“Portat e Ferrit”, aksidenti industrial që u shndërrua në një atraksion të madh turistik

Rrallëherë një aksident industrial shndërrohet në një atraksion të madh turistik. Por kur një ekip eksplorues sovjetik ishte në kërkim të gazit natyror në Turkmenistan më shumë se 50 vjet më parë, ata thuhet se kanë shkaktuar një reaksion zinxhir që krijoi Kraterin e Gazit Darvaza, që sot është vendi më i vizituar nga turistët […]

Gusht 30, 2024 - 12:45
 0
“Portat e Ferrit”, aksidenti industrial që u shndërrua në një atraksion të madh turistik

Rrallëherë një aksident industrial shndërrohet në një atraksion të madh turistik. Por kur një ekip eksplorues sovjetik ishte në kërkim të gazit natyror në Turkmenistan më shumë se 50 vjet më parë, ata thuhet se kanë shkaktuar një reaksion zinxhir që krijoi Kraterin e Gazit Darvaza, që sot është vendi më i vizituar nga turistët në Turkmenistan.

Cilësuar gjithashtu “Portat e Ferrit”, fenomeni shkaktohet nga lënda djegëse e metanit që del nga dyshemeja dhe muret e kraterit. I rrethuar nga dunat dhe shkëmbinjtë në një pjesë të largët të shkretëtirës së Karakumit, krateri është ndalesa kryesore për mijëra turistë nga e mbarë bota. Në fillim, kur vizitorët nisën të dynden për në Darvaza, nuk kishte shërbime apo komoditete dhe atyre iu duhej të sillnin gjithçka që iu nevojitej për të qëndruar gjatë natës, ndërsa sot janë ngritur 3 kampe të mëdha.

Krateri është afërsisht 70 metra i gjerë dhe 30 metra i thellë dhe një gardh sigurie u shtua në vitin 2018 për t’i mbajtur vizitorët të mos shkonin shumë afër gropës së ndezur. Megjithatë, krateri mund të mos jetë për shumë gjatë, të paktën jo në formën e tij të zjarrtë. Në disa raste, qeveria e Turkmenistanit ka vlerësuar mundësinë e mbylljes disi të kraterit. Ndërkohë, ata që prej vitesh e vizitojnë Darvazën thonë se flakët janë shumë më të vogla se dikur dhe mendohet se kjo ka ndodhur për shkak se xhepi i gazit mund të jetë konsumuar.

Askush nuk është plotësisht i sigurt se kur u hap krateri i gazit, me sa duket sepse raportet e epokës sovjetike mungojnë, janë të paplota ose ende konfidenciale. Teoria më e përhapur është se krateri u formua në vitin 1971 dhe u ndez në zjarr menjëherë pas kësaj. Të tjerë thonë se u formua në vitet 1960, por nuk u ndez deri në vitet 1980. Si u ndez gazi për herë të parë është po ashtu një tjetër mister. Disa thonë se ishte një granatë dore, disa thonë se sovjetikët hodhën një shkrepëse brenda, ndërsa të tjerë thonë se banorët e një fshati aty pranë i vunë flakën sepse nuk donin që aroma të shkatërronte jetën apo gazi helmues të bëhej i dëmshëm për shëndetin e tyre.

Prej vitesh, flitet se qeveria e Turkmenistanit do ta shndërrojë Darvazën në një vend të prodhimit të gazit natyror duke shuar flakët. Në vitin 2022, u raportua se presidenti i kishte kërkuar kabinetit të tij që të konsultohej me shkencëtarët për të gjetur një mënyrë për të shuar flakët dhe për të mbyllur vendin për turizmin. Ndër arsyet e përmendura për mbylljen e kraterit ishin humbja e një burimi të vlefshëm natyror, dëmtimi mjedisor dhe shqetësimet shëndetësore.

Për momentin, asnjë ndryshim nuk ka ndodhur dhe krateri i gazit Darvaza vazhdon të mahnisë vizitorët që bëjnë udhëtimin e gjatë dhe të mundimshëm nëpër shkretëtirën e Karakumit për të parë mrekullinë e rastësishme natyrore të Turkmenistanit.

/a.r

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.