Nga “beteja” në Lazarat te plagosjet e efektivëve, precedentët kur trafikantët e drogës kanë luftuar me Policinë!
Ngjarja e sotme e sulmit të armatosur ndaj forcave të Policisë së Shtetit gjatë operacionit antikanabis në Malësinë e Madhe, nuk është precedenti i vetëm përgjatë gati dy dekadave të fundit. Madje edhe me efektivë të plagosur në krye të detyrës dhe rrezikim të jetëve. Ngjarjet më të rënda kanë qenë ato të ndodhura në […]
Ngjarja e sotme e sulmit të armatosur ndaj forcave të Policisë së Shtetit gjatë operacionit antikanabis në Malësinë e Madhe, nuk është precedenti i vetëm përgjatë gati dy dekadave të fundit. Madje edhe me efektivë të plagosur në krye të detyrës dhe rrezikim të jetëve.
Ngjarjet më të rënda kanë qenë ato të ndodhura në Lazarat të Gjirokastrës në dy raste, 2004 dhe 2014, me protagonist të ndjerin Gate (Razip) Mahmutaj dhe në Dukagjin të Shkodrës disa muaj më pas, ku u lëshuan plumba ndaj helikopterit të Ministrisë së Mbrojtjes.
Në incidentin e parë të 2004, Mahmutaj qëlloi me mitraloz ndaj helikopterit të policisë italiane, Guardia di Finanza, që po monitoronte fshatin, por për fat të mirë pa shkaktuar të lënduar. Precedentët e tjerë janë regjistruar në Delvinë, Vlorë, Krujë, Bulqizë, Memaliaj etj.
20 Gusht 2004
Një helikopter i policisë italiane Guardia di Finanza, po kryente patrullimin mbi Lazarat, kur u sulmua me breshëri mitralozi më 20 Gusht të vitit 2004. Aksioni po kryhej për llogari të policisë shqiptare. Për fat të mirë nuk pati të lënduar, por dëme të vogla materiale. Për ngjarjen u identifikua si autor i skeduari Razip (Gate) Mahmutaj (vdekur në tetor 2021 pas një sëmundjeje të rëndë), gjithashtu një nga kultivuesit e lëndëve narkotike në fshat.
14 Qershor 2014
Policia e Shtetit nisi një operacion me shkallë të gjerë në Lazarat, duke rrethuar me të paktën 500 forca fshatin, përfshi edhe repartin e RENEA-s. Por aksionit iu përgjigjën me të shtëna armësh banorët e fshatit, derisa autoriteteve iu desh të kundërpërgjigjeshin për t’i zmbrapsur. Gjatë luftës së armatosur u plagos me plumb në dorë dhe në këmbë policin i FNSH-ve të Shkodrës, 32-vjeçari S.M. Gjithashtu u qëllua edhe ndaj një grupi gazetarësh.
Sipas autoriteteve italo-shqiptare që monitoronin atëkohë territorin shqiptar, në Lazarat mendohej se mbilleshin mbi 300 ha me kanabis sativa çdo vit dhe me një prodhim prej gati 900 tonësh, një sasi kjo që nëse shitej vlente rreth 5 mld dollarë në treg. Gjatë aksionit pati dhjetëra tonë me drogë të mbjellë apo në gjendje të tharë të asgjësuar dhe sekuestruar, mijëra armë dhe municione të kapura dhe sende të tjera të paligjshme. Gjithashtu pati edhe një numër të lartë të arrestuarish dhe të gjykuarish.
24 Qershor 2014
Operacioni antikanabis në Dukagjin pasoi atë në Lazarat, por edhe aty kultivuesit iu përgjigjën helikopterit të Ministrisë së Mbrojtjes me armë zjarri. Rezistenca e armatosur zgjati shumë pak, teksa të dyshuarit ishin banorë të njësisë së Pultit në Shkodër. Fatmirësisht, plumbat nuk kanë qëlluar në shenjë objektivin. Mijëra bimë kanabisi u sekuestruan gjatë operacionit në fshatrat Shllak, Shosh, Pult dhe Temal atëkohë, duke marrë edhe persona nën akuzë.
18 Shtator 2014
Pak muaj pas operacionit në Lazarat, ku u bë asgjësimi i plotë i lëndëve narkotike dhe pati konfrontime me armë zjarri mes banorëve dhe policisë, një tjetër incident ndodhi në malin e Sopotit, ku pati shkëmbim zjarri mes policisë së Sarandës e Delvinës, me një grup trafikantësh droge. Nga shkëmbimi i zjarrit nuk pati të lënduar, Grupi i dyshuar sipas hetimeve, bënte trafikim të drogës me mushka në rrugë malore, duke i kaluar përtej kufirit grek. Gjatë ndërhyrjes u kap edhe ngarkesa me 250 kg hashash dhe një sasi armësh. Në pranga ranë 4 të dyshuar që po e transportonin nga Lazarati për në Delvinë dhe ë tej. Ata ishin F.O., 14-vjeç nga fshati Vergo, Erion Xhuvani 20-vjeç nga Saranda, Mario Lamaj 23-vjeç nga Delvina dhe Klausi Cepe, 22-vjeç, nga fshati Kalase.
19 Qershor 2015
Një aksion i Policisë së Vlorës për kapjen e disa trafikantëve të lëndëve narkotike, përfundoi në shkëmbim zjarri dhe plagosjen lehtë në dorë të një prej efektivëve, me inicialet A.B. Ngjarja ndodhi pranë zonës së njohur si “Kuzum Baba”, teksa agjentët po prisnin që të dyshuarit të bënin shkëmbimin. Aksioni u kodua “Jeep” dhe u kryen hetime proaktive 1 mujore, si rezultat i të cilit u bë i mundur sekuestrimi i rreth 50 kg lëndë narkotike marijuanë e paketuar dhe arrestimi në flagrancë të 4 personave; Erald Metushi, 30 vjeç, Erjon Çela, 32 vjeç, Gjergji Dervishi, 23 vjeç dhe Edison Begaj, 37 vjeç. Në kërkim u shpallën edhe tre të tjerë.
20 Korrik 2016
Një efektiv i Policisë së Shtetit ka mbetur i plagosur, gjatë një operacioni për asgjësimin e kanabisit në Memaliaj, teksa po përpiqeshin të mbronin parcelat. Në pranga përfunduan pas aksionit babë e bir, ndërsa janë asgjësuar rreth 1300 bimë kanabis sativa. Të arrestuarit ishin Luan Shyti, 47 vjeç dhe djali i tij Halil Shyti, 21 vjeç. Ata u kapën në parcelat e mbjella me kanabis lagjen Llakaj. Ishte i riu që qëlloi mbi efektivët, duke plagosur punonjësin A.H., pa rrezik jete.
1 Maj 2017
Një tjetër incident i armatosur dhe sulm ndaj forcave të policisë në operacion antikanabis ndodhi edhe më 30 Prill 2017. Gjatë ndjekjes u arrestuan në kufi me Maqedoninë dy persona të dyshuar, që po transportonin 105 kg hashash drejt këtij shteti. Aksioni u krye në Viçisht të Bulqizës, teksa policia ndoqi trafikantët, të cilët nuk i kursyen as plumbat ndaj tyre. Por për fat të mirë nuk pati të lënduar. Në pranga përfunduan Ridjan Miftari, 26 vjeç, drejtues i veturës “Fiat” me të cilin transportohej lënda narkotike, dhe B. I., 17 vjeç. Dy të tjerë u arratisën, teksa lëviznin me motor dhe gjithashtu qëlluan me armë.17 Shtator 2020
Teksa uniformat blu po kryenin një operacion kundër kultivimit të bimëve narkotike në malësinë e Krujës, trafikantët e dyshuar të drogës kanë sulmuar me armë zjarri forcat e policisë, që kanë shkuar për kontrolle në zonat malore. Në ndihmë të forcave vendore u nisën edhe specialet e RENEA-s, duke vënë situatën nën kontroll. Autorët mundën të arratiseshin para se policia t’i kapte, teksa nuk pati të lënduar.
25 korrik 2024
Precedenti më i fundit ndodhi rreth një muaj më parë në Krujë. I dyshuari me iniciale A. S., i cili pasi ka parë efektivët e policisë në aksionin antikanabis, ka qëlluar me armë zjarri në ajër, për t’i larguar. Ngjarja ndodhi gjatë kontrollit në Kodër-Bubq, ku është konstatuar një parcelë me rreth 64 bimë të dyshuara narkotike kanabis. Policia ka mundur të arrestojë autorin, si dhe ka sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak, bimë të dyshuara narkotike, një shkop bejsbolli, një përforcues grushti dhe një celular./Shqiptarja.com
What's Your Reaction?