Rritet abuzimi seksual me të mitur, psikologët: Incestet, rastët më të vështira. Juristët: Të ashpërsohet kodi
Dyfishohen krimet seksuale ndaj të miturve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shqetësim kryesor sipas psikologëve është trajtimi i
Dyfishohen krimet seksuale ndaj të miturve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shqetësim kryesor sipas psikologëve është trajtimi i dhunës seksuale brenda familjeve duke përfshirë rastet e incestit.
“Zakonisht, rastet më të shumta janë raste që përfshijnë incestin brenda familjes, që do të thotë persona që kanë akses tek i mituri, kanë akses për ngacmime, për kontakte, për t’i shfaqur e transmetuar imazhe seksuale, që futet te pjesa e ngacmimit, sesa persona që janë të jashtëm. Kryesisht raste baballarësh, por nuk mundet të anashkalojmë edhe raste vëllezërish karshi motrave, apo gjyshërit karshi mbesave. Mosha më e vogël që ka ardhur, ka qenë shumë e vogël, gati dy vjeç.”, shprehet psikologia Valbona Treska.
Por pse shpesh këto raste fshihen dhe nuk denoncohen.
“Është një turp i madh për familjen kur ngjarja del jashtë familjes dhe përpiqen që t’i mbajnë shumë të izoluara. Është një mentalitet i brumosur, brez pas brezi, që çfarë ndodh brenda familjes, ngelet te familja e vogël, aq më shumë që ngjarje të këtij niveli që trondisin totalisht familjen, por jo vetëm, edhe tërë fisin apo gjithë ambientin social ku familja funksionon. Shoqëria të vendos në heshtje një damkë të madhe pas shpatullave, në momentin që ty të ka ndodhur diçka e tillë.”
Për avokatin Arbër Hoxha, duhet riparë kuadri penal, që edhe pse është paralajmëruar një ndryshim i tij, ende nuk ka ndodhur.
“Janë disa këmbana alarmi. Duhet të fillojë si çështje ligji. Dispozitat konkrete që bëjnë fjalë për kryerjen e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me të mitur duhet të ndryshojë pragu, nga 14 në 16 vjeç dhe të mos lidhet drejtpërsëdrejti me pjekurinë seksuale, mosha 14 vjeç. Ndërkohë që kodi penal e dekriminalizon kryerjen e marrëdhënieve seksuale me pëlqimin me të miturve nëse kanë mbushur moshën 14 vjeç. Shumë pak është bërë për të miturit që janë subjekte aktive, pra kur janë autorë të veprës penale, ndonjëherë paraburgimi është shumë i ashpër me këta persona. “
Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, janë regjistruar 31 procedime penale, gati dyfishi i të gjithë vitit të kaluar./vizionplus.tv
What's Your Reaction?