Me ‘zgjedhje apo zgjidhje’, Himara i drejtohet kutisë së votimit

Kandidati i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo dhe ai i opozitë së udhëhequr nga Partia Demokratike, Petro Gjikuria mbyllën fushatën e shkurtër elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore në bashkinë bregdetare. Nga Besar Likmeta Fushata e shkurtër zgjedhore e mbajtur nën vrullin e sezonit turistik, të shënjuar në mediat kombëtare dhe ato sociale nga një debat […]

Gusht 3, 2024 - 18:00
 0
Me ‘zgjedhje apo zgjidhje’, Himara i drejtohet kutisë së votimit

Kandidati i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo dhe ai i opozitë së udhëhequr nga Partia Demokratike, Petro Gjikuria mbyllën fushatën e shkurtër elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore në bashkinë bregdetare.

Nga Besar Likmeta

Fushata e shkurtër zgjedhore e mbajtur nën vrullin e sezonit turistik, të shënjuar në mediat kombëtare dhe ato sociale nga një debat mbi çadrat e plazhit, mbylli siparin në bashkinë bregdetare të Himarës të premten me tubimet e kandidatëve për kryebashkiakë.

Vangjel Tavo, kandidati i Partisë Socialiste në pushtet, mbajti një takim elektoral në Himarë ku theksoi se zgjedhjet e 4 gushtit do ti jepnin fund shfrytëzimit të qytetit për politikë identitare.

“U përpoqën disa për të krijuar tymnajë, por u ra kjo skemë sepse e drejta dhe e vërteta fitojnë gjithmonë,” tha Tavo, i cili në një spot elektoral nënvizon se 4 gushti “nuk është thjesht zgjedhje por zgjidhje.”

“Gjuha e Himarës është e himarjotëve dhe në Himarë do flitet gjuha që himarjotët flasin nga të parët e tyre,” shtoi Tavo, pa përcaktuar nëse bëhej fjalë për shqipen apo greqishten.

Në dukje i sigurt për shanset e tij elektorale, Tavo përsëriti ftesën drejtuar rivalit të tij, Petro Gjikuria për të shërbyer si nënkryetar bashkie në administratën e ardhshme.

“Le të kontribuojë me ide dhe energji për të ecur përpara,” tha Tavo, ndërsa shtoi se “Himara është e të gjithëve.”

Zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë vijnë pas burgosjes së ish-kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleris – anëtar i minoriteti grek, çfarë i përshkallëzoi tensionet midis Tiranës dhe Athinës zyrtare.

Pas arrestimit të Belerit bashkia u drejtua fillimisht nga ish-kryebashkiaku, Jorgo Goro i cili u arrestua për shpërdorim detyre nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK për abuzime me pronat. Pas Goros drejtimin e bashkisë e mori nënkryetarja, Blerina Balaj, e cila më pas dha dorëheqjen duke përmendur “ arsye personale”. Këshilli bashkiak më pas zgjodhi një kryetar të ri në detyrë, Arqile Bollanon, të cilin SPAK po e heton gjithashtu si pjesë të një skandali të lidhur me pronat.

Zgjedhjet e reja vijnë pas dënimit të Belerit për korrupsion zgjedhor dhe heqjes së mandatit të tij nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Beleri, i cili po vuan dënimin me dy vjet heqje lirie për blerje votash, ndërkohë është zgjedhur si deputet në Parlamentin Europian si kandidati i Demokracia e Re – partia në pushtet në Greqi e drejtuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

Tavo është zgjedhur më parë deputet në Kuvendin e Shqipërisë për Partinë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe përpara se të garonte për kryebashkiak mbante postin e Prefektit të Vlorës, ndërsa Gjikuria është një biznesmen shqiptaro-amerikan i njohur për inveatimet e tij në zonën e Himarës. Për ta nënvizuar shtetësinë e tij të dyfishtë, Gjikuria ka postuar në Facebook një foto me ish-sekretaren e Departmentit të Shtetit në SHBA, Hillari Klinton.

Të dy kandidatët janë anëtarë të minoritetit grek në Shqipëri, por Gjikuria gëzon mbështetjen e partisë kryesore minoritare – Bashkimi Demokratik për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) dhe të organizatës minoritare OMONIA.

Pjesëmarrës në takimin përmbyllës të Tavos ishte dhe kryeministri Edi Rama, i cili e akuzoi kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule – dikur aleat i Partisë Socialiste, se po thurte tensione ndëretnike në Himarë.

“Me Vangjel Tavon Himara do të hapë një kapitull të ri zhvillimi, bashkëpunimi dhe bashkëjetese demokratike mes himariotëve, ku Vangjelët e gabuar do të mund të bëjnë plazh e banjo dielli, po s’do të kenë më shans të ndezin zjarre e nxijnë vetullat,” tha Rama.

Kandidati i opozitës Petro Gjikuria e mbylli fushatën e tij gjithashtu me një takim përmbyllës në shëtitoren bregdetare të Spilesë në Himarë. Në një postim në rrjetin social ‘Facebook’ pas tubimit ai e akuzoi Partinë Socialiste se e kishte braktisur Himarën.

“Kam biseduar me bashkëqytetarë në të gjitha fshatrat, nga Palasa në Nivicë,” shkroi Gjikuria ndërsa shtoi se e ka parë situatën dhe braktisjen e investimeve në rrugë, në rrjetin e ujësjellësve dhe në aspekte të tjera të infrastrukturës. “Bashkia e Himarës nuk ka më kohë për të humbur,” shtoi ai.

Në një mesazh të shpërndarë gjatë tubimit përmbyllës së Gjikurisë, eurodeputeti i burgosur Fredi Beleri bëri thirrje për mbështetjen e kandidatit të opozitës.

“Të dashur vëllezër, ju ftoj të dielën të jeni konsekuent me historinë, të votoni Petro Gjikurinë, me qëllim respektimin e të parëve dhe sigurimin e një të ardhme më të mirë për ne dhe fëmijët tanë,” shkruan Beleri.

“Të gjithë ju që jetoni dhe punoni kudo në botë, përpiquni të jeni të dielën në Himarë,” shtoi ai. “Hajdeni të ndizni një qiri në varret e gjyshërve tuaj, hajdeni sepse Himara ka nevojë për ju, sot më shumë se kurrë.”

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.