Politika e jashtme e Ramës si mjet për të konsoliduar pushtetin e brendshëm

Nga Ervis Iljazaj Vizita e Erdogan për të inaguruar Xhaminë e Namazgjasë, përtej debateve për komunitetin mysliman shqiptar dhe ndikimin që ka Turqia në të, ka dhe një aspekt gjeopolitik që u disktua pak ose aspak. Edi Ramës pak i interesojnë debatet e brendshme fetare, ajo që i intereson janë marrëdhëniet gjeopolitike që ai ndërton […]

Tetor 12, 2024 - 02:00
 0
Politika e jashtme e Ramës si mjet për të konsoliduar pushtetin e brendshëm

Nga Ervis Iljazaj

Vizita e Erdogan për të inaguruar Xhaminë e Namazgjasë, përtej debateve për komunitetin mysliman shqiptar dhe ndikimin që ka Turqia në të, ka dhe një aspekt gjeopolitik që u disktua pak ose aspak. Edi Ramës pak i interesojnë debatet e brendshme fetare, ajo që i intereson janë marrëdhëniet gjeopolitike që ai ndërton me liderë të ndryshëm për të konsoliduar pushtetin e tij të brendshëm. Dhe për hir të së vërtetës, deri më tani ja ka dalë.

Është e qartë se ka një protagonizëm të Edi Ramës në politikën e jashtme. Madje kohët e fundit, Edi Rama kalon më shumë kohë nëpër samite ndërkombëtare se sa merret me çështjet e politikës së brendshme. Edhe jetën parlamentare, aty ku duhet të jetë dhe të japë llogari ja ka lënë në dorë ministrave të tij, kryesisht grave.

Duket që politika e jashtme është kthyer në politikën e brendshme të Edi Ramës. Protagonizmi në marrëdhëniet ndërkombëtare është kthyer në kalin e tij të betejës për pushtetin e tij të brendshëm. Aq shumë e vërtetë është kjo, sa që shumë nga ata që përbëjnë opinionin publik në Shqipëri e akuzojnë se ka kapur të gjithë ndërkombëtarët, dhe se këta të fundit po mbështesin një regjim autokratik në Tiranë. Vetëm se gjeopolitika nuk ka parime, por thjesht interesa. Ata që mbështesin Ramën, e bëjnë sepse këtu në Tiranë ai i ka dhënë atyre gjithçka që ata i kanë kërkuar.

Për shembull, Giorgia Meloni, i ka dhënë marrëveshjen për emigrantët. Erdogan-it, gjithashtu i ka premtuar largimin e gylenistëve në Shqipëri. Edhe vizita e shumëpërfolur e Blinken-it në Tiranë u bë në kuadër të një vizite gjeopolitike. Për shembull hapja e bazës së NATO-s në Kuçovë.

Duket sikur Shqipëria është kthyer në një pikë ku çdo marrëveshje ndërkombëtare mund të realizohet nëpërmjet Edi Ramës.

A janë të gjitha këto marrëveshje në interes të Shqipërisë ose jo, kjo është një çështje që ha diskutim, por fakti mbetet. Edi Rama po forcon pushtetin e tij të brendshëm nëpërmjet marrëdhënieve të tij të jashtme. Me një qeverisje e cila nuk qeveris më, por thjesht menaxhon pushtetin. Me një pushtet i cili s’ka çfarë ti ofrojë më Shqipërisë pas një konsumimi 12 vjeçar dhe me nje SPAK i cili mund të përbëjë një kërcënim në çdo kohë për pushtetin e tij, duket sikur të vetmin shpëtim Rama po e gjen te ndërkombëtarët dhe te mbështetja që ata i japin.

Si të thuash, Edi Rama po j’ua ofron Shqipërinë për të ruajtur konjukturën e tij të pushtetit. Dhe këtë po e bën pa pyetur njeri, pa u konsultuar me qytetarët, apo pa kaluar në filtrat e procedurës demokratike të vendim-marrjes. Thjesht e bën për konsolidimin e pushtetit të tij.

Jo nga të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare Shqipëria fiton, por kjo ka pak rëndësi për logjikën e pushtetit dhe mentalitetit të tij. Për shembull, ende nuk dihet se çfarë përfiton Shqipëria nga marrëveshja për emigrantët me Italinë. Deri më tani është thënë thjesht për çështje solidariteti. Një koncept i cili nuk ekziston në gjeopoltikë ku luhen vetëm interesa. Dhe nëse Shqipëria s’ka interesa, atëherë i bie që ti interesojë Edi Ramës për pushtetin e tij personal.

Duket qartë, pra, se Rama ka një avantazh të theksuar me ndërkombëtarët në raport me kundërshtarët politikë. Sidomos me kundërshtarin e tij Sali Berishën, i cili vuan izolimin ndërkombëtar si pasojë e shpalljes non-grata. E pikërisht këtë avantazh, pra, politikën e jashtme përballë një kundërshtari non-grata, Edi Rama po e kthen në kalin e betejës dhe kartën e tij fituese në politikën e brendshme. Sepse nëse do të ishte për qëverisjen e brendshme dhe çfarë ajo ka sjellë për qyetarët shqiptarë deri më tani, pushteti i tij do të ishte vërtet në rrezik. Këtë prioritet ndërkombëtar Rama e ka si meritë të tij, por edhe si dhuratë nga një opozitë që ende vazhdon ti mbajë shpresat te një lider që ka zero komunikim me aleatët ndërkombëtarë të Shqipërisë.

Fatkeqësisht, në Shqipëri mbetet për momentin i vetmi aleat i ndërkombëtarëve dhe për këtë gjë është i ndërgjegjshëm. Prandaj edhe arroganca e pushtetit të tij sa vjen e rritet. Kjo nuk do të thotë aspak se është faji i aleatëve ndërkombëtarë të Shqipërisë. Kjo është thjesht paaftësia e një opozite që sot për sot nuk ka asnjë aleat ndërkombëtar.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.