“Dilema strategjike” dhe tregtari i sukseshëm Macron

Nga Bajram Peçi Ndodhi që të premtosh se do ndihmosh Ukrainën nga agresori rus, por nuk e plotësove dot premtimin e dhënë për një varg faktorësh. Ajo që dihet mirë, është gjithmonë, në vullnetin e premtuesit mundësia për të mos e dhënë ndihmën. Termin “Dilema strategjike” e përmendi në Forumin për Sigurinë në Pragë Ministri […]

Gusht 31, 2024 - 20:40
 0
“Dilema strategjike” dhe tregtari i sukseshëm Macron

Nga Bajram Peçi

Ndodhi që të premtosh se do ndihmosh Ukrainën nga agresori rus, por nuk e plotësove dot premtimin e dhënë për një varg faktorësh. Ajo që dihet mirë, është gjithmonë, në vullnetin e premtuesit mundësia për të mos e dhënë ndihmën. Termin “Dilema strategjike” e përmendi në Forumin për Sigurinë në Pragë Ministri i Jashtëm i Çekisë. Një gjetje brilante, më e goditura për të shpjeguar rrethanat (në mos qorrollepsjen), ndërkohë që në emër të qeverisë së tij pranon në Forum se “…Ukraina ka të drejtën që buron nga Karta e OKB-së, të mbrojë veten nga agresori rus”. Shumë i qartë në qendrim! Nga ana e tij, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shkoi më tej kur vuri në dyshim kufizimin që u bëhet në përdorim armëve të dhëna si ndihmë (!?).

Ndërsa Forumi zhvillohej, presidenti Macron i premtoi Serbisë nga Beogradi miqësi e besnikëri, kjo pasi u firmos një shitje mbi një miliard eurosh avionësh luftarakë “Rafale”. Ndërsa Forumi në Pragë dihet se nuk do të nxjerri dot ndonjë përfundim nëse Ukraina, me ndihmën e Europës do e detyroj Rusinë të ulet në një plan paqeje apo Rusia do t’i vërë para si delet, nga Kroacia blerja e shtrenjtë serbe konsiderohet e kotë se nuk do ketë luftë!? Por ne shqiptarët e dimë mirë se armatosja e Serbisë ka më pak lidhje me fqinjin kroat dhe shumë domethënje për të ashtuquajturën ”Bota serbe”, duke filluar një luftë me shqiptarët dhe boshnjakët. Se kur do fillojë kjo, varet nga fronti ruso-ukrainas! Terroristët e Banjskës, nxitur nga pushteti qendror serb, për të cilët u shpall ditë zie kombëtare, ishte një stërvitje përgatitore për kohërat që mendojnë se do vijnë, ata përgatiten për këtë!

Furnizmi kundrejt pagesës i Serbisë me armatim modern prej shtetit francez, na ndërmend atë shprehjen e lashtë, “Secili për vete, Zoti për të gjithë!”. Serbia, Rusia e Vogël e Ballkanit, blerjet i paraqet si siguri për mbrojtjen, por ajo dihet se nuk kërcënohet nga askush. Edhe lëvizjet pothuaj fëminore të Albin Kurtit për kontrollin e territorit, në kushtet kur miqtë e saj i thonë, pak a shumë, “Mos, se nuk ja kemi ngenë tani përhapjes së një konflikti tjetër”, Vuçiç di t’i përdorë në favor të tij, aq sa dhe Macron iku i bindur se serbët në Kosovë janë të persekutuar nga shqiptarët (!?).

Të ishte vetëm Serbia shteti ballkanik që e ka grurë me Rusinë, …eh, do e pranonim, por nuk është kështu! Rusia ka partitë e saj në pushtet në Maqedoni dhe Mal të Zi, të cilat kur të dojë i kurdis për konfliktet që asaj i interesojnë. Shihni dhe ndiqni në ditët që do vijnë përmasat e një konflikti mes maqedonasve në pushtet dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në rrethanat kur Gjykata kushtetuese e saj po orvatet për shfuqizimin e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare!?

Vrasjen nga VMRO e marrëveshjes së Ohrit, që diktuan ndërkombëtarët në shmangje të një lufte, ndokush mund ta quaj për momentin aventurë, por që shpejt mund të shndërrohet në prishje të paqes, të harmonisë së bashkëjetesës, në mos në një luftë! Edhe Putin, kështu, si aventurë argëtimi e nisi pushtimin e Ukrainës, por tani po këcënojnë njerëzimin me përdorimin e armëve berthamore.

Ky është njerëzimi kur bie në duar aventurierësh, nacionalistësh të sëmurë! Karl Grimberg, autori i “Historia botërore dhe qytetërimi”, jep plot shembuj të çmendurish që kanë drejtuar perandori. Bota sot ka shumë sundimtarë nga të cilët Europa, bota demokratike europiane, do të duhet të gjejë zgjidhjen se si duhet të mbrohet? Egoisti më i keq- ka shkruar dikur Zh. la Bryjer- do ishte gati ta blinte vdekjen e tij me shfarosjen e gjithë njerëzimit.

 

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.