Shtëpia është e Zotit, mikut… por dhe e medalsjellësit
Nga Genci Kojdheli Sa herë që na jepet rasti ne shqiptarëve nëpër botë, nuk rrimë pa përmendur që Nënë Tereza (lindur në Shkup) ishte shqiptare, që Papa Klementi i 11të (lindur në Itali) kishte origjinë nga anët tona, që Muhamed Aliu (lindur në Kavalla të Greqisë, guvernator dhe themelues i Egjiptit modern) ishte nga një […]
Nga Genci Kojdheli
Sa herë që na jepet rasti ne shqiptarëve nëpër botë, nuk rrimë pa përmendur që Nënë Tereza (lindur në Shkup) ishte shqiptare, që Papa Klementi i 11të (lindur në Itali) kishte origjinë nga anët tona, që Muhamed Aliu (lindur në Kavalla të Greqisë, guvernator dhe themelues i Egjiptit modern) ishte nga një familje shqiptare nga Korça, që Ali Sami Yen (lindur në Stamboll, themeluesi i klubit të Galatasaray-it) ishte i biri i Sami Frashërit, edhe ky rilindas shqiptar që jetoi e punoi në Stamboll. Kjo listë është e gjatë shumë dhe përfshin gjithë ata shqiptarë e shqiptare që kanë lënë shenjë e kanë arritur sukses në vendet, shoqëritë e pozicionet e punës nëpër botë. Ajo që ndoshta harrojmë, ose nuk na e ka qejfi ta kujtojmë, është që shpesh këta “shqiptarë” kanë kontribuuar shumë më tepër për vendet e shoqëritë bujtëse, dhe lidhja e tyre me vendlindjen apo kombin mëmë ka qenë ose joekzistente ose periferike në rastin më të mirë. Neve na mjafton që janë “tanët” me emër e me tapi edhe pse tjetërkund kanë kontribuuar e kanë bërë prokopi!
Jam i detyruar ta bëjë këtë konstatim cinik që sigurisht nuk do të pritet fort mirë nga shumëkush, teksa lexoj reagimet agresive, abusive e deri edhe raciste që lidhen me dy medaljet e sapo marra nga SHQIPËRIA dhe dy mundësit SHQIPTARË të cilët garuan nën flamurin SHQIPTAR në Paris 2024. Reagimet kanë të gjitha një ton goxha të theksuar patetizmi pseudo-patriotik, ton i cili tenton të nxjerrë në pah se dy atletët në fjalë “nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërinë”, se “ne nuk kemi asnjë lidhje me çeçenët dhe as ata s’kanë asnjë lidhje me ne pasi nuk kanë lindur në Shqipëri” dhe se “shtetit tonë duhet t’i vijë turp që nuk investon në sport por i merr medaljet duke blerë sportistë”! Gjithë këto argumenta janë derivativë, minimalistë dhe me një dozë të frikshme e totalisht të pajustifikuar racizmi e superioriteti!
Së pari, në botën moderne ku lëvizshmëria njerëzore është pjesë normale e thuajse të gjitha shoqërive, mjafton të shohësh kombëtaren franceze apo zvicerane të futbollit, kombëtaren amerikane të ping-pongut, apo kombëtaren greke të basketbollit, për të kuptuar që konceptet etni-racë-sport-racizëm- vendlindje nuk para përzihen mirë. I pari që e provoi dhe dështoi në mënyrë spektakolare këtë budallallëk ishtë njëfarë Adolf Hitler në lojrat olimpike të Berlinit në 1936, kur tentoi t’i tregonte botës superioritetin e übermensch-it (mbinjeriut) dhe racës ariane por mori shpulla të mira live nga atleti afro-amerikan Jesse Owens dhe u detyrua të linte stadiumin në mes të garave të atletikës. Së dyti, nëse ne shqiptarët autoktonë qenkemi kaq fizikisht superiorë e gjenetikisht spektakolarë, nuk do duhet të kishim pasur fare nevojë për këta mundësit nga Kaspiku Lindor, por do i kishim fituar vetë medaljet olimpike me kohë e me vaft. Sa kohë që kjo nuk ka ndodhur, është e kotë të llomotisim dokrra për superioritetin tonë të supozuar. Së treti, argumenti i vendlindjes është po aq i vagët, pasi mund të hipotetizojmë një atlet me nënë nga Taxhikistani e baba nga Filipinet i cili ka lindur në Tiranë dhe do e kishte po kaq të vështirë të gjente pranueshmërinë etniko-racore si përfaqësues “i vërtetë” i Shqipërisë ndërkombëtarisht, edhe pse i lindur në trojet tona. Së katërti, kritikat për shtetin që nuk investon në sport janë tërësisht spekulative dhe rrëzohen pikërisht nga mundësit “mercenarë” të cilët vijnë nga një vend shumë më i varfër e i pazhvilluar se Shqipëria dhe prapë na sollën medalje olimpike duke u stërvitur po në Tiranë. Nevojitet një analizë shumë komplekse e cila përfshin ekonominë, demografinë dhe traditën në sporte, e që më pas do na indikonte dhe kapacitetin e një vendi specifik për të performuar mirë në disa epo edhe në vetëm një sport, por kjo analizë do duhet të bëhet një tjetër herë.
Ndërkohë, gjithë debati etniko-patriotik është tërësisht bosh, patetik dhe i mbushur me damarë racizmi të frikshëm, të cilët do duhet të merren në konsideratë me shumë kujdes nga gazetarët, sociologët, psikologët dhe opinion-bërësit, në mënyrë që të adresohen sa më shpejt këto trajta supremacie të pajustifikuar të cilat eventualisht mund të degjenerojnë në racizëm flagrant. Sa më shumë kohë kalon e sa më tepër i afrohemi antarësimit në Bashkimin Europian, aq më të shumë do të jenë të huajt që do zgjedhin të jetojnë e punojnë në Shqipëri, përfshirë këtu dhe emigrantë nga vende “koti” dhe “inferiore” nga Azia apo Afrika. Qartazi do të jetë një sfidë e madhe shoqërisë sonë që të pranojë e integrojë këta të huaj, teksa ky është dhe një paradoks i madh i shqiptarëve modernë. Një popull që ka miliona emigrantë të cilët prej vitesh jetojnë e punojnë e militojnë në biznes, kulturë, art, sport e akademi anë e mbanë botës, dhe për dekada me radhë është munduar për të arritur pranimin e integrimin, nuk mund ta ketë kaq të vështirë që të pranojë e të integrojë të huajt që vijnë nga vende të tjera në Shqipëri. Ky pranim e integrim do duhet po ashtu ta vendosim edhe në perspektivën e një nga vetive që ne ja njohim më së tepërmi vetes, atë të mikpritjes dhe respektit për “tjetrin” që na ka bujtur tek dera, qoftë për hall e për punë, apo për sport a qejf. Nëse shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, ajo medoemos duhet të jetë edhe e sportistëve nga Çeçenia apo Dagestani të cilët na sjellin medalje nga Lojrat Olimpike!
What's Your Reaction?