Tradhtinë e Berishës e shpëlajnë vetëm primaret

Nga Denis Dyrnjaja Një valë zhgënjimi e madhe ka përfshirë kryesisht bazën e demokratëve në opozitë, pas kompromisit që Sali Berisha bëri me Edi Ramën për të mbajtur listat e mbyllura me hapje të pjesshme për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, çka do të thotë që pjesa më e madhe e kandidatëve për deputetë mbeten […]

Korrik 28, 2024 - 12:00
 0
Tradhtinë e Berishës e shpëlajnë vetëm primaret

Nga Denis Dyrnjaja

Një valë zhgënjimi e madhe ka përfshirë kryesisht bazën e demokratëve në opozitë, pas kompromisit që Sali Berisha bëri me Edi Ramën për të mbajtur listat e mbyllura me hapje të pjesshme për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, çka do të thotë që pjesa më e madhe e kandidatëve për deputetë mbeten atribut i konfirmimit nga kryetarët e partisë.

Natyrisht që në një kalkulim paraprak referuar edhe rrethanave e kushteve politike dhe elektorale, ky është një avantazh i fortë për PS dhe një parathënie e fitores së mandatit të katërt për Edi Ramën. Thënë thjeshtë, Berisha ra dakord të marrë konfirmimin politik si zot i opozitës, duke pranuar njëkohësisht Edi Ramën si zot të pushtetit. Ndërkohë menjëherë pas bashkimit të votave me mazhorancën për të kaluar ndryshimet ligjore për kodin zgjedhor në Parlament, Berisha dhe ndjekësit e tij në parti, kanë nisur një fushatë publike, ku po përpiqen t’i thonë anëtarësisë demokrate, se kjo votë e bashkuar me Edi Ramën nuk ishte për reformën zgjedhore, pasi sipas doktorit kjo që u miratua nuk ishte një e tillë, por ishte zbatim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për hapjen e listave, që në fakt u bë me marifetin e duhur që iu shkon për shtat të pavotuarve dhe servilëve.

Në zgjedhjet e Vitit 2021, Rama bëri një lëvizje të fortë taktike, ndërsa vuri drejtuesit politikë të partisë në qarqe përfshirë dhe veten e tij në kufirin e listës fituese të PS, çka i vuri në punë ata për të mbledhur vota e marrë rezultat fitues. Ndërsa nga krahu tjetër Basha që drejtonte asokohe PD me rehatinë e komoditetit të kryetarit caktonte sipas preferencave dhe kalkulimeve njerëzit që do të duhej të ishin të sigurt në Parlament duke para përfytyruar në një farë mënyre edhe humbjen. Po Berisha cilën skemë do të ndjekë në zgjedhjet e ardhshme, atë të Ramës apo atë të Bashës? A do t’i çojë ai drejtuesit politikë në ekstremet e listës nëse pretendon se i fiton zgjedhjet?! Kjo mbetet për t’u parë. Ndërkohë fakti që ka një nxitim të Berishës dhe gjithë grupit që pretendon të marrë një vend në listën fituese të humbjes së opozitës në legjislaturën e re, për t’iu thënë demokratëve se nuk ka një pakt me Edi Ramën, tregon se demokratët në bazë janë shumë të zhgënjyer, sepse vetë Berisha&co i kishte përgatitur për një tjetër version.

E kush do ta kishte menduar se Berisha do të katandisej në këtë pikë, sa për shkak të egos së fiksuar për të patur nën kontroll dhe pronësi një parti, të arrinte deri në këtë pikë ku të pranonte një menu fikse të ofruar nga Rama, i cili ia del gjithnjë t’ua marrë atë që intereson në tavolinë sa herë i duhet në lidhje me zgjedhjet. Por për të mos e paragjykuar deri në ekstrem doktorin e madh, ndoshta i duhet dhënë atij një mundësi. Psh nëse Berisha vërtetë bën atë që thotë, praktikisht nëse ka vullnetin për të patur një listë vlerash të pranuar gjerësisht të kandidatëve për deputetë, le të organizojë një proces primaresh në parti para se të shpallet lista përfundimtare e kandidatëve për zgjedhjet e Vitit 2025.

Anëtarësia të japë pëlqimi e saj për kandidatët që preferon, jo të jetë një listë e faktit të kryer. Pra propozimi shkon në të njëjtën linjë me promovimin e primareve që Berisha dhe idhëtarët e tij trumbetojnë me të madhe sikur do ta aplikonin për gara të rëndësishme. Ja ku është rasti për ta jetësuar këtë proces shumë ushqyes për demokracinë reale në parti. Nëse Berisha pranon dhe realizon një proces transparent primaresh, përmes parimit një anëtar një votë dhe pa e manipuluar apo paracaktuar listën dhe kryer një votim fiktiv në parti, atëherë hijet e një kompromisi politik që parashkruan humbjen e radhës për opozitën do të zhbëheshin.

Ndryshe Berisha përveç se do jetë humbësi më spektakolar që ka njohur kampi demokrat dhe opozita në tërësi, do të futej në historinë politike të Shqipërisë, si njeriu më pa karakter dhe intrigant që ka shitur interesat e një opozite të tërë thjeshtë dhe vetëm për axhendën e tij personale dhe të një grupi të vogël interesaxhinjsh të pavotuar dhe të padëshiruar nga shqiptarët por në veçanti nga vetë opozitarët!

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.