Opozita në protestë më 7 tetor, me një skenar të qartë bllokim

Nga Vitjon Nina Të paktën pesë nyje kyçe në Tiranë do të bllokohen nga opozita, në protestën e pritshme të 7 tetorit, e cila do të jetë e para kombëtare, pas dënimit dhe arrestimit të deputetit demokrat, Ervin Salianji. Sipas vetë Partisë Demokratike, organizatore e kësaj proteste kombëtare, demonstruesit dhe mbështetësit e saj do të […]

Tetor 5, 2024 - 12:20
 0
Opozita në protestë më 7 tetor, me një skenar të qartë bllokim

Nga Vitjon Nina

Të paktën pesë nyje kyçe në Tiranë do të bllokohen nga opozita, në protestën e pritshme të 7 tetorit, e cila do të jetë e para kombëtare, pas dënimit dhe arrestimit të deputetit demokrat, Ervin Salianji.

Sipas vetë Partisë Demokratike, organizatore e kësaj proteste kombëtare, demonstruesit dhe mbështetësit e saj do të mblidhen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më tej do të shpërndahen në rrugët kryesore të Tiranës.

Qëllimi kryesor i këtij aksioni, do të jetë bllokimi i kryeqytetit në nyjat kyçe të qarkullimit dhe paralizimi i çdo lëvizjeje.

Drejtuesit demokratë kanë premtuar se tubimi këtë herë do të jetë ndryshe nga të mëparshmit.

Fillimisht, qytetarët që do të vijnë nga gjithë Shqipëria do të mblidhen në qendër të Tiranës, përballë Kryeministrisë dhe më pas do të shpërndahen në lokacione të ndryshme të kryeqytetit.

Protesta pritet të nisë prej orës 18:00 të hënën e 7 tetorit dhe përfundimi i saj mbetet i pacaktuar, në varësi të frymës së qytetarëve.

Masat e Policisë pritet po ashtu të jenë të shumta, me angazhimin e mbi 1 mijë efektivëve të Policisë, të cilët do të jenë të ndarë sipas grupeve për ndërhyrje, nga Policia e Rendit, FNSH, apo deri edhe te RENEA.

Një problematikë që mund të haset, do të jetë ajo e grupeve lëvizëse, të cilat kryesisht do të përbëhen nga të rinjtë dhe do të qarkullojnë në gjithë Tiranën – një skenar i ngjashëm edhe me protesta të mëparshme.

Motoja do të jetë “E keqja e ka një emër” dhe do t’i referohet kryesisht kryeministrit të vendit, Edi Rama.

PD-ja ka lëshuar mbi këtë edhe një fletëthirrje për protestën, e cila vijon si më poshtë:
“Një njeri i vetëm, Edi Rama, ka grumbulluar çdo pushtet në duart e veta. Ka asgjësuar zgjedhjet e lira, përmes patronazhistëve, frikësimit dhe blerjes masive të votës. Ka bllokuar prej 11 vjetësh reformën zgjedhore. Mohimi i së drejtës për qeveri asnjanëse teknike për zgjedhjet e ardhshme, synon deformimin e vullnetit të qytetarëve dhe pengimin me forcë të rotacionit politik.

Edi Rama përdor Parlamentin, drejtësinë dhe mediat për ta ruajtur pushtetin personal. Mazhoranca në Parlament refuzon të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese për dorëzimin e bashkëpunëtorëve të Ramës përpara drejtësisë.

Lideri i opozitës dhe Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbahet në izolim anti-kushtetues prej gati një viti përmes një dosje të fabrikuar nga PS, pa fakte, pa dëshmitare duke e penguar me forcë dhe pa ligj aktivitetin e tij politik.

Eurodeputeti Fredi Beleri u zgjodh duke qenë në burg, pasi u arrestua me dëshmitarë të rremë dy ditë para zgjedhjeve, të cilat i fitoi, por Edi Rama, me proces gjyqësor politik i mori mandatin e kryebashkiakut.

Javën që shkoi, n/kryetari i Grupit Parlamentar të PD, deputeti Ervin Salianji, u burgos pas një procesi gjyqësor politik, me dëshmitarë të rremë, sepse denoncoi trafiqet e vëllait të ministrit të Brendshëm. Burgosja e një deputeti, pa ligj dhe prova, është mesazh politik për heshtjen e opozitës. asgjësimin e saj dhe ekzekutimin e lirisë së shprehjes.

SPAK amniston të gjitha aferat korruptive ku gjendet firma e Edi Ramës ose ku ai është përfitues. KM u tall me pensionistët duke u premtuar rritje të pensioneve në mars, por vetëm i indeksoi me 1.6%.

Të bëhemi të gjithë bashkë në Tiranë, për të reaguar kundër padrejtësive, me autor të vetëm Edi Ramën. Mospajtimi me padrejtësinë është mision i çdo qytetari të ndershëm shqiptar. Mospajtimi me të keqen fillon nga Kryeministria dhe shtrihet në të gjitha rrugët e Tiranës. Të hënën, më 7 tetor 2024, ORA 18:00”.

Kështu përmbyllet fletëthirrja e demokratëve. Teksa, mbi fjalimet e mundshme, apo aksionin konkret, duhet pritur 7 tetorit, për të parë çfarë do të ndodhë.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.