“Mbro institucionet” nga Pushteti dhe Dhuna
Nga Ben Andoni Dënimi i fundit i deputetit demokrat Salianji ka shërbyer si karburant për makinën e madhe opozitare të ngjallë revoltën e militantëve të saj dhe të mëtojë se nuk do të ndalet derisa qeveria të bjerë dhe t’i lerë vend një qeverie teknike. Zërat më aktivë kanë vazhduar të thonë se: protesta nuk […]
Nga Ben Andoni
Dënimi i fundit i deputetit demokrat Salianji ka shërbyer si karburant për makinën e madhe opozitare të ngjallë revoltën e militantëve të saj dhe të mëtojë se nuk do të ndalet derisa qeveria të bjerë dhe t’i lerë vend një qeverie teknike. Zërat më aktivë kanë vazhduar të thonë se: protesta nuk mbyllet më dhe kështu me radhë. Nga ana tjetër, pushteti është mjaftuar t’u kujtojë “21 Janarin” dhe për orët e fundit të përsërisë se ky është një skenar, që mund të lindë vetëm nga PD-ja. Pushteti dhe dhuna sa shkojnë mes vete aq janë edhe të kundërta. Nëse do të kesh një pushtet të mirë, që do të thotë se respekton Institucionet e Pavarura dhe i lë të punojnë; jep llogari të vazhdueshme para publikut dhe ia bën jetën më të qetë shqiptarit të post demokracisë; ruan balancat ekonomike, të mos ia rëndojnë çmimet e shportës; respekton pensionistët; apo mban përgjegjësi për gabimet atëherë përballja e një qeverie të tillë me dhunën bëhet hipotetike. Rasti i qeverisë Rama, aktualisht, nuk është i tillë. Paraardhësit e tyre, që drejtoheshin nga Berisha dhe, që sot po mendojnë një protestë që nuk do ndalet, nuk ishte aspak më i ndryshëm.
Institucionet e pavarura, ato që mund të vendosnin balanca mes tyre, ishin dhe mbeten kryesisht nën presion dhe të pazëshme. Shpesh të duket se Shqipëria është një partiake. Mentaliteti dhe sjellja politike e ushqejnë këtë argument. Respekti i maxhorancës për Gjykatën Kushtetuese në rastin e mandatit “Xhaçka”; përplasja e parlamentarëve me kreun e KLSH-së gjatë llogaridhënies etj., janë tregues që vazhdon inercia e shkuar, ku konflikti i politikës me institucionin është i pashmangshëm.
Krerët e Institucioneve të Pavarura zgjidhen nga parlamenti dhe vetëm pak prej tyre me shumicë të cilësuar. Nga kjo e fundit, zgjedhja e Avokatit të Popullit po zgjatet pa fund, pa e gjetur dot zëvendësuesin e duhur. Presidenti aktual Begaj, ashtu si paraardhësit e tjerë Meta dhe Nishani, thjesht dekreton, pasi ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, e kthyen Presidentin në zgjatim të forcës politike, që ka shumicën e kartonëve. Përveç Metës, që doli nga rreshti, pas 2008 vetëm është firmosur. Dekretimi ashtu dhe pëlqimi janë në dorë të forcës politike, që ka më shumë parlamentarë dhe të jep poltronin presidencial. Ndaj, presidenti Topi (u përplas me të vetët, kur i tregoi Kushtetutën), pastaj opozitarët Nishani dhe ai Meta patën aq probleme me maxhorancën. Forca e fituesit të zgjedhjeve të përgjithshme është e pamat, pasi siguron fuqinë e pushtetit nëpërmjet zgjedhjes së krerëve tek institucionet e tjera të pavarura, pra të gjithë arkitekturës së shtetit. Institucionet e Pavarura kanë tagrin të informojnë dhe të punojnë për një qeverisje të mirë, ashtu si duhet të kenë në fokus problemet e qeverisjes. Në kushte tejet mbrojtëse (ku për t‘u shfaqur “duhet” dhuna), opozitës i mbetet të kundërshtojë këto institucione, kur japin vendime jashtë interesave të tyre dhe t’i akuzojnë kolegët e tyre për uzurpim të pushteteve të pavarura. Kuptohet derisa të vinë në fuqi dhe rotacioni të shndërrojë të njëjtat problematika. Nëse dikush arrin ta shtyjë mandatin, siç ndodhi me Xhukën e ILDKP-së do të ndodhi me patjetër shkarkimi nga një komision, ku vendos shumica në fuqi dhe mungon pakica në opozitë. Ligji për presidentin e ka bërë pavarësinë e tij institucionale të jetë i brishtë, kurse morale të vështirë sepse del nga xhepi i kryeministrit në fuqi. Institucionet e pavarura vërtetë preçizojnë mandat ndaj titullarit të institucionit, si në rastin e kreut të KLSH, ILDK, Prokurorit të Përgjithshëm, apo edhe një mbrojtje të detajuar juridike në rast se mazhoranca në pushtet do t’i godasë, por edhe kjo është e pamjaftë, paçka se sërish integriteti i titullarëve dhe hapësira e nevojshme juridike për ta ushtruar detyrën është e mundur. Me ato që shikojmë, Presidenti, që është propozim i maxhorancës, zakonisht nuk është në gjendje të dalë nga kushtëzimi i moralit të borxhit të zgjedhjes. Shqiptarët janë të etur të shikojnë njerëz të posteve eprore që për hir të ndjenjës së shtetbërjes të japin dorëheqje publike, në rast se u cenohen të drejtat. Për fat të keq, konformizmi ynë është i shtrirë deri në segmentet më të larta, ndërsa homo albanicus qoftë në funksione kushtetuese, meritore mbetet më shumë në shërbim të pushtetit dhe jo shtetit, ndaj një sjellje ndryshe ndaj institucioneve të pavarura nga ana e mazhorancës pavarësisht se cilit krah i përket, duken dhe janë fare të pakta.
Kjo e bën opozitën e sotme të PD-së ta harrojë ç’ka qenë dikur dhe t’i dorëzohet dhunës, si mjeti i vetëm për t’u dëgjuar. Dhuna është elementi më i madh, që bëhet dhe artikulohet prej saj, që le gjurmë për angazhimin e individit (një pjesë te PD u duhet të jenë në lista) dhe që mund të mobilizojë dhe ndërkohë t’u heqë vëmendjen militantëve të thjeshtë nga zhvillime reale dhe në kauza, shpesh të amullta. Rasti i PD-së është i mirëfilltë, që për hir tashmë të burgosjes së Salianjit dhe problematikave të Sali Berishës, po mundohet të shpërqendrojë vëmendjen publike në gjëra që nuk i takojnë, ndërkohë që po afrojnë diskutimet për buxhetin dhe kështu me radhë.
Mos respektimi i institucioneve tashmë vazhdon për inerci edhe në opozitë. Në një kohë tjetër, politologia e njohur Hannah Arendt e shikonte disi ndryshe, kuptohet në kushte ku duhet të funksionojnë institucionet: “Pushteti dhe dhuna janë të kundërta; kur njëra sundon absolutisht, atëherë tjetra mungon. Dhuna shfaqet aty ku pushteti është në rrezik, por e lënë në rrjedhën e vet ajo (dhuna) përfundon nën fashitjen e pushtetit”. Pushteti të jep ndjesi të tilla në vend, por që befas rikthehet sërish në fytyrën e vet cinike. Rama e bën këtë me kritikat ndaj PS-së, kur duket se do ta fashisë pushtetin e vet. Në rastin e qeverisjes Berisha kjo bëri pak sens, pasi përshkallëzimi i qëllimshëm i dhunës shtetërore u përdor si një përpjekje e dëshpëruar për të mbajtur pushtetin, megjithatë pasojat do ishin katastrofike, pasi morën jetët e katër fatkeqve. Dhuna nuk është vetëm tregues i humbjes të pushtetit dhe zbehjes së ndikimit të një lideri, por kontribuon realisht në gërryerjen e pushtetit të tyre. Berisha e vuajti këtë dhe ai shërbeu si një faktor përshpejtues për humbjen e pushtetit të tij që e përdori dhunën shtetërore. A do t’i shpëtojë dhunës nga sipër ndaj opozitës pushteti i Ramës? Me shumë gjasa po, ndërsa peshën do ta lerë tek opozita, duke e vijëzuar me ngjyrat më të errëta dhe të papërshtatshme, që të kujtojnë 1997 dhe sidomos “21 Janarin”. Aman, Rama po zbehet prej vetë pushtetit të tij cinik dhe të lodhshëm, shumë herë pa rregulla dhe krejt spontan. Kryeministri ka kohë që e ka marrë mësimin, ndërkohë që qëllimi është që me anë të opozitës dhe sjelljes së saj, të ulë ose të heqë nga axhendat fuqinë e pushtetit të Institucioneve të Pavarur ato që e monitorojnë dhe si në rastin e mandatit “Xhaçka” i treguan kufirin.
Mbrojtja e Institucioneve dhe Pushteti përballë Dhunës tashmë janë tema kryesore në Shqipëri në një demokraci që po fut ujë ngado. Historiani Snyder në korpusin e 20 eseve të tij, duke iu referuar rastit amerikan bëri një kritikë, që janë njerëzit që duhet t’i ruajnë institucionet dhe me këtë rast shtetin. Nëse këta politikanë që na grishin në dhunë, nuk e bëjnë këtë, që e kanë detyrë primare çfarë presin nga ne, që u delegojmë fuqinë. “Mos flit për ‘institucionet tona’, për sa kohë nuk i bën ato të tuat, duke vepruar në mbrojtje të tyre, sepse institucionet nuk e mbrojnë dot veten e tyre”, shtjellon esenë e tij për institucionet Timothy Snyder. Historia i ka dhënë raste pa fund, por historia jonë e flet vetë, që duke mos respektuar Institucionet i përkulemi me vullnet Pushtetit dhe Dhunës. Zgjidh një institucion dhe mbroje (!), është deviza e Snyder që nuk lidhet fare me parlamentarët tanë, qoftë të Majtë apo të Djathtë. Më së shumti, atyre që po fshihen nën hijen e Berishës dhe mezi presin t’i zënë vendin atyre nën hijen e Ramës. (Homo Albanicus)
What's Your Reaction?