Disa fakte nga vendimi i parë i GJEDNJ mbi kapjen e të dhënave të koduara

                                                                Nga avokat Gurali Brahimllari  Më 17 tetor 2024, GJEDNJ publikoi vendimin e datës 24 shtator për dy kërkesa të veçanta të shtetasve anglez A.L […]

Tetor 18, 2024 - 17:00
 0
Disa fakte nga vendimi i parë i GJEDNJ mbi kapjen e të dhënave të koduara

                                                                Nga avokat Gurali Brahimllari

 Më 17 tetor 2024, GJEDNJ publikoi vendimin e datës 24 shtator për dy kërkesa të veçanta të shtetasve anglez A.L etj si dhe E.J, Angli, kundër Republikës Franceze. Vendimi, ashtu sikurse pritej, ka ngjallur interest të veçantë jo vetëm të profesionistëve të ligjit, por edhe për mediat dhe opinionin publik, për shkak se për herë të parë, GJEDNJ kishte për shqyrtim një çështje që lidhej me pretendimet për shkeljen e të drejtave të mbrojtura nga Konveta për shkak të kapjes së të dhënave të përdoruesve të një prej platformave të koduar, me pasojë përdorimin e tyre në proceset penale. Sipas përmbajtjes së vendimit del se, prokurori publik në Lilë,  29 janar 2020 i ka kërkuar Gjykatës autorizimin për të kryer kapjen e të dhënave në të gjitha pajisjet e lidhura me rrjetin EncroChat. Gjykata ka dhënë pesë vendime për kryerjen e përgjimeve si dhe për zgjatjen e afateve të tyre, duke përcaktuar qëllimin e ndërhyrjes për kapjen e të dhënave të platformës

Në këtë vendim sqarohet se për ndjekjen e problematikave të EncroChat, janë përfshirë, fillimisht “Eurojust” dhe më pas edhe “Europol” të cilët kanë organizuar disa takime, jo vetëm për formimin e një grupi të përbashkët hetimor, mes autoriteteve franceze dhe holandeze, por edhe për të informuar homologët e vendeve të tjera të Bashkimit Europian mbi te rejat që priteshin nga hetimet që ishin duke u kryer. Në disa prej takimeve të periudhës 22 janar – 21 shkurt 2020, grupi i përbashkët i hetimit ka njoftuar edhe autoritetet BRITANIKE mbi operacionin e planifikuar, duke u ofruar, paraprakisht, vënien në dispozicion të dhënave që do të kapeshin nga bisedat e përdoruesve të vendosur në territorin e Anglez.

Rezulon se zbatimi i vendimit të Gjykatës Franceze është vonuar për shkak se xhandarmërisë i është dashur kohë të përzgjedhë subjektin e duhur për krijimin e mjetit Teknik të përshtatshëm, që do të realizonte kapjen, ruajtjen dhe transferimin e të dhënave, sipas përcaktimeve të legjislacionit Francez të ndryshuar në vitet 2013 – 2019. Ndërkohë, me kërkesën e Agjencisë Kombëtare Britanike të Krimit, në datën 11 mars 2020, Komisionerët Gjyqësorë, kanë dërguar Urdhërin Europian të Hetimit për marrjen e të dhënave që do të kapeshin nga autoritetet Franceze për përdoruesit anglezë të EncroChat.

Nga vendimi i Strasburgut bëhet e ditur se paisja teknike ka bërë të mundur të mbledhë të dhënat e para në datën 01 prill 2020 dhe ka përfunduar në datën 02 Korrik 2020, ndërsa polica gjyqësore ka mbajtur të informuar Gjykatën, në mënyrë periodike, për rezultatet e hetimeve. Nga vendimi rezulton se ndërhyrja në serverat e platformës EncroChat, ka bërë të mundur kapjen në formën reale, të çkoduar të të dhënave, të cilat i janë përcjellë, trasferuar, krahës të tjerëve, edhe autoriteteve ligjzbatuese në Angli.

Mbi bazën e këtyre të dhenave të kapura nga platforma EncroChat, hetuasit Angleze, arritën të identifikonin, ndër të tjera edhe dy përdorues që shkëmbenin komunikime, gjatë të cilave një individ i dha udhëzime tjetrit për të mbledhur disa kilogramë kokainë dhe heroinë.  Personat janë mbajtur në vëzhgim policor, ndërsa në datën 18 maj 2020 kanë kapur shkëmbimin e mesazheve në lidhje me marrjen e një ngarkese me lëndë narkotike nga jashtë.

Të nesërmen, më 19 Maj 2020, përdoruesi “O”, i EncroChat u arrestua me 10 kg heroinë. Në të njëjtën datë, është ushtruar kontroll në adresën e tij, ku janë sekuestruar 28 kg heroinë, 10 kg kokainë, një prese hidraulike, 37,735 GBP cash, si edhe disa telefona, duke përfshirë një pajisje të pajisur me EncroChat. Pra personi O, jo vetëm u identifikua në mënyrë të sigurtë, por edhe u kap në flagrancë si mbajtës i provave materiale të sekuestruara, vlera e të cilave, nëse do shiteshin me pakicë, ishte rreth 4.6 – 4.8 milion paund.  Pas një muaj, më 18 qershor 2020, u arrestua edhe njëri nga aplikantët, sepse nga bisedat e shkëmbyera “falë regjistrimit të diskutueshëm”, hetuesit angleze e akuzuan si urdhërdhënës të “O”-së. Aplikanti u akuzua për bashkepunim kriminal (konspiracion) për të importuar në mënyrë të paligjshme kokainë dhe heroinë dhe për të poseduar në mënyrë të paligjshme këto lëndë narkotike.

Ndërsa për aplikantin e dytë, i cili u arrestua më 16 qershor 2020, hetimet kishin filluar në Angli për shkak nga kapja e të dhënave në Encrochat, ishte zbuluar veprimtaria e një organizate kriminale me bazë në Liverpool, e cila merrej me ruajtjen dhe shitjen me shumicë të lëndëve narkotike. Nga shkëmbimet e komunikimve, u zbulua gjithashtu se katër anëtarë të këtij grupi kriminal, përdorues të EncroChat, kishin planifikuar të vrisnin tre persona si hakmarrje pas një vjedhjeje prej 30 kg kokainë të ndodhur më 23 maj 2020. Aplikanti i dyte, (ashtu si edhe i pari) ka mohuar të ishte përdorues i EncroChat. Ai u akuzua për bashkëpunim criminal (konspiracion) për furnizim me kokaine dhe heroinë, si dhe për të kryer tre vrasje. Çështja është në gjykim para Gjykatës së Kurorës në Liverpool.

Ndonëse aplikantët kanë qenë duke kundërshtuar arrestimin, përpara gjykatave angleze, mbrojtësit e tyre kanë zgjedhur të ngrene çështjen në GJEDNJ, duke paditur shtetin Francez, në lidhje me shkeljen e të drejtës së privatësisë nga kapja e të dhënave në mënyrë të paligjshme dhe transferimin e tyre në kundërshtim me legjislacionin Francez. Nga aplikimi i tyre në GJEDNJ, rezulton se nuk është ngritur asnjë ankesë në lidhje me veprimet e organeve ligjzbatuese në Angli, të cilat kanë përdorur përmbajtjen e teksteve të komunikimeve për arrestimin në flagrancë, rregjistrimin e procedimit dhe mbajtjen në paraburgim. Pasi ka dërguar pyetje për palët dhe ka marrë përgjigjet e trye me shkrim, në përfundim të gjykimit GJEDNJ “konstaton se ata (aplikuesit) nuk kanë përmbushur kërkesat, shterimin e mjetet të brendshme të ankimimit dhe e shpall të papranueshme kërkesën/pretendimin për shkelje të nenit 8 në zbatim të nenit 35 §§ 1 dhe 4 të Konventës”      

Pra, edhe pse, ndryshe nga sa vijon “tymnaja” e disa mediave në Shqipëri, GJEDNJ nuk e ka zgjidhur në themel, çështjen e Aplikantëve anglezë, madje nuk është shprehur, në asnjë rresht, në lidhje me ligjshmërinë e përmbajtjes së komunikimeve, për shkak se objekt ankimi para saj ka qenë vetëm shkelja e të drejtave të aplikanteve nga veprimet e kryera prej autoriteteve Franceze për kapjen e të dhënave dhe trasferimin e tyre në Angli.

Është për t’u vlerësuar fakti se kur është referuar në vendim PËRMBAJTJES së komunikimeve që kanë çuar në arrestimin në flagrance dhe sekuestrime të provave materiale në Angli, Gjykata ka përdorur shprehjen “falë regjistrimit të diskutueshëm”, duke e lënë krejtësisht të hapur diskutimin në lidhje me përdormin si provë të transkripteve të komunikimeve. Ky përfundim del edhe nga fakti se Gjykata ka përshkruar dhe mbajtur në konsideratë në këtë vendim, përmbajtjen e legjislacionit francez që disiplinon KAPJEN E TË DHËNAVE kompjuterike si dhe MBROJTJEN E TË DHËNAVE të qytetarëve, duke shmangur totalisht çdo dispozitë që rregullon përgjimin e komunikimeve (nenet 100 – 100-8 dhe 706-95-20 të K.Pr.Penale)

Gjithsesi, vendimi i publikuar në dt 17 Tetor 2024, merr rëndësi të posaçme dhe do të ketë ndikim esencial në lidhje me disa prej problematikave më të debatueshme, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në organet ligjzbatuese të vendeve të tjera Europiane e më gjerë sepse:

Së pari: Konfirmohet fakti se edhe në Angli, ashtu si në vendet e tjera Europiane, vendimet perkatëse për bashkëpunim ndërkombëtar janë realizuar përpara ose gjatë dinamikës së veprimeve hetimore të autoriteteve Franceze për kapjen e të dhënave nëpërmjet përdorimit të mjeteve teknike me aftësi të veçanta, të vendosura në platformat e koduara. Prandaj edhe procedimi penal ka qenë ose është rregjistruar gjatë kohës së ndërhyrjes në platformat përkatëse të koduara, duke përdorur në kohë, reale të dhënat e komunikimeve,  sitatë krejt e ndryshme nga sa ka ndodhur në rastet që po shqyrtohen në vendin tonë në çështjet e SkyECC, kur dihet se me  transkriptet e ardhura nga autoritet Franceze,  u regjistruara procedime penale për hetimin e ngjarjeve të ndodhura shumë vitee më parë.

Së dyti: Në rastin e aplikantëve Anglezë, del se të dhënat e Encrochat, jo vetëm që janë përcjellë në kohe reale, por edhe se përmbajtja e komunikimeve ka qenë e “çkoduar”, (ndryshe nga rastet e përdoruesve të SkyECC), duke identifikuar në mënyrë të  të sigurtë, përdoruesit e platformës, si dhe arrestimin e tyre në flagrancë, së bashku me sekuestrime të lëndëve narkotike dhe provave materiale (edhe aparatet qe kishin të instaluar platformën Encro Chat).

Prandaj duket se, në rastin e komunikimeve të kësaj platforme,  nuk ka qenë  e nevojshme të zbatohet Vendimi i Këshilli Kushtetues Francez, në lidhje me Çertifikatën e vërtetësisë së deshifrimeve të mesazheve të koduara.

Së treti: Edhe pse përfaqësuesit e shtetit Francez kanë kundërshtuar shkeljen e të drejtave të privatësisë së Aplikantëve (neni 8 i KEDNJ), duke insistuar se autoritetet e tyre ligjzbatuese vetëm  kanë realizuar  kapjen e të dhënave, ndërsa përmbajtjet e komunikimeve nuk i kanë analizuar, po vetëm i kanë  transferuar tek autoritetet Angleze, GJEDNJ jo vetëm i ka konsideruar aplikantët viktimë të shkeljes së të drejtave të tyre të mbrojtura nga neni 8 i Konventës, por edhe ka bërë përgjegjëse Francën për shkeljen, e mundëshme, të të drejtave të aplikantëve.

Së katërti: Duke i legjitimuar aplikantët në ngritjen e çështjes para saj, Gjykata e Strasburgut, ka marrë në analizë të detajuar, përmbajtjen e legjislacionit të brendshëm të vendit të paditur (Franca), brenda objektit të padisë në shqyrtim, duke shqyrtuar shkaqet e ngrituara nga aplikantet në raport me standardet që ofron legjislacioni francez, si edhe normat e gjithpranuara ndërkombëtare, për procesin e rregullt ligjor, në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Së pesti : GJEDNJ ka bërë pjesë të vendimit të saj, arsyetimin e plotë të Këshllit Kushtetues Francez të datë 08/04/2022, në të cilën janë përcaktuara kushtet për marrjen/kapjen e të dhënave të komunikimeve kompjuterike,  që të garantojë procesin e rregullt ligjor dhe posaçërisht, të drejtat e të dyshuarit dhe mbrojtjes së tij, për të njohur vendimet e arsyetuara të gjykatësit francez që ka autorizuar përgjimin dhe/ose ka lejuar zgjaten e afateve të tij, për motivet dhe veprën penale për të cilën është lejuar ndërhyrje në komunikime, procesverbalet që vërtetojnë kohën e instalimit të paisjes përgjuese dhe të heqjes së saj si edhe çertifikatën e autoritetit shkencor, mbi vërtetësinë e deshifrirmit të komunikimeve.

Prandaj, edhe pse GJEDNJ nuk ka dhënë vendim përfundimtar, (për shkak të mos shterimit të mjeteve ligjore), faktet penale dhe rrethanat proceduriale të vendimit të parë të Gjykatës së Strasburgut, si më sipër, nuk duhet të injorohen nga gjykata shqiptare, gjatë shqyrtimit të çështjeve të bazuara mbi transkriptet e përgjimeve të përdoruesve të platformës SkyECC, duke vlerësuar me diligjencën e duhur argumentet e mbrojtjes mbi respektimin e të drejtës së të dyshuarve për procesin e rregullt ligjor, duke zbatuar legjisalcionin shqiptar, normat e gjithpranuara ndërkombëtare, parimet e KEDNJ

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.