Nuk na konsiderojnë njerëz!

Nga Dritan Hila Pas 33 vitesh faktikë në pushtet, përballja me drejtësinë e klasës politike ka nxjerrë jo vetëm banalitetin e tyre në pah: Banaliteti i së keqes, do ta quante filozofja hebreje Hannah Arendt, aftësinë e një njeriu normal dhe mediokër i paaftë të kuptojë vlerën e akteve të tij. Janë njerëz banalisht të […]

Tetor 23, 2024 - 18:00
 0
Nuk na konsiderojnë njerëz!

Nga Dritan Hila

Pas 33 vitesh faktikë në pushtet, përballja me drejtësinë e klasës politike ka nxjerrë jo vetëm banalitetin e tyre në pah: Banaliteti i së keqes, do ta quante filozofja hebreje Hannah Arendt, aftësinë e një njeriu normal dhe mediokër i paaftë të kuptojë vlerën e akteve të tij. Janë njerëz banalisht të zakonshëm që bëjnë keq. Por ky vit nxori në pah edhe arrogancën e tyre pa fre, që vjen nga ky banalitet i tyre. Pasja nëpër duar e miliona eurove; mundësia për t’i shpenzuar ato pa kontroll pasi rishtas mund të fusnin duart në buxhetin e shtetit; atributi për të emëruar njerëz në administratën shtetërore dhe trajtuar si kukulla, pastaj për t’i degraduar pa menduar për fatet njerëzore dhe apatia ndaj këtyre fateve; arroganca ndaj kujtdo që iu pret rrugën apo vë në dyshim intelektin apo veprimet e tyre; përbuzja ndaj tyre dhe mungesa e empatisë për ata që përpiqen çdo ditë të mbijetojnë, shkollojnë fëmijët me sakrifica, kalojnë kalvarin e spitaleve, janë ato që nxori në pah ky vit.

Sharjet e Sali Berishës, epitetet, nofkat që iu ka vënë prokurorëve që kanë marrë guximin të hetojnë bëmat e tij, që nga “lavire bulevardi”, “të degjeneruar”, “spiunë të sigurimit”, “xhelatë”, e të tjera pa fund; sulmet kafshërore kundër kundërshtarëve të tij kudo qofshin, kanë krijuar një kulturë masive llumi dhe shtrese njerëzore që si formim ka atë lloj sjelljeje.

Epitetet që ka përdorur Ilir Meta ndaj prokurorëve të tij janë edhe më të shëmtuara, që nga shtrembërimi i emrave e deri tek krahasimi me kafshë. Kërcënimet me jetë të prokurorëve në sallën e gjyqit janë të pagjetshëm në historinë politike edhe të mbretërve që çoheshin në gijotinë ndaj xhelatëve të tyre apo mafiozëve që çoheshin në burgim të përjetshëm. “Pa të shohim një herë fytyrat si i kanë dhe a do përballojnë dot apo jo”, thotë bashkëshortja e tij me një gjuhë mbretërore, e ngjashme vetëm me arrogancën e Mari Antuanetës kur i thanë që populli i Parisit s’ka bukë të hajë dhe ajo iu rekomandoi të hanë kruasanë.

Është një sjellje që vjen nga moskonsiderimi si qenie të denja për vëmendjen e tyre, nga kthimi në një kastë që e ndjen veten superiore dhe çdo privilegj hyjnor si prerogativë natyrore dhe të merituar. Thjesht habiten sesi mund të merret zvarrë një prej tyre nga ca që nuk i njohin për njerëz vetëm se këtë e thotë ligji; sesi mund të gjykohen për disa miliona euro nga ca që në opinionin e tyre mund të jenë vetëm shërbëtorë! Është një shpërfytyrim i tyre i ardhur nga ndjenja e paprekshmërisë.

Ndërkohë në një univers tjetër Helmut Kohl, kancelari që bashkoi dhe riktheu të madhe Gjermaninë, u telendis nga drejtësia dhe partia e tij për vetëm 320 mijë marka që edhe ato ia kishte çuar partisë dhe në fund kërkoi falje; Berluskoni një gjeni i financave dhe medias u përndoq deri në buzë të varrit nga drejtësia, por e shumta që tha për përndjekësit e tij ishte epiteti “togat e kuqe”; Sarkozy po vuan dënimin kurse Donald Trump paraqitet me një këmbë përpara gjykatave dhe i rri gatitu një sherifi lagjeje. Dhe po flasim për njerëz që kanë drejtuar vende që bëjnë ligjin në këtë planet; që kanë prejardhje familjare të dokumentuara prej shekujsh. Kurse shqiptarët përbuzen nga një klasë politike që vetëm 50 vite më parë mësuesit iu hiqnin morrat në klasë. Ky është banaliteti i së keqes që do kishte llahtarisur edhe vetë Arendtin.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.