Në tetor do të bëhet rritja e pensioneve, eksperti jep detajet për indeksimin
Eksperti i sistemit të pensioneve, Ramadan Kondi komentoi lajmin se në tetor do të bëhet indeksimi i radhës për moshën e tretë. Në tetor do të bëhet indeksimi i radhës, por sa para do të marrin ata më shumë? Sipas tij, kjo gjë është e padrejtë pasi rritja duhej bërë që në janar. “Edhe kjo […]
Eksperti i sistemit të pensioneve, Ramadan Kondi komentoi lajmin se në tetor do të bëhet indeksimi i radhës për moshën e tretë. Në tetor do të bëhet indeksimi i radhës, por sa para do të marrin ata më shumë? Sipas tij, kjo gjë është e padrejtë pasi rritja duhej bërë që në janar. “Edhe kjo është e padrejtë pasi duhet të ishte bërë që në muajin janar. Indeksi i vitit 2023 është 11%, sikur të bëhet 11% pensioni mesatar do të rritet 1850 lekë”, tha eksperti në A2 CNN.
Nga ana tjetër, Z.Kondi ka treguar edhe një skemë të re që do të sjellë ndryshime drastike te pensionistët. Ai ka komentuar raportin, se 1 në 5 shqiptarë sot është i moshuar. Përveçse më pak, jemi dhe më të plakur. Nga rreth 2,4 milionë qytetarë në total, më shume se 437 mijë janë mbi 65 vjeç. Kjo ka bërë që raporti i varësisë së të moshuarve, që llogarit numrin e personave mbi 65 vjeç me ata në moshë pune, rritet në 30,4 përqind, nga 16,7 përqind në vitin 2011. Ramadan Kondi theksoi se më negativja është sot se te popullata ka një mosbesim sa i përket përfitimeve në moshën madhore. “Në 10 vitet e fundit është ulur numri i kontribuuesve dhe në të njëjtën kohë është rritur numri i përfituesve.
Megjithatë, kjo është një plagë që do shumë punë për t’u korrigjuar pasi lidhet me shumë faktorë. Më negativja është që sot te popullata ka një mosbesim sa i përket përfitimeve në moshën madhore. Rritja e moshës dhe ndryshimet strukturore, si dhe lëvizja natyra e popullsisë, kanë krijuar një pështjellim në skemën e pensioneve. Nuk ka gjë që nuk korrigjohet, por në radhë të parë si do të bëhen politikat e këtij sistemi. Nuk bëhen studime të thelluara që të perceptohen drejtë edhe nga shtresa e gjerë e popullsisë për të marrë pjesë në këtë skemë”.
Si mund të korrigjohet skema?
Por si mund të korrigjohet skema e pensioneve duke pasur parasysh plakjen e popullsisë me ritme të shpejta? Për ekspertin, duhet të punohet që skema e pensioneve duhet të shtrihet dhe këtu ai përmend edhe studentët. “Ne duhet të punojmë për të shtrirë skemën e pensioneve. Edhe ai që ka dalë në pension, është i detyruar të punojë, në fakt ne ja kërkojmë kontributet, por duhet t’i kthejmë diçka që ta bëjmë edhe atë të interesuar. Skema e pensioneve duhet të shtrihet edhe te studentët.
Pjesa më e madhe e studentëve sot punojnë dhe në këto kushte shteti duhet të ndërhyjë që ta harmonizojë kontributet që duhet të derdhë punëdhënësi, por dhe sesa do të subvencionojë shteti që në qelizë. Kjo e bën këtë studentin të lidhur me vendin e tij e të punojë sa më shumë në vendin e tij. Nëse ka mbushur moshën 18 vjeç, çdo kontribut do të llogaritet te vjetërsia e punës. Ne duhet të punojmë që njerëzit duhet të jenë të ndërgjegjësuar që të bëjnë veprime vullnetare”, përfundon fjalën eksperti.
A ja vlejnë pensionet private?
Gjithë këto pasiguri ekonomike bashkë me plakjen e shpejtë të popullsisë nga njëra anë, shtuar dhe faktin se ajo që të moshuarit në vend marrin nuk mjafton, po i shtyn qytetarët drejt skemave private të pensioneve. Nga pak më shumë se 38 mijë fund-vitin e shkuar, numri i atyre që kontribuojnë vullnetarisht arriti në gati 40 mijë në fund të marsit. “Ligji i fundit për rregullimin e skemës së pensioneve private vullnetare ka bërë të mundur dhe ka krijuar disa incentiva për disa punonjës që futen në këto skema.
Nga ana tjetër, ligji ka krijuar edhe lehtësi te punëmarrësit që të bëjë një pjesë të zbritshme nga paga e punonjësve. Kjo ka bërë që të rritet numri i të interesuarve,” -shprehet Avni Ponari, sipërmarrës në tregun e sigurimeve.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se vlera e parave të investuara në skemat private të pensioneve në fund të marsit arriti në 6.8 miliardë lekë duke u zgjeruar me 5.4 për qind në raport me fund-vitin e shkuar. Po a ja vlen investimi në skemat private dhe sa mund të jetë vlera e pensionit që i moshuari do të marrë kur të arrijë moshën? “Nis nga 30-40, 50 apo edhe 70 mijë lekë nga skema vullnetare private dhe 20-30 mijë lekë nga ajo publike. Në fund, ai që del në pension merr rreth 1 milionë lekë të vjetra në muaj,” thotë Avni
Ponari, sipërmarrës në tregun e sigurimeve.
Me gjithë rritjen e qëndrueshme, por të ngadaltë, aktualisht më pak se 6 për qind e të punësuarve që marrin një rrogë mujore kontribuojnë në skemat private të pensioneve. Si në çdo treg, edhe këtu ka mosbesim. “Nuk kemi besim te këto. Unë po të kem lekë i fus në bankë më mirë se sa te pensionet vullnetare,” thotë një qytetar për A2. Nevoja për më shumë ndërgjegjësim pranohet edhe nga vetë aktorë të tregut të sigurimeve.
What's Your Reaction?