SPAK dhe Amnisti: Një rrugë e mundshme për një drejtësi të pranueshme dhe paqe politike?

Nga Carlo Bollino A ekziston një kohë e duhur për të arrestuar një lider politik? Mbaj mend që kjo pyetje përsëritej shpesh në fillim të viteve 1990, kur në Itali shpërtheu operacioni “Duart e Pastra” (Mani pulite), duke inkriminuar një klasë të tërë politike dhe duke çuar në rënien e të ashtuquajturës “Republikë e parë”. […]

Tetor 25, 2024 - 19:00
 0
SPAK dhe Amnisti: Një rrugë e mundshme për një drejtësi të pranueshme dhe paqe politike?

Nga Carlo Bollino

A ekziston një kohë e duhur për të arrestuar një lider politik? Mbaj mend që kjo pyetje përsëritej shpesh në fillim të viteve 1990, kur në Itali shpërtheu operacioni “Duart e Pastra” (Mani pulite), duke inkriminuar një klasë të tërë politike dhe duke çuar në rënien e të ashtuquajturës “Republikë e parë”. ”Nëse e arrestoni para zgjedhjeve ju akuzojnë se doni të dëmtoni partinë e tij; nëse e arrestoni pas zgjedhjeve ju akuzojnë se doni të sulmoni ata që sapo janë zgjedhur; dhe nëse nuk e arrestojnë, thonë se jeni blerë”, komentonte atëherë një nga prokurorët në vijën e parë në luftën kundër korrupsionit.

Cilido të ishte momenti i zgjedhur, prokuroria e Milanos akuzohej gjithmonë nga miqtë e të arrestuarve për “drejtësi me sahat”. Edhe në Itali ka pasur një debat për balancimin e arrestimeve: pse ka më shumë arrestime nga njëra anë dhe më pak nga ana tjetër? Dhe prokuroret u përpoqën të përgjigjeshin se një arrestim bëhet në bazë të provave të gjetura, dhe parashkrimin e krimeve, dhe në çdo rast, vendosja se kush do të arrestohej i pari, duke u përpjekur të mbahej në ekuilibër peshorja politike, do të thoshte të zbatohej pikërisht ajo për të cilën akuzoheshin: “Drejtësia selektive”.

Çështja është shumë komplekse dhe tani po rishfaqet dhe në Shqipëri, ndërkohë që prokurorët e SPAK po intensifikojnë një fushatë gjyqësore shumë të ngjashme në ndikim me atë të “duart të pastra” të zhvilluar nga kolegët e tyre italianë më shumë se 30 vjet më parë, në të njëjtën kohë kur komunizmi sapo kishte rënë këtu. Sigurisht, ka shumë dallime. Në Itali për shembull, as nuk ishte nevoja të shkohej deri në arrest, pasi vetëm edhe njoftimi i nisjes së hetimeve mjaftonte për t’i shtyrë politikanët e përfshirë të jepnin dorëheqjen menjëherë nga postet zyrtare që mbanin. Ndërsa në Shqipëri ata marrin pozicione partiake pikërisht për t’u mbrojtur nga hetimet: kjo ndodhi si me Sali Berishën ashtu edhe me Ilir Metën, të cilët u rikthyen në krye të forcave të tyre politike vetëm pasi SPAK kishte nisur hetimet për ta.

Edhe në Itali arrestimet ishin parandaluese (d.m.th. të urdhëruara shumë përpara gjyqit dhe zyrtarizimit të akuzës) siç e kërkon kodi i procedurës penale për të gjitha arrestimet dhe askush nuk u skandalizua siç dëgjojmë njerëzit këtu. Por ndryshimi më i madh ishte tek respekti ndaj drejtësisë që nuk i ka munguar asnjëherë Italisë. Është e paimagjinueshme të mendosh se kreu i prokurorisë së Milanos do të mund të etiketohej si “qen” siç ndodhi në sallën e gjyqit me Altin Dmanin nga Ilir Meta, apo edhe më keq të kërcënohej publikisht nga i hetuaridyshuari. Menjëherë ai i hetuar do të paditej edhe për kanosje!

Çështja është komplekse dhe sigurisht, brohoritjet e tmerrshme si të një stadiumi që dëgjohen në studiot tona televizive, nuk mund të ndihmojnë për ta qartësuar: Mbrëmë, nga gjashtë emisione debatesh në transmetim që trajtonin këtë temë, 5 ishin si gjyqe politike kundër SPAK-ut dhe në mbrojtje të Ilir Metës dhe Sali Berishës. Por arrestimi i Metës, i mbivendosur me atë të Sali Berishës (në arrest shtëpie jo për akuzat e SPAK-ut, por për refuzimin e tij për të respektuar detyrim paraqitjen), ngre objektivisht një pyetje: Si do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme politike me dy liderë të opozitës në arrest?

Ata që pretendojnë se ky është një skenar i orkestruar nga Edi Rama për të fituar në vitin 2025, shpërfillin faktin se nga viti 2013 e deri më sot Partia Socialiste ka fituar gjithmonë zgjedhjet edhe pa pasur nevojë për SPAK. Dhe nuk ka asnjë analist që nuk e pranon se Rama është i favorizuar edhe për zgjedhjet e ardhshme (siç e tregojnë të gjitha sondazhet e deritanishme) pa qenë nevoja të neutralizojë kundërshtarët e tij përmes gjykatave.

Që kur është në arrest shtëpie, Sali Berisha ka pasur një prezencë shumë më të fortë mediatike se në të kaluarën: çdo ditë mban tubime, organizon konferenca për shtyp, jep intervista, publikon në rrjetet sociale, takohet me delegacione të huaja. Dhe ai vazhdon t’u paraqitet të gjithëve si një viktimë, e cila në politikë nuk bën kurrë keq. SPAK ka treguar deri tani një tolerancë të arsyeshme ndaj tij, pikerisht duke marrë parasysh statusin politik. Të thuash se gjendja e tij si i burgosur po e penalizon politikisht dhe elektoralisht është një shpikje e pastër. Ilir Meta tani për tani i mbyllur në burgun 313 objektivisht nuk mund të angazhohet drejtpërdrejt në politikë, megjithëse shpresohet që edhe atij t’i jepet arresti shtëpiak sa më shpejt që të jetë e mundur dhe për këtë arsye si aleati i tij, do të mund të rifitojë shikueshmërinë maksimale.

Prandaj, të thuash se arrestimi i tyre është një akt subversiv i organizuar për të mbylur gojat e opozitës, është spekulim dhe propagandë politike. Nëse do të ishte vërtet kështu, në fakt do të ishte e lehtë për t’u korrigjuar: Do të mjaftonte që Sali Berisha dhe Ilir Meta të jepnin dorëheqjen përkohësisht nga postet partiake dhe t’ia besonin ato eksponentëve të tjerë të partive të tyre, që të mund të kryenin fushata e ardhshme elektorale në liri të plotë. Përballë peshës së një akti subversiv, dorëheqja do të ishte në fakt një sakrificë minimale dhe e detyrueshme, dhe që ndoshta do të vlerësohej edhe nga elektorati i moderuar, mbështetjen e të cilit ata të dy kërkojnë me dëshpërim.

Por Berisha dhe Meta nuk kanë ndërmend të sakrifikojnë veten dhe aq më pak të heqin dorë nga mbrojtja politike që ata besojnë se kanë falë funksionit të tyre partiak. Beteja e tyre nuk është për të fituar zgjedhjet, por për të rrëzuar kundërshtarin e tyre. Me pak fjalë, është hakmarrje e pastër. Dhe në fakt analistët e tyre, edhe para se t’i kërkojnë SPAK-ut sqarim për vlefshmërinë e provave dhe akuzave të mbledhura (shumë marrin pjesë në debate pa e lexuar as dosjen gjyqësore), këmbëngulin të pyesin me inat se pse nuk arrestohen edhe Edi Rama dhe Erjon Velija.

Lufta politike verbon arsyen dhe ky reagim është i kuptueshëm. Megjithatë, ajo që është e papranueshme është dhuna dhe urrejtja me të cilën dy liderët e opozitës dhe analistët e tyre sulmojnë prokurorët e SPAK-ut, integritetin e të cilëve e njohin vetëm kur godasin kundërshtarët e tyre, por që i linçojnë nëse i godasin edhe në shtëpi. Sot 80 për qind e të arrestuarve dhe të hetuarve nga SPAK janë anëtarë të mazhorancës, por kjo nuk mjafton për opozitën. Skandalet si ai i inceneratorit apo ”5D” kanë sjellë dhjetëra arrestime dhe sekuestrime pasurish, por kjo nuk mjafton për opozitën.

Dhjetëra hetime në vazhdim nga SPAK kanë të bëjnë me tendera dhe marrëveshje të kryera nga qeveria socialiste, por kjo nuk mjafton për opozitën. Opozita kërkon vetëm një gjë: Arrestimin e Edi Ramës dhe Erjon Veliajt dhe kjo për një arsye të vetme: sepse shpresojnë të arrijnë në këtë mënyrë në pushtet. Prandaj nuk është gjendja e tyre si të burgosur ajo që i bën të ndihen të dobët, por fakti që kundërshtarët e tyre janë ende të lirë, duke bërë sikur harrojnë se i humbën zgjedhjet edhe kur të gjithë ishin të lirë. Kjo demaskon mendimet e vërteta të Sali Berishës dhe Ilir Metës: ata duan të fitojnë zgjedhjet falë veprimit të SPAK-ut, të cilin edhe e urrejnë, por duan të përfitojnë nga ai “çmontim demokratik”, viktima të të cilit ata mendojnë se janë.

Në tridhjetë vitet e pandëshkueshmërisë së përjetuar në Shqipëri, ka aq shumë krime për t’u ndëshkuar, saqë beteja e SPAK-ut do të rrezikojë gjithmonë të shfaqet e padrejtë ose selektive për njërën palë ose për tjetrën, kur realisht do të mjaftonte një Drejtësi e Pranueshme. Ndoshta e vetmja reformë reale që duhet të bëjë parlamenti është të shqyrtojë një formë amnistie që i bën të dënueshme vetëm krimet më të rënda të së shkuarës dhe që bën për gjithë të tjerët të fillojnë nga e para. Edhe pse, për të ndëshkuar politikanët e vjetër dhe të korruptuar, mjaftojnë zgjedhësit!

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.