“Kush e tradhtoi Nasrallahun”, shumë njerëz në Liban ende nuk besojnë se lideri i Hezbollah ka vdekur

“Kush e tradhtoi Nasrallah?”, pyesin gazetarët që raportojnë në Liban. Pas vdekjes së kreut të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, opinioni publik libanez ka reaguar me dyshim. Për

Shtator 30, 2024 - 17:00
 0
“Kush e tradhtoi Nasrallahun”, shumë njerëz në Liban ende nuk besojnë se lideri i Hezbollah ka vdekur

“Kush e tradhtoi Nasrallah?”, pyesin gazetarët që raportojnë në Liban.

Pas vdekjes së kreut të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, opinioni publik libanez ka reaguar me dyshim.

Për gazetën izraelite ynet, pavarësisht goditjes së madhe që i është dhënë organizatës shiite libaneze Hezbollah, ende ekziston frika në rrugët e Libanit se diçka e tmerrshme do të ndodhë.

“Ky njeri, Hassan Nasrallah, nuk ka vdekur,” besojnë shumë mbështetës të organizatës.

Shumica prej tyre ende presin ta shohin në ekranet televizive duke u shpjeguar cilët do të jenë hapat e tij të ardhshëm.

“Ata mendojnë se njoftimi për vdekjen e tij është një tjetër mashtrim dhe taktikë e krijuar për të ngatërruar armikun. Është e vështirë të besohet. Dje shkova për një shëtitje të gjatë nëpër rrugët e Bejrutit. Qyteti, gjithnjë plot jetë, dukej i vdekur. Në ato pak vende ku të rinjtë ende mblidheshin, kishte histeri të plotë. Ky njeri u vra në kulmin e tij, u vra dhe u poshtërua”, pohonin mbështetësit e Nasrallahut, të cilët ishin pothuajse të vetmit që dolën në rrugë për të shprehur pikëllimin e tyre për vdekjen e tij.

Arsyet që dyshohet se çuan në vrasjen e Nasrallah

Qytetarët libanezë po protestojnë në Bejrut, me dhjetëra të rinj që kanë dalë në rrugë duke valëvitur flamujt libanezë dhe duke heshtur.

Edhe pse ata ende kanë frikë nga operativët e Hezbollahut, qëllimi i tyre është t’i përcjellin një mesazh botës se “Libani do të mbetet Liban”, me ose pa organizatën terroriste dhe udhëheqësit e saj që janë vrarë.

“Është interesante të zbulohet se cilët njerëz e kanë braktisur atë ”, kanë thënë disa prej tyre në kushte anonimiteti, komenton botimi izraelit.

“Nasrallah ishte i respektuar në Teheran, (udhëheqësi suprem Ali) Khamenei e afroi atë, e bëri aleat dhe e braktisi”.

Khamenei, kanë pretenduar mbështetësit e tij, e ka zakon të braktisë aleatët e tij.

Fillimisht, ai braktisi Ismail Hanijen, pastaj Gazën dhe më pas Nasrallahun.

Mbështetësit e Hezbollahut të Libanit e konsiderojnë vdekjen e liderit të tyre një “tradhti iraniane”.

Shiitët në Liban, të cilët nuk janë anëtarë të organizatës, janë thirrur të bojkotojnë liderin iranian, përfaqësuesi i të cilit u vra në demonstratat që u zhvilluan në periferi të Dahiya.

Natën e sulmit, njerëzit në rrugët e Bejrutit  po tregonin histori për distancën që kishte mes Iranit dhe Nasrallah.

Janë histori që askush nuk mund t’i konfirmojë apo mohojë.

“Tani e dimë se veprimet e Hezbollahut ishin plotësisht të njohura për inteligjencën izraelite. Të gjitha hapat e tij u vëzhguan për shumë muaj. Të gjitha telefonatat janë monitoruar. Një pyetje që shqetëson fort qytetarët e Libanit është: “Kush e tradhtoi Hezbollahun?” shton botimi.

Tashmë po qarkullojnë teori të ndryshme konspiracioni, ku njëra prej tyre pretendon se iranianët e tradhtuan për të bërë një marrëveshje të re bërthamore me amerikanët.

Sipas kësaj teorie, iranianët e gënjyen Nasrallahun se lufta kundër Izraelit nuk do të zgjaste shumë, por ia dorëzuan atë izraelitëve. Por ka nga ata që besojnë se oficerët e inteligjencës siriane e çuan Izraelin te Nasrallah.

Sido që të jetë, dikush e tradhtoi Hezbollahun dhe Izraeli ishte në gjendje të zbulonte vendndodhjen e saktë të udhëheqjes së organizatës.

Disi, qeveria Netanyahu arriti të zbulonte vendndodhjen dhe pjesëmarrësit e takimit sekret.

Jehona e shpërthimit u ndje dhjetëra kilometra larg vendit të bombardimit.

“Ky shpërthim më kujtoi shpërthimin e madh në portin e Bejrutit në vitin 2020, kur i gjithë qyteti u drodh pas përmasave të shkatërrimit të tmerrshëm, me qindra të vdekur dhe të plagosur”, argumenton gazetari i gazetës izraelite ynet.

Ndërkohë, refugjatët nga periferia Dahiya e Bejrutit e gjetën veten pa familjet e tyre, të pastrehë, të humbur dhe duke refuzuar të besojnë këtë fatkeqësi.

Kjo situatë nuk filloi me vdekjen e Nasrallah. Të hënën e kaluar, banorët e Libanit jugor u zgjuan nga tingujt e sirenave nga bombardimet e ushtrisë izraelite, duke u kërkuar që të evakuonin menjëherë shtëpitë e tyre.

Banorët u larguan duke mbajtur pak pasuri dhe u arratisën me makina, duke krijuar bllokime të pafundme trafiku. Udhëtimi i tyre nga Libani jugor në Bejrut, i cili zakonisht zgjat dy orë, kishte zgjatur 20 orë.

Refugjatë të tjerë kaluan ditët dhe netët e tyre në xhaminë Mohammad Al-Amin, i detyruar të ulej pranë të vdekurve që ishin varrosur aty.

Ka edhe refugjatë që kanë zgjedhur të ikin në zona armiqësore ndaj Hezbollahut, siç është qyteti i Tripolit në Libanin verior.

Megjithatë, refugjatët që mbërritën në zonë u paralajmëruan të mos varnin fotot e Nasrallahut dhe të hiqnin fotografitë e tij nga makinat e tyre.

“Izraelitë, mendoni për ne, qytetarët e pafajshëm të Libanit. Ne nuk jemi pjesë e luftës. Edhe nëse disa nga dyqanet ushqimore janë të hapura, askush nuk mund të përballojë të blejë ushqim të mjaftueshëm. Ka shumë ditë që mishi nuk është në tryezë”, thonë qytetarët e Libanit.

Ndërprerjet e energjisë elektrike zgjasin të paktën nëntë orë në ditë dhe qiraja është trefishuar. Një shtëpi që kushtonte 1,000 dollarë dy javë më parë, tani është rritur në 3,000 dollarë.

Na premtuan një luftë të shkurtër, por për gati një vit qytetarët e Libanit nuk e dinin fatin e tyre. Kushdo që mund ta përballojë, përpiqet të arratiset ose të ikë. Qindra mijëra refugjatë libanezë ende flenë duke parë yjet. Shumë besojnë se Hezbollahu ka përfunduar!

Kështu thonë ata. Disa argumentojnë se ky është vetëm një pushim i shkurtër përpara fazës tjetër të fushatës së grupit shiit libanez./vizionplus.tv

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.