Gjermania pakëson ndihmat për Ukrainën

Më shumë se dy vjet e gjysmë pas agresionit rus ndaj Ukrainës, Gjermania po shqyrton uljen e ndihmës ushtarake për Kievin me 50%.

Gusht 16, 2024 - 18:15
 0
Gjermania pakëson ndihmat për Ukrainën

Më shumë se dy vjet e gjysmë pas agresionit rus ndaj Ukrainës, Gjermania po shqyrton uljen e ndihmës ushtarake për Kievin me 50%. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ricardo Marquina nga Berlini, Gjermania është donatori më i madh i bllokut evropian për Ukrainën dhe renditet e dyta pas Shteteve të Bashkuara, por politikat e brendshme të shtetit evropian po hedhin dyshime mbi këtë rol.

Bundestagu po përgatit buxhetin për vitin e ardhshëm që parashikon përgjysmimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, nga 8.8 miliardë në 4.4 miliardë dollarë. Partitë e koalicionit në pushtet i mohojnë akuzat e opozitës se angazhimi i Berlinit ndaj Ukrainës është vënë në pikëpyetje.

Ulrich Lechte është zëdhënës i partisë FDP për çështjet e jashtme, anëtare e koalicionit qeverisës në Gjermani.

“Tre partitë e koalicionit, Social Demokratët, Partia e Gjelbër dhe Liberalët, ende po e mbështesin plotësisht Ukrainën. Vetëm tek socialdemokratët ekziston një pjesë e besimit të vjetër se paqja duhet arritur pa armë. Kjo është e mrekullueshme, por unë nuk e shoh që kjo mund të arrihet me Putinin”.

Shpjegimi zyrtar i palëve është se pasuritë e ngrira ruse mund të krijojnë miliarda dollarë për Ukrainën sipas një plani nga vendet e G-7.

Por që nga mesi i vitit 2022, sanksionet e kanë penguar Gjermaninë që të blejë gaz natyror me kosto të lirë nga Rusia. Gjermanisë iu desh të blinte gaz me çmime shumë më të larta nga furnizues të kushtueshëm si Norvegjia.

Ekonomistët thonë se kjo ka nxitur inflacionin në Gjermani, që arriti në masën 10 për qind në vitin 2022.

Marcel Fratzscher, president i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike, shpjegon se inflacioni ka qenë edhe më i lartë në disa sektorë.

“Energjia dhe kostot fillestare në vitin e parë pas fillimit të luftës u rritën me më shumë se 50%. Çmimet e ushqimeve gjatë tre viteve të fundit në Gjermani janë rritur me më shumë se 35%”.

Gjermanët thonë se rritja e çmimeve po dëmton xhepat e tyre.

“Jashtëzakonisht. Gjithçka është rritur që nga çmimi i transportit e deri tek ushqimi”, thotë për Zërin e Amerikës një banor i Berlinit.

Kerstin Schulz, mësuese e shkollës fillore, pajtohet.

“Frekuentimi i restoranteve është shumë më i kushtueshëm. Mendoj se shumë njerëz nuk dalin më aq shumë, sepse kjo ndjehet në xhepin tuaj”.

Partitë e ekstremit të djathtë dhe të majtat radikale po e shfrytëzojnë situatën. Këto parti, pakica në parlament, po fitojnë mbështetje popullore.

Partia e krahut të majtë BSW, me 10 deputetë nga 733 që ka Bundestagu, është një nga ato që kërkon dhënien fund të mbështetjes për Ukrainën.

Zëri i Amerikës bisedoi me ligjvënësen e kësaj partie, Sevim Dagdelen.

“Ata që duan t’i japin fund vdekjes dhe luftës duhet të dërgojnë diplomatë në Ukrainë dhe jo armë”.

AfD, parti e krahut të djathtë me 116 anëtarë në parlamentin gjerman, ka një argument të ngjashëm.

“Nuk duam të dërgojmë pajisjet tona në Ukrainë sepse do të na duhen për të mbrojtur vendin tonë”, thotë Norbert Kleinwächter, ligjvënës i partisë AfD në parlamentin gjerman.

Sondazhet sugjerojnë se shumica e gjermanëve vazhdojnë ta mbështesin rezistencën e armatosur të Ukrainës ndaj agresionit rus, por ky numër po bie gradualisht.

Një sondazh i fundit i Parlamentit Evropian tregon se më shumë se 40% e gjermanëve e konsiderojnë të tepërt mbështetjen financiare për Ukrainën dhe i njëjti sondazh tregoi se mbështetja për anëtarësimin e Kievit në BE ka rënë nga 58 në 53 për qind./voa

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.