Nga mbytja e 28-vjeçares dhe ekzekutimi i të shoqit, zbulohen krimet e shqiptarit që i shpëtoi dje atentatit në Athinë
Florian Bajraktari nga Tirana i shpëtoi pasditen e djeshme një atentati me armë teksa pinte kafe në një lokal në “Omonia” të Athinë. Korrespondenti i Top Channel në Greqi, Artur Bibe raporton se ai mori një plagë në shpatull nga 7 të shtëna me armë që u derdhën mbi të nga një fuoristradë që kaloi […]
Florian Bajraktari nga Tirana i shpëtoi pasditen e djeshme një atentati me armë teksa pinte kafe në një lokal në “Omonia” të Athinë.
Korrespondenti i Top Channel në Greqi, Artur Bibe raporton se ai mori një plagë në shpatull nga 7 të shtëna me armë që u derdhën mbi të nga një fuoristradë që kaloi para lokalit ku ndodhej i riu. I arrestuar në 2006 për vrasje, Bajraktari ishte liruar me kusht në 2018 dhe më pas në 2020 ishte arrestuar sërish për lojëra fati. Policia greke po heton në disa pista në lidhje me atentatin ndaj tij, duke mos përjashtuar hakmarrjen për vrasjen e ndodhur në vitin 2006.
Në 23 tetor 2006, në Sitia të Greqisë u vra 38-vjeçari shqiptar Niko Demo. Ky i fundit ishte liruar me garanci vetëm 1000 euro nga Gjykata, pasi ishte akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij shqiptare, ngjarje e ndodhur në Sitia në 9 nëntor 2005. Pavarësisht vendimit të Gjykatës, familjarët e viktimës kanë akuzuar vazhdimisht Demon si autor të vrasjes së vajzës së tyre vetëm 28 vjeçe. Ajo ishte gjetur nga fëmija e saj 12-vjeçar e mbytur në krevat. Fëmija ishte njoftuar nga xhaxhai i tij, i cili i kishte thënë të lajmëronte nënën pasi diçka e keqe i kishte ndodhur babait të tij. Por sapo fëmija ka shkuar të njoftojë nënën, e ka gjetur atë të vdekur. Në fakt babai i tij, Niko Demo, ishte plagosur gjithashtu me thikë, sipas tij i goditur nga dy bashkëatdhetarë. Policia dyshoi se ishte pikërisht Demo që kishte mbytur bashkëshorten, por pas 6 muajsh ai u lirua pasi në banesë u gjet një njollë gjaku që nuk rezultoi të ishte as e tij dhe as e bashkëshortes.
Por pas daljes nga burgu, për Niko Demon u thur plani për vrasjen e tij në shenjë hakmarrje. Më datë 13.10.2006, shtetas E. L, i njohur i Florian Bajraktarit, iu afrua këtij të fundit në një kafene në Kalithea të Athinës dhe i tha se po kërkonte, për llogari të një personi të tretë të cilit i ishte vrarë motra, dikë që do të merrte përsipër, kundrejt pagesës, të vrisnin burrin e gruas që u vra, i cila sipas porositësit ishte edhe vrasësi i motrës së tij.
Florian Bajraktari, vetëm 18 vjeç atëherë, ia tha këtë gjë shtetasit M. B dhe menjëherë pa më të voglin hezitim kanë vendosur së bashku të vrasin personin, kundrejt një tarife prej 5000 euro për secilin. Pas marrjes nga ndërmjetësi E. L. informacione të detajuara mbi viktimën, përkatësisht emrin e tij, që ishte Niko Demo, fotografitë e tij, adresën e banimit dhe një kartolinë të qytetit të Sitisë në të cilën ishte shënuar me rreth zona ku ndodhej shtëpia e tij, targën e makinës së tij si dhe 500 euro paradhënie, kanë udhëtuar me traget për në Irakleo dhe me autobus KTEL për në Sitia, më 19.10.2006.
Aty përgatitën aktin e tyre për tre ditë, duke mbledhur informacione për Niko Demon. Fillimisht e kërkuan në adresë, por ku nuk u gjet. Më pas Florian Bajraktari telefonoi E. L dhe i tha se nuk mund ta gjenin në adresën që u kishte dhënë dhe ai i tha se do pyeste për adresën e re dhe do t’i tregonte, gjë që ai e bëri.
Ata më në fund gjetën shtëpinë e viktimës, të cilën filluan ta vëzhgonin. Jashtë shtëpisë ishte e parkuar makina, e cila sipas informacioneve që kishin marrë nga personi që i drejtonte, E. L., i përkiste viktimës. Më datë 23.10.2006 dhe që në orët e para të mëngjesit kanë ngritur një pritë në hyrje të pallatit dhe e kanë pritur në një garazh. Një ditë më parë ata kishin marrë një thikë nga një furrë, të cilën do ta përdornin për vrasjen. Sapo është shfaqur Niko Demo, të cilin e kanë njohur nga fotot që kishin në duar, duke dalë nga pallati dhe duke u nisur drejt makinës së tij, e kanë sulmuar dhe pasi Florian Bajraktari e ka neutralizuar, M. B ka tentuar t’i presë fytin me thikë.
Por ai ka hasur në vështirësi, pasi thika nuk e ka prerë dhe ndërsa Niko Demo, i plagosur tashmë në qafë, po thërriste për ndihmë, M. B e ka neutralizuar dhe Florian Bajraktari ka arritur ta godasë tri herë në pjesën e pasme të kokës me pjesën metalike të një shate. Vdekja e tij përfundimisht erdhi si pasojë e këtyre goditjeve. Më pas autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtime të ndryshme.
Ata janë takuar në plazhin e Sitisë dhe pasi kanë zëvendësuar rrobat e përgjakur me ato të pastra, që Florian Bajraktari kishte sjellë me vete dhe duke e hedhur shatën në një shtrat kallami të një lumi ngjitur, janë ndarë. I pari u drejtua për në stacionin e autobusëve ndërqytetës, ku u arrestua në të njëjtën ditë, duke mbajtur kartolinën me shenjën e shkruar me dorë të banesës së mëparshme të viktimës, ndërsa i dyti është nisur drejt stacionit të autobusëve të KTEL, ku ka pritur të parin për disa orë dhe për shkak se po vonohej, ka hipur në autobus për të shkuar në Irakleo.
Jashtë Sitisë autobusi është ndalur nën kontrollin e forcave policore dhe i akuzuari duke kuptuar se është vënë re dhe do të arrestohej ka zbritur nga autobusi dhe është larguar në fusha. Ai u arrestua të nesërmen në zonën e Ahladion të Sitisë, ku u pikas duke tentuar të arratisej në këmbë drejt Irakleos.
Policia greke zbuloi dhe porositësin e vrasjes, shtetasin F. G, i cili u arrestua. Gjatë deklaratës së tij para hetuesit ashtu edhe gjatë deklaratës së tij para Gjykatës mohoi akuzën, duke pretenduar se ishte informuar për vrasjen e dhëndrit të tij në kohën kur ai ishte në vendin e punës në Lamia, se nuk ka pasur mundësi financiare për të paguar shumën e sipërpërmendur për të paguar persona të tretë me qëllim që ata të vrisnin dhëndrin e tij dhe se nuk ka bërë asnjëherë kërcënime ndaj viktimës. Këto pretendime sipas organit të akuzës nuk u vërtetuan. Në mënyrë të veçantë, u vërtetua se familja e porositësit që në fillim e konsideronte si përgjegjës për vdekjen e vajzës dhe motrës së tyre E., bashkëshortin e viktimës, Niko Demo.
Ndaj Demos u ngrit procedimi penal për vdekjen e bashkëshortes së tij, në kuadër të së cilës u ndalua përkohësisht. Mirëpo, lirimi i tij nga burgu në maj të vitit 2006, duke zëvendësuar paraburgimin e përkohshëm me kushte kufizuese, shkaktoi një rritje të mosmarrëveshjes mes tij dhe familjes së ish-bashkëshortes, nga njëra anë për shkak se u konsiderua se lirimi i “vrasësit” ishte “i padrejtë”, dhe nga ana tjetër për shkak se u ngrit çështja e kujdestarisë së fëmijëve të viktimës, të cilën e pretendoi edhe familja e viktimës pas lirimit të Niko Demos nga burgu. Bindja e prerë dhe e qëndrueshme për fajësinë e dhëndrit të tyre nuk mohohet por përsëritet nga të gjithë familjarët në të gjitha diskutimet, si dhe në ekzaminimet e tyre para autoriteteve.
Fryma e hakmarrjes që u krijua u ndez më tej nga mosmarrëveshja ligjore për pretendimin e kujdestarisë së fëmijëve të mitur nga të dyja palët.
/a.r
What's Your Reaction?