Pakti i emigrantëve të Italisë me Shqipërinë nuk ka kuptim – Pra, cila është arsyeja e vërtetë që Starmer po tregon interes?
Kryeministri i Britanisë e di se një plan i tillë nuk do të funksionojë. Ai po shoqërohet me Giorgia Melonin për një arsye krejtësisht të ndryshme Nga Lea Ypi Një mbrëmje të ftohtë dimri në 1999, ndërsa prisja trenin në stacionin Termini të Romës, vura re një grua të moshuar që luftonte me disa valixhe […]
Kryeministri i Britanisë e di se një plan i tillë nuk do të funksionojë. Ai po shoqërohet me Giorgia Melonin për një arsye krejtësisht të ndryshme
Nga Lea Ypi
Një mbrëmje të ftohtë dimri në 1999, ndërsa prisja trenin në stacionin Termini të Romës, vura re një grua të moshuar që luftonte me disa valixhe të rënda. E pyeta nëse kishte nevojë për ndihmë.
“Signorina,” tha ajo me një zë që i dridhej. “Për fat të mirë, ka ende të rinj si ju. Isha tepër e trembur. Ky stacion është plot me hajdutë shqiptarë. Po na pushtojnë”.
Nuk guxova t’i them se isha shqiptare edhe unë – nga ato me fat, studente me bursë, ndryshe nga shumë bashkatdhetarë të mi që merreshin me pastrim, ndërtim apo prostitucion. Bëheshim kryetituj në Itali asokohe. Ndonjëherë si popull kontrabandistësh, mafiozësh apo vjedhësish; ndonjëherë si individë të dështuar, të socializuar nën një sistem tjetër e që nuk arrinin të integroheshin; e ndonjëherë si njerëz të korruptuar e dembelë, të paaftë për të zbatuar në vendin e tyre formulën e suksesit që rrezatonte mbi detin Adriatik nga kanalet televizive të Silvio Berlusconit.
“Pushtues” ishte vetëm njëra nga damkat. Edhe pse, për hir të së vërtetës, pushtimi i vetëm në historinë e dy vendeve ka ndodhur në drejtim të anasjelltë, kur më 7 prill 1939 trupat e Musolinit zbarkuan në Durrës, qyteti ku jam rritur. Ato i aneksuan mbretërinë shqiptare asaj të Italisë, e përdorën si bazë për pushtimin e Greqisë, e teksa shfrytëzonin burimet natyrore si krom e bakër, stolisnin flamurin shqiptar me simbole fashiste.
Asnjë politikan shqiptar i pas viteve 90 nuk ka guxuar të përballet me Italinë rreth trashëgimisë së kësaj marrëdhënieje koloniale. Përkundrazi, siç ndodhi së fundmi me paktin që i mundësoi qeverisë së Giorgia Melonit të përpunojë azilkërkuesit e saj në Shqipëri, miqësia historike mes dy kombeve vetëm kremtohet. Në fund të fundit, ndryshe nga pushtimi italian i Etiopisë, ne na i kursyen armët kimike. Tragjedia e marsit të vitit 1997, ku dhjetëra gra dhe fëmijë u mbytën pasi u goditën nga një anije patrullimi italian, tashmë klasifikohet si aksident.
Por populli dhe qeveria nuk janë kurrë e njëjta gjë. Ka mijëra shqiptarë të cilët kujtojnë me mirënjohje mikpritjen pas viteve ’90. Gjatë viteve të studimeve në Romë, kam takuar me dhjetëra njerëz të cilët më siguronin se të huajt ishin të mirëpritur në Itali, kërkonin falje për fyerjet ndaj shqiptarëve që dëgjoja kudo e rrekeshin të shpjegonin se edhe italianët dikur kishin qenë emigrantë. Nuk i besonin mitit të “Italiani brava gente” (italianët, njerëzit të mirë), i cili shërbente për të shfajësuar trashëgiminë e Musolinit. Nuk mendonin se kombi është sipër gjithçkaje. E mbi të gjitha nuk votonin për partinë e Giorgia Melonit.
Zyrtarët britanikë, mes të cilëve edhe Keir Starmer, kanë deklaruar se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po sheh me interes përsëritjen e një marrëveshjeje migrantësh si ajo mes Italisë dhe Shqipërisë. Kjo e fundit s’ka për të ndodhur kurrë. Qeveria shqiptare i ka shqyrtuar edhe më parë kërkesat e zyrtarëve britanikë duke u përgjigjur se nuk do të shndërrohet kurrë në kazanin e plehrave të Evropës.
Por Britanisë i mjafton të gjejë një ish-koloni të ngjashme, një qeveri me kujtesë aq të mprehtë sa të përmendë rrugët që ish-padronët kanë ndërtuar në shekullin e kaluar, por të harrojë njerëzit që kanë shfrytëzuar në dekadat e fundit. Një popull aq të traumatizuar nga e kaluara e tij e afërt sa për të fshirë nga kujtesa të kaluarën. Një vend të qeverisur nga një elitë politike që i nënshtrohet rendit liberal duke përsëritur se duhet të kujdesemi për pasojat e migrimit pa marrë kurrë parasysh shkaqet e tij gjeopolitike.
Megjithatë, do të ishte naive të kritikoheshin përpjekjet e Starmerit duke moralizuar mbi këto çështje, siç janë të prirur të bëjnë të majtët. Kur argumenti se duhet “të jemi pragmatikë” vjen i pari parimet – kujtesa, përgjegjësia, kujdesi për më të dobëtit – janë pezulluar me kohë.
Si ta kundërshtojmë atë, atëherë? Ndoshta me logjikë të thjeshtë. Marrëveshjet e migracionit, si ajo që Laburistët po studiojnë, bazohen në supozime të ndryshme: që migrimi në vetvete është një problem, se migrimi i parregullt luftohet më së miri me kufizime kufitare të ashpra, se menaxhimi jashtëterritorial mund të ndërpresë flukset. Për të gjitha këto, ka shumë studime që dëshmojnë se çdo premisë është e dyshimtë. Por edhe sikur të vlenin, ka tre çështje të tjera me të cilat duhet të përballet çdo politikan “pragmatik”.
Politikisht, modeli i Shqipërisë paraqitet si një risi në menaxhimin e flukseve migratore, sepse përfshin bashkëpunimin ndërmjet një kandidati për në BE dhe një shteti anëtar të BE-së. Frymëzuar nga dëshira për të gjetur një zgjidhje “strukturore” për çështjen e emigracionit të parregullt, në realitet ajo bën pikërisht të kundërtën: i lë negociatave dypalëshe atë që duhet të arrihet si rezultat i një procesi në mbarë BE-në. Për më tepër, dhe me shumë rendësi në rastin e Mbretërisë së Bashkuar, e cila nuk ka plan për t’u ribashkuar me BE-në, krijon një precedent të rrezikshëm falë së cilit vendet ndjekin marrëveshjet e tyre për të zgjidhur “problemin” e migracionit, duke eliminuar shanset e një procesi vërtet të koordinuar në Evropë.
Së dyti, parimi i moskthimit, i përfshirë në konventën e OKB-së të vitit 1951 në lidhje me statusin e refugjatëve, ndalon dëbimin ose kthimin e njerëzve në vendet që konsiderohen të pasigurta. Meloni këmbëngul se Shqipëria është e sigurt, duke përmendur statusin e saj kandidat në BE. Por nëse është kështu, pse gratë shtatzëna, fëmijët dhe kategoritë e tjera të cenueshme përjashtohen nga marrëveshja?
Së treti, është çështja ekonomike. Për të respektuar ligjin ndërkombëtar, migrantët e dëbuar duhet të mbeten përgjegjësi e Italisë. Sipas marrëveshjes ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, Italia është përgjegjëse për të gjitha kostot e ndërtimit dhe menaxhimit të dy qendrave, si dhe personelit të Policisë, mjekëve, infermierëve dhe zyrtarëve administrativë, për një shpenzim total që është vlerësuar të arrijë në 670 milionë euro. Një emigrant i parregullt në Shqipëri i kushton Italisë njësoj ose më shumë sesa po të përpunohej kërkesa në territorin e saj. Përfitimi i vetëm është se emigrantët bëhen të padukshëm – “lontano dagli occhi, lontano dal cuore” (larg syve, larg zemrës), siç thotë fjala e urtë italiane.
Na thuhet se qeveria e Starmer është pragmatike: thjesht kërkon zgjidhje që funksionojnë. Por si mund të konsiderohet ende “pragmatike” një “zgjidhje” që nuk ka logjikë nga pikëpamja politike, juridike dhe ekonomike?
Ndoshta ka vetëm një përgjigje të besueshme: Propaganda.
Laburistët e dinë se kanë një shumicë elektorale të dobëta, të kërcënuar nga politikanët e ekstremit të djathtë që mbledhin vota duke akuzuar emigrantët. Laburistët besojnë se mund të fitojnë votat e tyre duke u shprehur po aq ashpër. Duke bërë këtë, marrin si të mirëqenë mbështetësit liberalë dhe të majtë. Këta të fundit mund të pezullojnë parimet e tyre dhe t’ua falin retorikën për ca kohë. Por kontradiktat politike, ligjore dhe ekonomike do të mbeten aty.
Dhe nëse planet përparojnë, shpejt do të pyesin veten çfarë pragmatizmi është ky që po mbështesin.
What's Your Reaction?