Kur Gerti u kthye

Nga Valmira Gogo Të shkolluar në universitetet më të mira të botës, të mbushur me koncepte të një shoqërie të hapur, madje edhe të veshur me petkun e një kulture më të përparuar, prapëseprapë ata vazhdojnë të mbeten të paguximshëm. Vendosmëria e intelektualëve që ndodhen jashtë vendit e që nuk duan të kthehen shoqërohet me […]

Shtator 18, 2024 - 19:30
 0
Kur Gerti u kthye

Nga Valmira Gogo

Të shkolluar në universitetet më të mira të botës, të mbushur me koncepte të një shoqërie të hapur, madje edhe të veshur me petkun e një kulture më të përparuar, prapëseprapë ata vazhdojnë të mbeten të paguximshëm. Vendosmëria e intelektualëve që ndodhen jashtë vendit e që nuk duan të kthehen shoqërohet me ankthin atyre që janë në udhëkryq e aq më shumë me dyshimin e atyre që vendosën të presin një biletë kthimi.

Modeli i intelektualëve që u kthyen në Shqipëri si Edit Harxhi, Lulzim Basha, Myqerem Tafaj, Dritan Prifti e shumë e shumë të tjerë, duket se është model një që mbart pikëpyetje të mëdha për intelektualë që ende ndodhen jashtë. Për të mos harruar se ka edhe nga ata intelektualë si Ismail Kadare apo Artan Fuga që kanë zgjedhur të “mesmen e artë”, atë të lëvizjes së shpeshtë mes Shqipërisë e Francës. Në kohën kur nga Shqipëria mund të lëvizësh lirshëm për të studiuar në vendet e tjera, në kohën kur vetë Shqipëria po nxjerr një brez intelektualësh, a do të mundet që intelektuali i vërtetë të marrë vendin që i takon duke i bërë një shërbim vetes së tij dhe atdheut?!

MË TË RINJTË

Të diplomuarit e viteve të fundit në universitete duket se janë edhe më afër kufirit që ndan dy zgjedhje të ndryshme. E kanë të lehtë të kthehen po aq sa edhe e kanë të vështirë. Edlira Çepani që ka lindur në Meksikë, ka përfunduar shkollën fillore në Kubë dhe është diplomuar për juridik në Itali ka zgjedhur të kthehet. “Diploma ende nuk më është konvertuar”, – thotë Edlira, e cila e flet gjuhën shqipe në atë mënyrë sa nuk ndihet fare që ka jetuar jashtë. Të njëjtin problem me zgjatjen e procedurave të njohjes së diplomës ka patur edhe Ratela Asllani, e cila ka mëse një vit e gjysmë që është kthyer. “Kam mbetur e zhgënjyer dhe studentëve të tjerë nuk do t’u këshilloja aspak që të ktheheshin.”– thekson Ratela, e cila edhe pse ka mbaruar shkollën e lartë dhe masterin në Universitetin e Mesdheut Lindor në Qipro për marrëdhënie ndërkombëtare nuk ka arritur të sigurojë dot një punë në Ministrinë e Jashtme.

“Kam aplikuar katër herë në Ministrinë e Jashtme, por specialistët atje nuk na kanë kthyer asnjë përgjigje”, thotë më tej Ratela. Kurse Genta Banushi që është diplomuar në Suedi ende nuk ndjehet e zhgënjyer edhe pse mezi pret të gjejë një punë. “Jam në kërkim të një pune por ende se kam gjetur, megjithëse mund të them se fatmirësisht deri më tani nuk i kam humbur shpresat”, – sqaron e diplomuara për shkenca politike.

Ndërkohë që më të kënaqur duket se janë Dorian Duçka dhe Gert Bogdani. Ata kanë arritur që të nisin në Shqipëri punët që kanë dashur. “Kthimin në Shqipëri do ta konsideroja sfidë, por me mundësi të shumta”, shprehet Dorian Duçka, i cili punon tashmë në Departamentin e Marrëdhënieve me jashtë tek Lëvizja Socialiste për Integrim. Megjithatë Doriani nuk e mohon edhe faktin se i ka bërë shërbim të madh krijimit të një mundësie të tillë.

“Që kur studioja në Qipro kam mbajtur lidhje me Shqipërinë, madje edhe me figurat kryesore politike”, përfundon Doriani. Ndërsa Gert Bogdani, këshilltar i ministrit Basha dhe zëdhënës për shtyp shprehet se ndjehet mirë në punën që ka edhe pse është pozicionuar politikisht. “Nuk e besoj se politizimi im do të ndikojë për të ardhmen, nuk e besoj sepse Shqipëria do të shkojë drejt tolerancës politike”, – thekson Bogdani që mbaroi me medalje të artë shkencat kompjuterike në SHBA. Nga ana tjetër të sapokthyerit shprehen se e rëndësishme për studentët që duan të kthehen është që të mbajnë lidhje me Shqipërinë dhe me njëri-tjetrin. “Për kthimin e trurit mund të shërbejnë stimujt ekonomikë dhe lehtësimi i procedurave për njohjen e diplomave”, thekson këshilltari i Bashës, Gert Bogdani.

INTELEKTUALËT QË U KTHYEN

Ka edhe nga ata që u kthyen duke ndërprerë kontratat apo duke refuzuar ftesat e të huajve për punësim. E dinin fort mirë se në Shqipëri asgjë nuk ishte e lehtë, përveç gjuhës që nuk kishin harruar të flisnin. Dritan Prifti, deputet dhe nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka vite që është kthyer nga Universiteti i Harvardit në SHBA. “Në klasë kisha senator, kongresmenë, ish-ministra e figura nga më të shquarat nga e gjithë bota.

Aty ishte një frymë tjetër. Të gjithë kishin ardhur të mësonin diçka për t’u rikthyer në vendet e tyre dhe kontribuar më tej për këto vende.”– tregon deputeti Prifti për kohën e kryerjes së masterit për qeverisje. Por ftesa që iu bë Priftit për t’u angazhuar në politikë duket se ishte vendimtare për ta shkëputur atë nga oferta 6-mijë dollarëshe në muaj e Bankës Botërore, edhe pse me gjithë familjen qëndronte në SHBA. “Në muajin e fundit të shkollës në Harvard erdhi Ilir Meta, atëherë kryeministër. Ai më ftoi të kthehesha përsëri në Shqipëri dhe të punoja në stafin e tij.”– rrëfen Prifti sinjalin e parë që e çoi drejt një zgjedhjeje të tillë. Ish- studenti i Harvardit në fillim ka qenë shef kabineti i kryeministrit Meta, pastaj drejtor i KESH-it, deputet, ministër dhe sërish deputet e nënkryetar i LSI-së. Nga ana tjetër ai thotë se edhe pse të gjithë miqtë dhe të afërmit ishin kundër idesë së kthimit zgjodhi t’i sfidonte.

“Unë jam kthyer në Shqipëri pavarësisht se prindërit, familja, miqtë e shokët më këshillonin për të kundërtën. Kam ndjerë një detyrim të brendshëm se ata që mundin duhet kontribojnë për vendin e tyre, sidomos kur vendi ka nevojë aq shumë.”– thotë më tej Prifti. Kurse për Myqerem Tafajn, këshilltarin e kryeministrit Berisha për arsimin dhe shkencën, kthimi qe i papritur edhe pse kurrë nuk i kishte shkuar në mend se mund të jetonte përgjithnjë larg Shqipërisë. “Kthimi im ishte i papritur pasi ishte kryeministri Berisha që më bëri një ftesë për bashkëpunuar me të dhe stafin e tij”, thotë për “Gazetën e së shtunës”, këshilltari që mbaroi doktoraturën në Gjermani, në “Universitetin Stuttgart-Hohenheim”.

Tafaj vendosi të shkëpuste kontratën me universitetin ku punonte në shtator të vitit 2005. “Unë vija së paku dy herë në vit në Shqipëri dhe vazhdoja të bashkëpunoja me Universitetin Bujqësor të Tiranës ku kisha dhënë mësim para se të shkoja në Gjermani. Kam qenë shumë i lidhur me vendin nëpërmjet shtypit dhe internetit. Për mua nuk ishte një realitet i papritur, absolutisht jo.”, thekson Tafaj kur e pyet se sa të vështirë e kishte përshtatjen pas kthimit. Tafaj, i pyetur në lidhje me projektet që ka arritur të realizojë thotë se është i kënaqur.

“Dëshirat janë të ndryshme nga mundësitë që të ofrohen. Asnjëherë nuk mund të ketë përputhje. Unë jam i kënaqur që mund të bëj diçka, që mund të ndihmoj për zhvillimet në Shqipëri për aq sa mund të ndihmojë një individ sepse objektivat janë shumë të mëdha dhe projektet kërkojnë kohë”, – thotë ai, duke përmendur sukseset në maturën shtetërore, reformën në kërkimin shkencor si dhe masterplanin e projektligjin për arsimin e lartë. Ndërsa deputeti Prifti duket se ka patur edhe vështirësi në arritjen e gjithçkaje që ka dashur. “Kam qenë njeri me fat. Ka pasur dhe vështirësi, por kur je i ri, kur je optimist dhe kur je energjik të gjitha kalohen.”– thotë Prifti. Ndërsa Emesta Redhi që ka punuar për një vit me këshilltarin e Tony Blair-it për shkencat, është kthyer në Shqipëri për të marrë përvojë dhe për të dhënë kontributin e saj në Këshillin e Ministrave. Pasi ka mbaruar masterin në Imperial College- University of London, ajo ka vendosur të punojë për një kohë të shkurtër e më pas do të rikthehet në Angli për të kryer doktoraturën, në “Cambridge University”.

Ndërsa këshilltarja diplomatike e kryeministrit Berisha, Rozeta Shembilku e ardhur pas një projekti në Kosovë për ngritjen e kapaciteteve institucionale vendosi të kthehej pasi siç thotë edhe vetë “kjo ishte si një thirrje e fuqishme që të zgjon të vlerësosh momentin dhe të provosh veten”. Pas masterit në të drejtë ndërkombëtare dhe diplomaci në Boston, Shembilku vazhdoi masterin për studime europiane në Universitetin Graz-it, Austri. “U gëzova shumë që po krijohej një hapësirë cilësisht e re për kontribute politike-profesionale të një brezi të rinjsh që kishin fituar eksperienca akademike dhe profesionale brenda dhe jashtë Shqipërisë. Gjithmonë kam dalluar dhe besuar se është e rëndësishme që politika dhe politikë-bërja e një vendi duhet të ushqehet dhe analizohet vazhdimisht nga kontributet e botës akademike dhe shoqërisë civile.” – shprehet Shembilku.

ÇFARË TË PRET NË SHQIPËRI

Një ofertë e mirë në vendin ku intelektualët kanë shkuar duket se nuk është aspak konkuruese me mundësitë në Shqipëri, përpos ndonjë mundësie të veçantë që mund të siguronte jetesën dhe përmbushjen e ambicies profesionale. “Thithja e trurit në Shqipëri do realizohet nëse u lë liri veprimi individëve që do kthehen. Duhet t’u japësh punët që u takojnë atyre me të njëjtën pagesë të vendeve të zhvilluara. Që të kthehet truri në Shqipëri duhet të ketë shumë para dhe mundësi të shumta punësimi”, – shprehet Emesta Redhi. Kurse Dritan Prifti thotë se tani mundësitë janë edhe më të shumta se më parë “Mendoj se tani është shumë më e lehtë. Ka hapësira jo vetëm në qeveri, por në ekonomi, në punët e shoqërisë civile, institucioneve ndërkombëtare etj. Unë mendoj se për më të mirët ka gjithmonë vend”, – thotë deputeti Dritan Prifti.

Por këshilltari i kryeministrit Berisha, Myqerem Tafaj i shkon me në thellësi këtij problemi. “Unë mendoj se më shumë mundësi shfaqen në fushën akademike dhe sidomos në universitete kurse administrata publike është jashtëzakonisht e ashpër për ata që kthehen nga jashtë”, shprehet këshilltari Tafaj. Ai shkon më tej kur thotë se punësimin e intelektualëve që vijnë nga jashtë në administratën publike e pengon ligji për statusin e nëpunësit civil.

“Ligji krijon një mbrojtje të tepërt të një pjese të pakualifikuar. Njerëzit rekrutohen në administratë dhe punojnë aty për 20 vjet. Për 20 vjet ky vend është i zënë, kështu që numri i të punësuarëve në administratën publike është shumë i kufizuar. Unë do isha për kritere shumë më strikte të konkurencës mbi bazën e meritës, por jo për një mbrojtje të tillë të specialistëve të pakualifikuar”, – thekson këshilltari Tafaj.

Edhe këshilltarja diplomatike e kryeministrit Rozeta Shembilku thotë se administrata duhet të jetë efiçente. “Ne kemi nevojë për një administratë moderne me mentalitet, efiçencë dhe zhvillime bashkëkohore dhe këto janë vlera dhe shprehi që mbarten nga gjenerata që ka fituar eksperienca akademike dhe profesionale perëndimore”, thekson Shembilku.

Megjithatë, se sa do arrijnë strukturat shtetërore që të ndryshojnë një ligj për të sjellë vetëm zhvillime pozitive në kthimin e intelektualëve edhe përkohësisht, mbetet dyshuese. “Kjo është e pamundur. Shumë intelektualë tashmë janë rehatuar familjarisht jashtë vendit dhe nuk mund të kthehen. Ata kanë punë të mira si dhe kanë regjistruar fëmijët në shkolla. Ky grup nuk kthehet lehtë në Shqipëri. Qeveria duhet të njohë mirë diasporën shqiptare dhe duhet të kthejë në mënyrë selektive ata që kanë njohuri dhe eksperiencë që mund të vlejë për Shqipërinë”, – shprehet deputeti Prifti në lidhje me nismën e “kthimit të trurit”.

Ndërkohë që Tafaj shprehet se duhet të ketë një vlerësim të drejtë si të atyre që studiojnë jashtë, ashtu edhe të atyre që studiojnë në vend. “Unë mendoj që ne duhet ta trajtojmë problemin me një këndvështrim që konsideron në mënyrë të barabartë të rinjtë dhe të rejat që studiojnë brenda në Shqipëri dhe jashtë saj. Asnjëra palë nuk mund të privilegjohet dhe diskriminohet”, – sqaron Tafaj.

Por ai pohon se mundësitë e shtetit shqiptar janë të kufizuara për të kthyer të gjithë intelektualët. “Mundësitë që ka shteti shqiptar apo qeveria për të mbështetur një grup që potencialisht mund të kthehet në Shqipëri janë të kufizuara dhe kjo prek shumë anë. Nëse kemi parasysh dikë që ka 15 vjet që e ka lënë Shqipërinë dhe i mbushet mendja të kthehet në Shqipëri, ky person mund të mos ketë fare shtëpi dhe mund të ketë humbur lidhjet me vendin, atëherë në këtë rast lind nevoja për të krijuar një kuadër kushtesh që e lehtësojnë kthimin, sistemimin, riintegrimin e këtij personi në vendin e vet”, – shprehet Tafaj. Por për deputetin Prifti, intelektualët duhet të jenë shumë objektivë në lidhje me vlerësimin e asaj që u ofrohet në Shqipëri nëse duan të kthehen.

“Do t’u sugjeroja që të punonin me plan para se të ktheheshin. Të krijonin hapësira për t’u punësuar në firma të huaja që duan të hapin zyra në Shqipëri. Të përpiqeshin të vlerësonin lidhjet që kanë në Shqipëri dhe të vlerësojnë a janë ato aq të forta sa t’u ofrojnë punë. Të analizonin tregun e punës në Shqipëri për arsimin që kanë fituar, por atyre që duan të kthehen këtu do t’ju kërkoja të pyesnin veten nëse janë gati të bëjnë sakrifica për pak kohë, në kurriz të komfortit që kanë jashtë. Nëse janë gati të sakrifikojnë, kjo tregon se kanë dhe motivimin që duhet për të arritur suksesin profesional në Shqipëri”, përfundon deputeti dhe nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti.

Ky shkrim është publikuar në Dhjetor, 2006

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.