Tre “stacione” ku shumica popullore opozitare firon në pakicë politike

Nga Preç Zogaj Sondazhet periodike të “Euronews Albania“ dhe “Report TV” tregojnë se pakënaqësia e qytetarëve me qeverinë e Ramës luhatet mes 63-67 përqind. Në pamje të parë, duke marrë marrë parasysh faktin se pakënaqësia konstante me shtrirje në kohë është potencialisht një votë opozitare, të krijiohet përshtypja se fitorja e opozitës në zgjedhjet e […]

Korrik 15, 2024 - 11:20
 0
Tre “stacione” ku shumica popullore opozitare firon në pakicë politike

Nga Preç Zogaj

Sondazhet periodike të “Euronews Albania“ dhe “Report TV” tregojnë se pakënaqësia e qytetarëve me qeverinë e Ramës luhatet mes 63-67 përqind.

Në pamje të parë, duke marrë marrë parasysh faktin se pakënaqësia konstante me shtrirje në kohë është potencialisht një votë opozitare, të krijiohet përshtypja se fitorja e opozitës në zgjedhjet e vitit të ardhshëm është më e qartë se kurrë dhe po i buzeqesh asaj si llokum nga vitrina e zhvillimeve.

Të njëjtët sondazhe fotografojnë ndërkaq një pamje tjetër të shpërndarjes së parapëlqimeve apo votës për subjektet dhe krerët politikë të PD-së dhe aleatëve të saj. Të gjithë këta së bashku dalin më pak se PS dhe Rama.

Rama i ka votues, pra i çon në kuti ata 33-37 përqind që e mbështesin. Të cilët, falë abstenimeve, shkojnë tej dyzet e pesë përqindëshit në përllogaritjen e votës së përgjithshme në kuti. Opozita nuk i çon të vetët.

Sfida numër një e saj është ta çojë në kutitë e votimit, të pathërmuar, shumicën antiqeveritare. Një fjalë goje. E lehtë për ta thënë.

Jo vetëm sondazhet korente, por edhe tubimet si ky i fundit që duhet të celebronte marrjen e vulës dhe logos së PD-së nga Berisha, tregojnë se rruga për përmbushjen e kësaj sfide është e gjitha në ngjitje. Me shanse minimale për sukses nëse kjo opozitë qëndron kështu siç është sot.

Një pengesë e parë është lidershipi. Lidershipi është vetë alternativa. Krerët e harkut opozitar rreth Partisë Demokratike, duke filluar me Berishën e Metën e duke vazhduar me gjithë të tjetër janë po ata që kanë qenë prej dekadash, të provuar në majat e pushtetit disa herë. Berisha dha dorëheqjen në vitin 2013, pas humbjes së thellë në zgjedhjet e atij viti. Por nuk iku. Qëndroi kryetar i kryetarit. “Për të fituar përmes një tjetri kësaj here”, siç ishte shprehja e një diplomati perëndimor. Ai hapi një zyrë paralele ku konkuronte kryetarin legal me konferencat e shtypit dhe me agjendën e takimeve të rëndësishme.

Ndërkombëtarët, duke e kuptuar të vërtetën e dualizmit në drejtimin e Partisë më të madhe opzitare, e gjenin te Berisha zgjidhjen e ngërçeve politike që krijonte kjo parti. Shembulli më domethënës është ai i zyrtarit të Departamentit të Shtetit, Hoyt Brian Lee në vitin 2017. Ai e negocioi te Berisha mbylljen e “çadrës së lirisë”, votimin nga PD të komisioneve parlamentare të reformës në drejtësi dhe shkuarjen e saj në zgjedhje. Vetë Berisha, duke folur për këtë takim pati deklaruar se negociatori amerikan përdori “metoda të avancuara”.

Mungesa e rrotacionit real në drejtim i ka ekspozuar PD dhe satelitët e saj si parti private-familjare të liderëve që nuk dinë të ikin. Si të tillë, këta krerë e kanë vënë popullin opozitar pas murit, ia kanë zënë kokën me derë: “Ose na voto sërish ne, ose vrit veten. Ne këtu jemi. Nuk humbim gjë”.

Pengesa tjetër, e dyta, ka lidhje me një kontradiktë në sjellje dhe artikulim për një çështje më ndjeshmëri të lartë publike. Që është shpresa popullore për të luftuar pandëshkueshërinë shumëvjeçare në sferat e larta; askush të mos ndjehet më mbi ligjin; kush ka abuzuar të përgjigjet para drejtësisë. Kjo shpresë ka marrë jetë e ushqehet nga investimi historik amerikan për ngritjen dhe funksionimin e drejtësisë së pavarur në Shqipëri e në veçanti nga hetimet gjithnjë e më intensive të SPAK.

Opozita e denoncon me të drejtë dhe me sukses shpeshherë korrupsionin kapilar të qeverisë. Nga ana tjetër sulmon me të gjitha bateritë institucionin që është ngarkuar me ligj të godasë dhe po e godet korrupsionin. Që është SPAK. Në rrafshin e impaktit publik kjo është një kontradiktë e madhe që e shumëzon me zero retorikën e saj kundër korrupsionit. SPAK gëzon e do të vazhdojë të gëzojë, nëse vazhdon përpara, mbështetjen e një shumice solide shqiptarësh ku ka shumë e shumë opozitarë që mezi kanë pritur t’i shohin para ligjit zyrtarët dhe ish zyrtarët e korruptuar. SPAK është emri i shpresës dhe besimit të tyre. Është naivitet i madh të mendohet se qytetarët do të zgjedhin me votë të kthehen te pandëshkueshëria e vjetër.

Thënë këto, askush nuk pret që krerët në hetim të opozitës të lavdërojnë SPAK-un. Por për akuzat që u ngrihen personalisht, ata duhet ta bëjnë betejën e tyre aty ku është vendi, në institucionet e drejtësisë.

Një pengesë e tretë nga renditja, por jo nga rëndësia, është tërheqja e zgjedhësve opozitarë në sprovën e padëshirueshme, madje turpëruese për t’i thyer hundët SHBA-ve dhe partnerëve të tjerë që kanë të njëjtat qëndrime ndaj personave të sanksionuar prej tyre. Është fakt se Berisha ka plot mbështetës që nuk duan t’ja dinë për këtë. Por ata nuk janë e s’do të jenë ndonjëherë shumicë popullore që merr pushtetin. Ka me mijëra e mijëra demokratë e opozitarë që e refuzojnë principialisht sprovën e turpit të lartpërmendur.

Në të tre këto “stacione” (Pse tre e jo katër e pesë? mund të thotë ndokush), opozita e Berishës me aleatët e tij ka humbur e do vazhdojë të humbasë votues nga blloku i shumicës popullore antiqeveritare. Duke ndikuar automatikisht që pakica e Ramës të dalë në vend të parë në zgjedhje.

Shifrat janë pubike. Paralajmërimet janë dhënë. Berisha e di zgjidhjen e fitores. E ka vetë në dorë ta japë.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.