Ekonomia po përfiton nga turizmi; Importet e ushqimeve, rritje vjetore në sasi me 22% në 7-mujor

Sasitë e ushqimeve të importuara u rritën më tej në muajin korrik për shkak të nxitjes nga turizmi në njërën anë dhe kufizimeve nga prodhimi vendas në anën tjetër. Sipas të dhënave të INSTAT importet në sasi të ushqimeve u rritën me 22 për qind në 7 mujor, në krahasim me të njëjtën periudhe të […]

Gusht 21, 2024 - 12:20
 0
Ekonomia po përfiton nga turizmi; Importet e ushqimeve, rritje vjetore në sasi me 22% në 7-mujor

Sasitë e ushqimeve të importuara u rritën më tej në muajin korrik për shkak të nxitjes nga turizmi në njërën anë dhe kufizimeve nga prodhimi vendas në anën tjetër.

Sipas të dhënave të INSTAT importet në sasi të ushqimeve u rritën me 22 për qind në 7 mujor, në krahasim me të njëjtën periudhe të një viti më parë. Tendenca u forcua më tej në muajin korrik pasi në 6 -mujor rritja vjetore ishte 20 %.

Në vlerë importet e ushqimeve u rriten me 9.2 për qind si rrjedhojë e uljes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Të dhëna më të detajuara të INSTAT tregojnë se rritjen më të madhe në vlerë e kishin importet e zarzavateve dhe kafshëve të gjalla, të cilat kryesuan grupin e importeve të ushqimeve me përkatësisht 57 dhe 45.5% secila.

Në kulmin e prodhimit bujqësor vendi ynë pa një rritje të paprecedentë të importeve të zarzavateve në sasi. Hotelet shqiptare duket se kanë lidhur zinxhirin e furnizimit me importin dhe nga ana tjetër serrat dhe prodhuesit shqiptare të organizuar në ferma të mëdha prodhojnë në eksport.

Të dhënat nga tregtia e jashtme tregojnë se nuk ka një lidhje midis hallkave të prodhimit vendas dhe turizmit, përderisa sa konsumi i brendshëm po nxit importin.

Nga të gjitha grupet e importit rritjen më të madhe e kishin artikujt që kanë lidhje me turizmin. Furnitura e hoteleve, dhe e plazheve shënoi rritjen më të madhe nga të gjithë grupet e importit .

Presionet mbi rritjen e importeve po shtohen nga viti nga rënia e prodhimit bujqësor dhe sidomos sektorit të blegtorisë. Fermat e vogla të kafshëve po falimentojnë me shpejtësi nga plakja dhe pakësimi i popullsisë në zonat rurale.

Që nga fillimi i dekadës së kaluar, bujqësia ka frenuar ritmet e rritjes në mënyrë të qëndrueshme, por dy vitet e fundit sektori më i madh i ekonomisë ka hyrë në trendin e rënies.

Të dhënat zyrtare të INSTAT referuan se bujqësia shënoi rënie me 0.68% në vitin 2023, më e forta që nga viti 1997, teksa tendenca u thellua me tej në tremujorin e parë të vitit 2024 ku rënia ishte 1,7%

Tendenca rënëse e ritmeve të rritjes filloi që nga viti 2013. Në 10 vitet e fundit, bujqësia është rritur mesatarisht 1%, teksa rezultati është dobësuar tre vitet e fundit për t’u kthyer negativ më 2023.

Në buxhetin 2024, sektori i bujqësisë mori të paktën 9% më pak financime se plani i 2023. Shkurtime të mëdha ka në fondet akorduar fermerëve dhe zhvillimit rural. Masat mbështetëse të prodhimit bujqësor dhe zhvillimit rural do të jenë 7,1 miliardë lekë, nga 10 miliardë lekë këtë vit me ulje 28%, ose rreth 25 milionë euro.

Kjo ulje është një goditje e madhe, në një kohë që edhe Bashkimi i Europian ka bllokuar fondet nga skema IPARD për shkak të aferave korruptive që ka gjetur me ndarjen e fondeve në vendin tonë./B.Hoxha

Burimi: INSTAT

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.