë ujqit, të shqyejnë arinjtë.
S’pyeta më tersa. Vazhdova me forcat e mia.
Te një karburant, një Toyota Pickup e bardhë që sapo u mbush me naftë, ka ngarkuar arka me perime, kuti me fruta, thasë me patate, pra furnizim fshati. Kjo më duhet.
Shoferi i Toyotës me një dhëmb floriri, bashkë me djalin nja 30 vjeç në bord, shkojnë në katundin e tyre, në Çemerricë. Ja qaj hallin. Hallin tim, se veç meje kurrkush s’ka halle. I them nga vij, ku dua të vete. E pyes nga duhet t’ja ther.
Hajde me mua, më thotë kallauzi nga Çemerrica si Alice Taylor nga Anglia kur i fton ta ndjekin adhuruesit e saj në reportazhet e mrekullueshme që bën.
Kallauzin e gjeta. Toyota para, Rosinant Jeepi pas.
Pak minuta pas hyrjes në rrugën e Vithkuqit, një fresk që, ç’e pyet.
Senjalistikë rrugore perfekte. Mesa duket nuk e ka ndërmend ta shkuli a ta vjedhi njeri. Ja dinë kimetin qytetarisë çobenët e këtyre anëve. E kanë rrahur kurbetin që herët.
Me lehtësinë e kapërximit të argumentave nga F. Lubonja, dhe virtuozitetin aktorial të Bujar Lakos, para syve rrëshqet tabela te kthesa për Lubonjë, prejnga ata të dy janë.
Më tutje klima dhe bimësia alpine çfaqen befas si nëpër ëndërra.
Ishull i vogël në mes të liqenit. Dru në mes të ishullit, duket si, por palmë s’është.
Peisazh malor monoton si simfonia e zilkave të bagëtive, që tersave të kudondodhur u duket i njëtrajtshëm, ama laryshinë e botës e ka brenda.
Internet e navigator e celular sa të duash.
S’do qe keq kjo mrekulli të vazhdonte gjatë. Por ëndërrën e vret Vithkuqi. Ku babai dhe i biri nga Çemerrica ndalin Toyotën për një filxhan kafe dhe një qelqe raki. Sa të pinë kafet ata, bëj një shetitje nëpër Vithkuq.
Një qen leshator nga nxjerrë shetitje veten, një grua dhe një burrë që llafosen anglisht.
Një çesëm e ftohtë brisk freskon dy gra me theks verior.
Përshëndes dy vithkuqarë që po rrinë te një stol. Njëri prej tyre, pa thënë asnjë fjalë, dhe pa ja kërkuar, më shoqëron te busti i Naum Veqilharxhit te një park i vogël fshehur mes drurëve.
Te një verandë, një vithkuqar me syze, sa më sheh, pa një pa dy, nis e më lëvdon shkrimet me të bërtitura si Vittorio Gassman duke lënë me gojë hapur nja katër a pesë të ngeshëm që po pinë birrë.
Pasi mbarojnë kafenë dhe rakinë, çemerricarët bëjnë qartësimet e fundit: Ke edhe pak kilometra asfalt. Pastaj rruga shkon mbi një kreshtë mali. Deri te Qafa e Martës s’është keq. Më tutje të ruajt Baba Fetahu.
Te kthesa e Çemerricës Toyota ndal. Babë e bir zbresin. Në Çemerricë kanë mbetur 2 shtëpi. Njëra e kallauzit. Tjetra e xhaxhait. E di që do piqni dashin, do shtrohet sofra, do shkojë lumë rakia, do hidhet vallja, do buçasi kënga. Por në Çemerricë do vi tjetër herë. Sot s’mundem. Kam frik se erret. Faleminderit. U paça.
Ujra dhe pyje gjithandej.
Kopështet e Edenit nuk mund të jenë më të bukur.
Deri te kthesa për Panarit, asfalt.
Më tutje rruga e gjërë me kthesa të lehta dhe anash një bimësi të dendur shkon vërtet mbi një kreshtë kilometrike deri rrëzë motër Ostrovicës, e cila, prej kaq afër, nuk duket aq madhështore si nga vendet e largëta prejnga, bashkë me vëlla Tomorrin, sundojnë horizontin e Shqipërisë.
Nga kthesa e Panaritit në drejtim të Backës, rrugën po e ndreqin. Përdredhja e kësaj rruge deri te Qafa e Martës është një spektakël që s’ka të rrëfyer për të eturit për surrealizëm.
Pllajë shkëmbore sa të ha syri. Shpati jugor i Ostrovitës është i frikshëm.
Rrëzë këtij shpati është një lapidar. Me ma pre kokën me hanxhar të ndryshkur mbi trungun e kasapit, s’besoj se është bërë ndonjë luftë apo ka rënë ndonjë dëshmor në këtë majë mali në këtë fund bote.
Ujra rrjedhës gjithandej.
Rruga nga Qafa e Martës zbret në luginë me dredha si litar i hedhur nga maja e Ostrovicës nga një kaubojs i lojtur për të bërë zap pelën e hazdisur Backë.
Backa, Potomi, dhe me rradhë fshatrat në luginë gjer tutje në horizont ku duket pak Osumi, ose ashtu më bëjnë sytë mua.
Ja ther teposhtë më të majtë, kah Backa, Baba Fetahu, litari, kali, pela, kaubojsi, shtëpitë, përrenjtë, prrockat.
Gropat, gungat, humnerat, rreziqet, shpellat, lakuriqët e natës, kishin qënë rrena të tersave.
Nga Qafa e Martës deri në Backë, Rosinanti ka qef të kacavjerret nëpër ato kthesa.
Në njërën nga kthesat, duke u ngjitur përpjetë, më del para Alteregua. Mesa duket është nisur për në Backë nga e kundërta, nga Çorovoda.
Jo, nuk qënka Alteregua nga Starja. Qënka një skraparlli nga Potomi. Po vete në Greqi me gruan. Alteregua, pa shtizë, pa Rosinant, mbi Nissan, nuk ka ngarkuar patate, domate, miell, si çemerricari, por ca arka metalike të rregullta dhe të pastra që ndoshta ishin instrumenta topografie, se ashtu mu dukën.
Me të bëritura, si e kam zakon, dhe si i çmendur që jam, i them presunto Alteregos skraparlli se, si udhëtar, si aventurier, si dashnor i maleve, shkëmbinjve, pyjeve, katundeve, mullinjve të erës që jam, duhem ndihmuar, duhet të di si quhen këto male, ato katunde, këto lugina, këto gërxhe ? Skraparlliu ma kap fillin. Duke më mahnitur me mirsjellje dhe mikpritje, zbret vrik nga Nissani, dhe, si vendali denbabaden, u përgjigjet një për një pyetjeve. Je i mrekullueshëm skraparlli. Të paça.
Pak më poshtë drejt Backës, përrenjtë dhe prrockat janë tharë. S’ka gjë më të trishtë se një përrua i thatë. S’do ment se ujrat i mbledhin lart dhe i çojnë me tuba nëpër hidrocentrale-kuçedra.
Nga një oborr del një grua nja 50. Vitet në fytyrë, lodhjen mbi krahë, taksiratet mbi supe
sy të mirë, të butë, e folur e ngadaltë, e qetë, e butë, e ëmbël, katër fëmijë në kurbet, burri po çlodhet pak. Ngrihu nga varri Rembrand. Eja në Backë bëj portretin “Skraparllesha” ta shohi gjithë bota.
Për një moment më vajti mendja ti kërkoj skraparlleshës së urtë diçka që e kam zakon: Të këndojë një këngë. Cilën të dojë. Cila t’i vi ndërment. Këtu, tani. Shoqëruar nga tre instrumentistët gjenialë: era që s’po fryn, përroi që s’ka ujë, zilkat e bagëtive që s’po dëgjohen. Nuk e bëra. Këngë ishte aq pak sa foli.
Fshati Backë, apo të paktën ajo mëhallë ku kalova, me shtëpi guri pa llaç, me baltë, çati me rrasa, është një mesjetë uluritëse që të fton të ulesh diku pranë një përroi të thatë, të zësh kokën me duar, të qash e të qash pa u ndalur derisa përrenjtë e thatë të Backës t’i mbushësh me lot, të vi t’i mbledhi turiqeni i hidrocentralit, të rrotullohen turbinat, të prodhojnë korent, të ndriçohen copat e mishit të Parlamentit.
Tutje duken ca shtëpi si më të mbajtura. Dhe më tutje akoma Teqeja e Baba Fetahut.
Backa, fshati më i thellë dhe më i largët i Skraparit, është aq i bukur, sa s’gjen dot fjalë, se mendja ngec, imagjinata lloc.
Ku s’ka asgjë tjetër përpos ca mbijetuesa dhe ca shkëmbinj, mardhënia e Backës me: Bektashizmin, luftrat, folklorin, Ostrovicën, Qafën e Martës, Çukën e Frëngut, është një pështjellim marramendës mes një komuniteti njerzor, relievit natyror, rrethanave historike, besimit fetar, propagandës, luftës për mbijetesë.
Është vonë.
Po bie muzgu.
Pas 11 orësh mbi Rosinant, unë Don Kishoti i Backës i lehtë nga trutë e kokës dhe i lodhur nga rruga me dredha, po kthehem nga përrockat e thata ku luftoi Lace Backa. Gjithë ç’pashë e dëgjova ishin aq të bukura, aq të madhërishme, aq të paharrueshme, sa një vit të tërë nuk do shoh asnjë ëndërr, nuk do prek asnjë femër, nuk do lexoj asnjë libër, nuk do dëgjoj asnjë muzikë, nuk do them me vete asnjë poezi përmendësh duke kalëruar rrugës.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.