Sulmet izraelite në Gaza, humbin jetë 18 persona, 8 prej tyre fëmijë

Rreth 18 persona, përfshirë tetë fëmijë, janë vrarë të hënën dhe të martën në Rripin e Gazës si pasojë e sulmeve izraelite. Mbrojtja

Gusht 27, 2024 - 16:05
 0
Sulmet izraelite në Gaza, humbin jetë 18 persona, 8 prej tyre fëmijë

Rreth 18 persona, përfshirë tetë fëmijë, janë vrarë të hënën dhe të martën në Rripin e Gazës si pasojë e sulmeve izraelite.

Mbrojtja Civile e cila vepron nën qeverinë e drejtuar nga Hamasi, ka thënë se tre fëmijë dhe nëna e tyre u vranë në një sulm ajror të hënën vonë në lagjen Tufah të qytetit të Gazës. Sipas saj, tre persona të tjerë janë zhdukur pas sulmit, raporton AP.

Nga një tjetër sulm të hënën është goditur një ndërtesë në qendër të qytetit të Gazës, duke lënë të vdekur një fëmijë, tri gra dhe një burrë, sipas ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Në Gazën jugore, një sulm në një shtëpi herët të martën la të vdekur pesë persona, duke përfshirë një burrë, tre fëmijët e tij më të vegjël se 3 vjeç dhe një grua, sipas një liste të viktimave të ofruara nga spitali “Nasser” në Khan Younis, ku u morën trupat.

Një tjetër sulm ajror herët të martën rrafshoi një shtëpi në perëndim të Khan Younis, duke vrarë të paktën katër persona, përfshirë një fëmijë, sipas spitalit “Nasser”, ku u dërguan të vdekurit.

Zyrtarët palestinezë shëndetësorë nuk bënë të ditur nëse të vrarët në sulmet izraelite janë civilë apo luftëtarë.

Izraeli thotë se përpiqet të shmangë dëmtimin e civilëve dhe akuzon Hamasin se i vë ata në rrezik duke luftuar në zonat e banuara.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës ka bërë të ditur se ofensiva e Izraelit ka vrarë mbi 40,000 njerëz në Gaza.

 

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.