Terrorist dhe viktimë njëherësh!

Nga Denis Dyrnjaja Sara Hoxha një personazh i show biz-it ishte “viktima” e radhës, por sigurisht jo e fundit e marrëzisë së rrjeteve sociale, kur spekulimi bëhet fakt e fakti i pafaktuar bëhet lajm, lajmi i palajm bëhet viral, e pasi merr superxhiro, askush nuk të thotë më fal. Sara Hoxha puthet me një djalë […]

Gusht 27, 2024 - 16:10
 0
Terrorist dhe viktimë njëherësh!

Nga Denis Dyrnjaja

Sara Hoxha një personazh i show biz-it ishte “viktima” e radhës, por sigurisht jo e fundit e marrëzisë së rrjeteve sociale, kur spekulimi bëhet fakt e fakti i pafaktuar bëhet lajm, lajmi i palajm bëhet viral, e pasi merr superxhiro, askush nuk të thotë më fal. Sara Hoxha puthet me një djalë të panjohur. Ledri histori e shkuar. Ky ishte pak a shumë titulli që qarkoi në mënyrë virus Ale nëpër portale. Pak pas përhapjes së videos, Sarës iu desh të përgënjeshtrojë lajmin. Ajo dhe reperi kosovar Ledri Vulaj janë prindër të një fëmije nga një bashkëjetesë në çift. Në fakt nuk jam i interesuar për jetën private të tyre dhe përgjithësisht të të tjerëve por mora shkas nga ky lajm spekulativ për të sjellë në vëmendje një fenomen që po rëndohet gjithnjë e më shumë sikurse është keqinformimi i publikut në mënyrë të papërgjegjshme dhe jo profesionale.

Në vijim të historisë nga e cila mora këtë shtysë, iu kërkoj Sarës dhe Ledrit ndjesë që po përdor pikërisht rastin e marrëdhënies së tyre, për të sensibilizuar opinionin publik në tërësi. Përtej kësaj që ka ndodhur me këtë lajm të rremë i cili nuk është i pari për ta, dëshiroj dhe uroj gjithashtu që gjithçka kanë në raportet personale, ta zgjidhin sipas vullnetit të tyre. Duke patur në konsideratë se marrëdhenia e cila është në kushte delikate dhe mund të jetë në një çast kritik për vazhdimësinë e saj ose jo, del ky thashethem i cili në fakt mund të shkatërrojë çdo shpresë për vazhdimësinë e kësaj lidhjeje. Pra hipotetikisht ky thashethem sapo ka shkatërruar ekzistencën e një çifti me një fëmijë mes tyre.

Praktikisht ata mund t’i kenë dhënë fund lidhjes me vullnet të lirë, ose mund t’i japin kur ata mendojnë se duhet ose mund të vazhdojnë sa ata gjykojnë dhe dëshirojnë. Por këtë duhet ta vendosin ata e vetëm ata dhe askush tjetër se ka këtë tagër, për më tepër duke menduar se janë bërë objekt i një keqinformimi, vetëm për të mbushur interesin e një mase vegjetative njerëzish, që masturbojnë mendërisht edhe kur lexojnë spekulime të një niveli shumë vulgar. Tani duke iu referuar këtij rasti, ti që shkruan dhe publikon këtë informacion të pavërtetë, a e kupton që po ndikon në një marrëdhënie shumë private me ngjarje të sajuara, pra praktikisht mund të shkatërrosh jetën e një gruaje apo qetësinë e një burri, jetën e një fëmije pa faj në çdo lloj rrethanë në këtë rast?!

Po ju të tjerët që e botuat në seri pa konfirmuar asgjë, sipas variantit nuk jam unë i pari, nuk jam mëketari, a jeni ndopak të ndërgjegjshëm se po shkatërroni jetë njerëzish, familje, karriera, biznese, po shkatërroni një shoqëri të tërë, duke prodhuar ngjarje të paqena në formë skandalesh, për të mbushur çdo ditë, pa ndalim faqet online të frengjive dixhitale ku “ekzekutohen” papërgjegjshmërisht, paturpësisht dhe për më tepër pashpirtërisht fatet e njerëzve në punë e hall të vet.

Po mirë mor “terrorist” të drejtohem në njëjës dhe pse në fakt jeni shumë e duhet me iu drejtu në shumës, po sikur të mendosh para se ta shkruash dhe me ty tjetrin a tjetrën që e bën ripost e kam këtë pyetje retorike, se ajo/ai që po “vret” sot do ishte vajza ose motra jote, biri ose vëllai yt, ndoshta diku në një rast tjetër babai ose nëna jote, të afërm të tutë, do ta bëje kaq kollaj dhe me kaq lehtësi deri në papërgjegjshmëri këtë lajm spekulativ?! Sigurisht që nuk do e bëje. Madje nëse do ta bënin kolegët e tu dhe nga ata “terroristët” që ti si njeh ndoshta, do bëheshe, zjarr, erë, rrufe a vetëtimë, vetëm që t’i gjejë një kontakt e ta hiqnin sa më parë gënjeshtrën, trillimin, rrenën, mashtrimin apo spekulimin. Do mundoheshe të shpjegoje situatën, t’iu thoje që nuk është ashtu si është publikuar, gati do iu përgjeroheshe të të besonin. Se ti po iu thua te vërtetën se e ke dhe njeriun tënd. Do ju thoje me insistim se është gjynah se po e marrin kot më qafë atë viktimën e radhës që këtë herë qëlloi njeriu yt o terrorist. Dhe e di çfarë?! Përgjigjja që do merrje është edhe më vrasëse se vetë lajmi i rremë. Është një përgjigje e tipit: e më se të gjithë kështu thonë…ose edhe po e hoqa unë e kanë të tjerët, ose do e nxjerrin dhe të tjerët…ose unë ta heq, por e kanë nxjerrë aq shumë të tjerë sa nuk ja vlen ta heq… Dhe këtu pikërisht në këtë moment bashkohet fati i “terroristit” me viktimën. Sepse ti që deri dje ishe vetë “ekzekutori”, sot je viktima ose në krahun e viktimës.

Kemi arritur pikërisht në këtë nivel ku dhe vetë terroristët bien viktima, por dorëzohen ose heshtin para pafuqisë së këtij standardi skandaloz që është konsoliduar dhe të gjithë kush më pak e kush më shumë, kanë kontribuar në këtë inkuizicion publik. Ndaj zgjidhja e kësaj çmendurie nis te tastiera jote e kompjuterit apo telefonit o terrorist/e. Para se t’i japësh copy, paste/save atij materiali që e more nga një tip si puna jote, mendoje edhe një herë pasojën. Bëhu fillimisht njeri pastaj punonjës a zbatues.

Në këtë profesion që quhet gazetari, ka një parim të vetëm: konfirmo e publiko! Gjithçka tjetër përtej këtij parimi është trillim, persekutim, shkatërrim. Mos u bëj pjesë e “skuadrave vrasëse” të jetës dhe karrierave të njerëzve pa fakte dhe pa i provuar ato. Edhe nëse e ke bërë deri sot këtë mëkat profesional je ende në kohë të ndalësh qoftë edhe një dëm të vetëm të radhës. Ndalo!

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.