Burrat / Një prerje flokësh si udhëtim në të ardhmen

Nga Ornela Çuçi Duke u kthyer nga vrapi një mbrëmje të vonë, pashë disa berberane rrugës. Plot me burra. Në orë të shkuar. Ende po prisnin në radhë. Ulur një zotëri po bënte maskë fytyre. I mbajta këmbët se më krijoi një ndjesi të madhe habie, por ika vrikthi gjithe turp nga habia që i […]

Shtator 25, 2024 - 09:55
 0
Burrat / Një prerje flokësh si udhëtim në të ardhmen

Nga Ornela Çuçi

Duke u kthyer nga vrapi një mbrëmje të vonë, pashë disa berberane rrugës. Plot me burra. Në orë të shkuar. Ende po prisnin në radhë.

Ulur një zotëri po bënte maskë fytyre. I mbajta këmbët se më krijoi një ndjesi të madhe habie, por ika vrikthi gjithe turp nga habia që i krijoi atij përshfaqja e habisë sime.

Në rrugët e Tiranës, mes kaosit të makinave dhe zhurmës së përditshme, është e pamundur të mos vësh re një dukuri të re: berberanet plot.

Fjalori i Gjuhës Shqipe: berbér,-i emër i gjinisë mashkullore; numri shumës; -ë(t) ai që ka për mjeshtëri të qethë flokët e të rruajë, floktar.

Një dikur vend i thjeshtë për prerjen e flokëve, qethjen do thoshin burrat e qëmotit, tashmë është kthyer në një mikrokosmos ku burrat nuk shkojnë më vetëm për qethje, por për maska, trajtime fytyre, masazhe qetësuese, a ku di unë se cfarë tjetër. Nga thjesht një prerje, te përkujdesja për lëkurën, është një kalim që reflekton ndryshimin e një epoke, një transformim të burrërisë dhe mënyrës se si burrat shohin veten e tyre.

A është ky një reflektim i një transformimi të fshehtë të shoqërisë sonë? Ky fenomen tregon se burrat po përqafojnë më shumë sesa thjesht një aspekt sipërfaqësor të estetikës. Dikur, të shkosh te berberi ishte një akt i shpejtë, funksional, ndoshta madje i mbyllur në të ashtuquajturën burrëri tradicionale, e fokusuar në prerjen e thjeshtë. Por sot, çdo hap që shikon në berberane është një akt i vetëdijshëm për të dashur veten më thellë. Jo vetëm për t’u dukur mirë, por për të ndjerë mirë. Burrat ndoshta kanë kuptuar atë që gratë e kanë praktikuar prej kohësh: përkujdesja për trupin është një shprehje e respektit ndaj vetes.

Ky ndryshim i hapësirës së berberanës, ku dikur çdo gjë lidhej me funksionalitetin, është një shenjë e re e botës ku burrat nuk kanë më frikë të tregojnë se kujdesen për fytyrën, për lëkurën, për shëndetin e tyre të brendshëm dhe të jashtëm. Një maskë fytyre? Një trajtim rigjenerues? Këto janë tani pjesë të zakonshme të këtij rituali të ri. Një ritual që nuk është më vetëm për pamjen e jashtme, por për një mirëqenie të thellë, për një burrëri që përqafon delikatesën dhe forcën, bukurinë dhe përkujdesjen.

Dhe ndoshta ky transformim na çon drejt një pyetjeje më të thellë: A ka ndryshuar burrëria? Apo thjesht po përmbush një potencial të ri, të cilin dikur e kishte të fshehur? Berberanët janë tashmë dëshmia e këtij ndryshimi të madh që po ndodh në mënyrë të qetë, por të pashmangshme. Burrat po përqendrohen në veten e tyre me një sy të ri, duke kuptuar se përkujdesja nuk është më luks, por një nevojë shpirtërore, një udhëtim drejt një ekuilibri të ri mes trupit dhe shpirtit.

Dhe ndoshta, në këtë epokë të kësaj burrërisë së re, do të vijë dita kur burrat do të debatojnë më shumë për llojin e maskës së fytyrës se sa për kampionatin e futbollit (për politikë as kanë më se ç’të debatojnë në Tiranën tonë pa asnjë ngjarje politike) sepse, në fund, të gjithë jemi në të njëjtën luftë me rrudhat e kohës-plakjen.
A doni një birrë mi gra?

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.