Shpërthimi pranë Ujmanit, policia shton numrin e efektivëve në veri

Një shpërthim që ndodhi të dielën riktheu frikën për tensione në veriun e Kosovës. Pranë liqenit të Ujmanit, në afërsi të zonës që njihet afër tunelit të pestë, të dielën rreth orës 14:30 pati një shpërthim që dyshohet të jetë granatë dore. Në këtë vend ishin të parkuara 4 vetura, dy prej të cilave e […]

Korrik 22, 2024 - 22:15
 0
Shpërthimi pranë Ujmanit, policia shton numrin e efektivëve në veri

Një shpërthim që ndodhi të dielën riktheu frikën për tensione në veriun e Kosovës.

Pranë liqenit të Ujmanit, në afërsi të zonës që njihet afër tunelit të pestë, të dielën rreth orës 14:30 pati një shpërthim që dyshohet të jetë granatë dore. Në këtë vend ishin të parkuara 4 vetura, dy prej të cilave e pësuan, njëra me targa të Kosovës, ndërsa tjetra me targa amerikane.

Në lidhje me rastin, të dielën në mbrëmje policia bastisi një shtëpi ku konfiskoi tre radiolidhje, një veturë dhe disa pajisje të tjera. Ndërsa është në kërkim të një personi që policia thotë se është në interesin e tyre për intervistim.

Veton Elshani, zv/drejtor i policisë në veri, u shpreh: “Nuk kam informacion se çfarë e ka shkaktuar shpërthimin, sidoqoftë të lënduar në njerëz nuk ka. Policia ka dalë me njësitet e veta relevante adekuate në vendin e ngjarjes, është bërë krehja e terrenit, janë verifikuar shumë njerëz, janë kryer disa veprime hetimore nga ana e policisë, edhe sot vazhdon puna jonë në këtë drejtim”.

Ekspertët e sigurisë thonë se kjo është një përpjekje për të mbajtur situatën nën tension në veri. Arben Dashevci thekson: “Në aspektin e sigurisë është si një lloj tentimi, jo destabilizimi, por një lloj tentimi për mbajtje të situatës nën tension, duke pasur parasysh që organet tona të sigurisë janë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës me kapacitete të plota në veprim”.

Policia tha se do të ndërmarrin veprime të tjera për ta garantuar sigurinë në veri, me aktin e parë, atë të shtimit të numrit te efektivëve.

“Do të kemi shtim të numrit të policëve rrugëve, sidomos te liqeni i Ujmanit, rreth liqenit të Ujmanit, janë veprime të tjera policore që ndërmerren nga ana jonë”, deklaroi Elshani.

Megjithatë, gjatë së hënës, në veri u vunë re edhe vendosja e kamerave të tjera që monitorojnë hapësirat publike.

“Ne jemi duke vendosur kamera të tjera shtesë tek ura, këtu në qendër te “Car Llazari”. Për ne është me rëndësi, sipas ligjit në fuqi, ne jemi përgjegjës për menaxhimin, për mbikqyrje të vendeve publike, këtë jemi duke e bërë dhe është për të mirë të qytetarëve të veriut të vendit”, shprehet Elshani.

Me ardhjen e stinës së verës dhe ngritjes së temperaturave, liqeni i Ujmanit u shndërrua në një atraksion turistik. Banorët e rajonit të Mitrovicës filluan ta frekuentonin për të gjetur freskinë e ditëve të nxehta. Mirëpo, një ditë pas shpërthimit, këtu nuk vihet re asnjë lëvizje dhe asnjë njeri.

“Pesë javë radhazi është frekuentuar nga të gjitha nacionalitetet që jetojnë në Kosovë dhe këtu e kam për shqiptarë, serbë, boshnjakë, dhe të gjitha etnitetet pa dallim dhe pa asnjë problem të vetëm etnik dhe kështu që pas pesë javësh dikujt nuk i leverdisi qetësia në Republikën e Kosovës”, thotë Dashevci.

Por, a është Ujmani një vend i sigurt për t’u vizituar sërish nga qytetarët? Zv/drejtori i policisë në veri përgjigjet kështu: “Qytetarët duhet të kenë kujdes sepse është një terren mjaft i gjerë, ne jemi thuaj në çdo cep, në çdo vend, mirëpo siguri 100% nuk ka askund, kështu që i bëjmë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, sidoqoftë ne do të jemi në afërsi, jemi në mbarë veriun e vendit”.

Gjatë ditës së hënë në veri të vendit ka qenë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ujmani është shumë i rëndësishëm për Kosovën. Nga ky liqen furnizohen me ujë rreth 7 komuna të Kosovë në veri dhe jug, përfshirë edhe një pjesë të Prishtinës me mbi 500 mijë banorë. Po ashtu, nga ky liqen varen edhe termocentralet Kosova A dhe B të KEK-ut si dhe Trepça e Ferronikeli. Gjithashtu, nga ky liqen prodhohen edhe disa megavatë elektrike./A2CNN

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.