Covid, viroza dhe baktere/ Pneumologu: Verë e ngarkuar me raste, duhet kujdes edhe për moshat e reja
Ka kaluar më shumë se 1 vit prej momenti kur kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom në deklaratën e tij për mediat tha se Covid-19 më nuk është emergjencë globale shëndetësore, por kjo nuk do të thotë se sëmundja është zhdukur. Në Shqipëri deri më tani situata është dukur nën kontroll, edhe pse qarkullimi i virozave […]
Ka kaluar më shumë se 1 vit prej momenti kur kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom në deklaratën e tij për mediat tha se Covid-19 më nuk është emergjencë globale shëndetësore, por kjo nuk do të thotë se sëmundja është zhdukur. Në Shqipëri deri më tani situata është dukur nën kontroll, edhe pse qarkullimi i virozave e Covid-it ka qenë prezent.
Por për pneumologun Ardian Jorgji, të ftuarin e programit “Rudina” në Tv Klan, ka qenë një verë shumë e ngarkuar krahasuar me të mëparshmet. Intensiteti i saj është ndikuar nga Covid, virozat dhe bakteret që qarkullojnë të cilat kanë sjellë shumë raste në pavijonet e spitaleve.
Ardian Jorgji: Kjo verë, ka qenë ndryshe nga sezonet e mëparshme. Unë për vete në të përditshmen time e kam kaluar si të ishte dimër, kjo nga rastet e shumta.
Rudina Magjistari: Për ta kuptuar më mirë: ju keni punuar me të njëjtin intensitet që punoni gjatë stinës së dimrit në verë, pra ka pasur raste të shumta, njësoj si në stinën e dimrit.
Ardian Jorgji: Për herë të parë kjo.
Rudina Magjistari: Për herë të parë do të thotë pas momentit që Covid nuk u konsiderua më problematik apo jo? Para një viti është bërë kjo deklaratë, që nuk është më emergjencë globale.
Ardian Jorgji: Korrekt, por edhe përpara Covid. Kjo ka qenë një verë shumë e ngarkuar dhe unë do të thosha që nuk duhen neglizhuar as virozat apo shkaktarët e tjerë patogjenë. Ka pasur një ngarkesë të madhe nga shumë faktorë, jo vetëm Covid dhe me të vërtetë raste të rënda, qoftë nga viruese të tjerë apo mikrobe, plus Covid. Me të vërtetë ka qenë një verë goxha e ngarkuar.
Mjeku bëri thirrje për të treguar kujdes sepse ka hasur raste të shumta delikate edhe te moshat e reja.
Ardian Jorgji: Kam parë plot raste edhe në mosha të reja dhe raste të rënda. Jo më larg se dy ditët e fundit, kam mjekuar pacientë 20, 23, 25 vjeç dhe jo me gjëra të thjeshta kështu që do shumë kujdes.
Rudina Magjistari: Kur themi me gjëra jo të thjeshta?
Ardian Jorgji: Me pneumoni të rëndë. Madje edhe të mjekuar në spital kështu që do shumë kujdes, nuk do neglizhencë. Covid-i dhe faktorët e tjerë patogjenë ngaqë janë të përditshëm, njerëzit paksa janë lodhur, nuk i vënë rëndësinë e duhur. Nuk është kështu. Tabloja klinike ka ndryshuar, ka raste me ecuri të zhurmshme dhe kjo e bën edhe më vigjilent personin që e vuan, por ka edhe raste pa zhurmë, me simptoma fare të thjeshta që kanë dëme të konsiderueshme në mushkëri./
What's Your Reaction?