Beogradi vijon të fshehë krimet. Kurti: Përgatitje për gërmime në Kozhle të Serbisë

Strategjia e Serbisë për të fshehur krimet e kryera po zbatohet edhe sot nga trashëgimtarët politikë të Millosheviçit. Kështu u shpreh kryeministri Albin Kurti, gjatë tryezës së organizuar për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Sipas tij, Serbia ka kryer qindra masakra dhe mijëra zhdukje me dhunë të shqiptarëve, nën strategjinë, “nuk ka kufomë, […]

Gusht 29, 2024 - 15:15
 0
Beogradi vijon të fshehë krimet. Kurti: Përgatitje për gërmime në Kozhle të Serbisë

Strategjia e Serbisë për të fshehur krimet e kryera po zbatohet edhe sot nga trashëgimtarët politikë të Millosheviçit. Kështu u shpreh kryeministri Albin Kurti, gjatë tryezës së organizuar për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Sipas tij, Serbia ka kryer qindra masakra dhe mijëra zhdukje me dhunë të shqiptarëve, nën strategjinë, “nuk ka kufomë, nuk ka krim”. Shefi i ekzekutivit njoftoi se kanë filluar përgatitjet për gërmime në Kozhle të Serbisë, në kërkim të të zhdukurve.

“Këtë javë, pas shumë përpjekjeve dhe angazhimeve nga Komisioni ynë Qeveritar, kanë filluar përgatitjet për gërmimet në lokacionin Kozhle, mes Novi Pazarit dhe Tutinit në Serbi e shpresojmë që kjo nuk është një përpjekje e re nga shteti serb për të evituar nga agjenda e gërmimeve, lokacionet e tjera të shënjuara nëpër Serbi”, tha kryeministri, raporton televizioni A2.

Kurti tha se kishin dërguar disa herë kërkesa për hapjen e arkivave në Serbi dhe se qeveria ka prioritet ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve. “Në bazë të marrëveshjes së arritur më 2 maj të vitit 2023 në Bruksel, tashmë kemi dërguar disa kërkesa zyrtare për hapjen e arkivës së Brigadës 37 të motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë, sidomos në rajonin e Drenicës. Sot, sikurse çdo ditë si Qeveri e Republikës së Kosovës ritheksojmë zotimin tonë për të mos reshtur së kërkuari drejtësi për krimet e luftës dhe të vërtetën për 1595 personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit”, shtoi Kurti.

Shefi i ekzekutivit theksoi se nevojitet mobilizim kombëtar e mbështetja e ndërkombëtarëve që kriminelët të mbahen përgjegjës. Sipas tij, tashmë janë verifikuar 13 lokacione brenda territorit të Kosovës përmes gërmimit vlerësues.

/a.r

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.