Shqiptarët “lëshojnë dorën”, shpenzojnë më shumë se 660 miliardë lekë në shtatë muaj

Nëse pranojmë që për çdo blerje dhe shërbim të bërë gjatë shtatë muajve të këtij viti kemi marrë kupon fiskal, do të thotë se kemi konsumuar më shumë se 660 miliardë lekë, duke paguar si tatim mbi vlerën e shtuar plot 137 miliardë. Kjo është shifra që raporton Ministria e Financave në tabelën e treguesve […]

Gusht 29, 2024 - 18:35
 0
Shqiptarët “lëshojnë dorën”, shpenzojnë më shumë se 660 miliardë lekë në shtatë muaj

Nëse pranojmë që për çdo blerje dhe shërbim të bërë gjatë shtatë muajve të këtij viti kemi marrë kupon fiskal, do të thotë se kemi konsumuar më shumë se 660 miliardë lekë, duke paguar si tatim mbi vlerën e shtuar plot 137 miliardë.

Kjo është shifra që raporton Ministria e Financave në tabelën e treguesve fiskale të konsoliduar për periudhën janar–korrik 2024.

Tatimi i paguar në 7 muaj është rritur me 128 milionë euro, që do të thotë se kjo e ardhur është 20 për qind e konsumit të shqiptarëve dhe turistët gjatë kësaj periudhe.

Gjithnjë duke supozuar se nuk ka pasur evazion fiskal, pra se për çdo produkt dhe shërbim është prerë fatura fiskale, duhet pranuar se buxheti i shtetit po mbledh më shumë të ardhura nga kjo taksë, që quhet ndryshe edhe taksë fundore dhe paguhet nga konsumatorët dhe tregon nivelin e konsumit, të produkteve dhe shërbimeve.

Sigurisht që shuma prej 660 milionë Eurosh për 7 muaj, që rezulton nga pagimi i TVSH-së nuk mund të jetë kaq, por shumë më tepër, po të pranosh që në shumë njësi të shitjes dhe të shërbimit nuk pritet as fare kupon fiskal dhe as raportohen realisht të ardhurat nga konsumi.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se të ardhurat bruto nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në 7-mujor janë me një rritje prej 17 miliardë lekësh në raport me një vit më parë.

Vetëm nga importet për 7 muaj Autoriteti i Shërbimit Doganor ka mbledhur atë që quhet TVSH në import rreth 90 miliardë lekë, duke shënuar rritje në raport me një vit më parë, pavarësisht efektit të kursit të këmbimit që favorizon lekun.

Rritje kanë të ardhurat nga TVSH së arkëtuar (neto) brenda vendit, që janë 6.3 miliardë lekë më shumë se 7-mujori 2023.

Rritja për këtë taksë është progresive dhe të dhënat zyrtare të 2024-ës shënojnë rekord në të hyrat nga TVSH dhe thuajse dyfishim në raport me vitin 2020.

Shifrat e mësipërme janë ndikuar nga rritja e numrit të turistëve në vendin tonë, çmime që janë shfaqur të normalizuara, gjë që e tregon edhe inflacioni bazë apo edhe treguesi i harmonizuar i çmimeve të konsumit i kësaj periudhe.

Këta faktorë kanë rritur kërkesën dhe konsumin, ndihmuar edhe nga rritja e pagave në administratë, e ndjekur edhe nga sektori privat.

Të dhënat zyrtare nuk justifikojnë zërat e biznesit për shqiptarë dhe turistë të huaj që nuk konsumojnë në Shqipëri apo edhe për të ashtuquajturit “turistë me çanta shpine?!

Shifrat e lëvizjes së shtetasve për muajin Korrik të këtij viti flasin për rreth 1,8 milionë shtetas të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar.

Ndërsa numri i të huajve të regjistruar përgjatë shtatë muajve llogaritet në afërsisht 6,3 milionë.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.