“Gjenocidi” juridik dhe kushtetueshmëria!

Nga Liridona Beqiri Në llogoret e politikës po enden kaçakë, bisha e “patriot” të montuar që flasin me zërin e dubluar nga figura që në mënyrë konstante rrënojnë integritetin e shqiptarëve në çdo formë. Pas perdes të teatrit moral që luajnë, të kapur për gryke, paturpësisht legjitimojnë masakrën politike antishqiptare nga aktorë të caktuar e […]

Tetor 10, 2024 - 11:30
 0
“Gjenocidi” juridik dhe kushtetueshmëria!

Nga Liridona Beqiri

Në llogoret e politikës po enden kaçakë, bisha e “patriot” të montuar që flasin me zërin e dubluar nga figura që në mënyrë konstante rrënojnë integritetin e shqiptarëve në çdo formë. Pas perdes të teatrit moral që luajnë, të kapur për gryke, paturpësisht legjitimojnë masakrën politike antishqiptare nga aktorë të caktuar e që turravrapin s’po e ndalin dot. Kjo klasë politike ose nuk e ka kapacitetin t’i kuptojë skenaret e nëndheshme nacionaliste antishqiptare, ose që të gjithë kanë të njejtën pasqyrë në shtëpi (paraqitje besinke e vetes), e në të dalur prej shtëpie në shikimin e vetvetes ju reflektohet babloku përbindësh i cili j’ua shkruan veresite e tyre politike.

“Arritja madhështore” e rradhës- shfuqizimi i “balancuesit”- mekanizmit që përdorej për të zbatuar obligimin kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, që buron nga Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001, dokumenti i vetëm paqëruajtës që garanton stabilitetin në vend në çdo segment. Nga shumë “ekspertë juridik” që ka pozita shqiptare, askush nuk reagoi mbi rolin, pozitën dhe parimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese e cila është e detyruar të analizojë ligjshmërinë e Kushtetutës si akt me i lartë juridik, mbi të gjitha nën udhëheqjen e parimit të të drejtave të njeriut. E në këtë rast, Gjykata Kushtetuese nuk është e drejtë, pasi nuk merr për bazë të drejtën kolektive të një kombi të caktuar, në këtë rast të shqiptarëve dhe në mënyrë precedane cënon sigurinë juridike.

Kjo ligjshmëri brenda shtetit në kornizën kushtetuese është në pajtim vetëm më një parim-përmbushja e premtimit të programit zgjedhor të partisë të VMRO DPMNE-së e cila në fokus të veçantë kishte heqjen e balancuesit dhe përmes tij degradimin e shqiptarëve. Nga këtu kjo Kushtetutë ideologjike, shërben vetëm si dekor për regjimet shtypse të politikave nacionaliste, ndërsa shqiptarët qeveritar (duke e tepruar shikimin në pasqyrë) ende besojnë që me këtë kushtetueshmëri po proklamojnë rendin demokratik të vendit.

Konstitucionalistët e mirëfilltë e dinë që qytetarët si epiqendër e këtij akti juridik duke votuar kushtetutën legjitimojnë shtetin dhe atë e furnizojnë me pushtet për të udhëhequr me politika në mbrojtjen e interesave të përgjithshme, aq më shumë atyre që janë ndërkombëtarisht detyrim për cdo shtet, standartet nderkombëtare e të drejtave të njeriut, njohja dhe mbrojtja e këtyre të drejtave.

Duke kapërcyer fazën primitive të moralizimit dhe për të ndërtuar kredit moral, gjithmonë në shërbim të konsumit, klasa politike shqiptare vazhdon bën luftën mes shqiptarësh përderisa jemi përballë tendencave për tundim të atomit kombëtar.

Besëlidhja e neveritshme e politikanëve shqiptarë në shërbim të bablokut që ju shfaqet në pasqyrë cdoherë që marrin hovin për të dëshmuar të fortin që sjellin ndryshimin, shton alertin që në këtë hegjemoni dualiste, është më se e domosdoshme nevoja për t’a pastruar trasën politike nga batakçinjtë! Të shëndruar në gërdallë politik, pa asnje argument juridik vazhdojnë ushqejnë “Netflix-in” politik për përpilim të Ligjit që do zëvendësonte mekanizmin e balancuesit, pa shpjegime të qëndrueshme për interpretimin e parimeve kushtetuese që lidhen me përfaqësimin e duhur dhe të drejtë, duke garantuar mbi gjitha sigurinë.

Këto lloj shtirje dhe sentimentalizma, ky lloj panairi qyqar i politikbërjes, dëshmon qartë pozitën inekzistente të shqiptarëve në politikbërje dhe kjo histeri vetëm se kompenson inkompetencën në partneritetin e udhëheqjes së shtetit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.

Shqiptarët duhet të kuptojnë që përsa kohë pranojnë jetë pa përfaqësim dinjitoz e integritet, me qasje individuale që nuk kanë asnjë lloj skrupulli moral e kombëtar, me përçmim kundrejt popullit e me një përbërje zuzarësh nga të gjitha llojet që mufaten prej padijes dhe konkurrencës së padrejtë, me politikanë e oligarkë që marshojnë vazhdimisht, rrezikojnë të mbjellin rrëmujat që mund të sjellë një sistem tjetër qe nuk do i njoh ata. Ky gjakim institucional me bekimin e politikës nacionaliste antishqiptare po zhbën arritjet e një populli kryengritës i cili me përpjekjet për dinjitet dhe përmbysjet e këtyre sistemeve, pushtoi kryetitujt e mediave botërore.

Fatkeqësisht, sot ndjejmë një të historisë!

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.