Lajçak viziton Serbinë më 10 shtator

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të qëndrojë në Beograd më 10 shtator. Lajçak do të

Shtator 9, 2024 - 18:00
 0
Lajçak viziton Serbinë më 10 shtator

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të qëndrojë në Beograd më 10 shtator. Lajçak do të zhvillojë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi Presidenca serbe.

Diplomati slloven shkroi më 8 shtator në Facebook se do ta vizitojë Beogradin për të përgatitur takimin e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Për të njëjtin qëllim, javën e kaluar Lajçak vizitoi Kosovën. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Lajçak deklaroi se është arritur pajtim për rundin e ri të dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq. Megjithatë, emisari evropian nuk tregoi se kur do të mbahet ky takim.

Gjatë adresimit për media në Prishtinë, pas takimit me Bislimin, Lajçak po ashtu tha se Serbia ka tërhequr letrën që kishte dërguar në Bruksel vitin e kaluar, përmes së cilës kishte shprehur rezerva lidhur me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit për zbatimin e saj.

Kryeminisitrja e atëhershme e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhjetorin e vitit të kaluar i dërgoi BE-së një letër, përmes së cilës tha se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut./rel

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.