Masakra me tre viktima në Shkodër, avokati Kaziaj: Po shkojmë drejt numrave të ’97 kur kishin të gjithë armë në shtëpi
Tre të vrarë dhe një i plagosur rëndë është bilanci i një atentati mafioz që tronditi Shkodrën pasditen e djeshme, 30 tetor. Viktima
Tre të vrarë dhe një i plagosur rëndë është bilanci i një atentati mafioz që tronditi Shkodrën pasditen e djeshme, 30 tetor.
Viktima mbetën Hamza Lici, 23 vjeç, vëllai i Ibrahim Licit, Arlind Bushati, 32 vjeç dhe Flutura Basha, 56 vjeç. Në gjendje të rëndë është bashkëshorti i saj, Bashkim Basha.
Teksa Lici dyshohet se ishte shënjestër e atentatit, Flutura Basha ndodhej në vendin dhe kohën e gabuar. Benzi me të cilin udhëtonte Lici dhe Bushati humbi kontrollin dhe përplasi motorin me të cilin lëviznin Flutura dhe Bashkim Basha. 56-vjeçarja humbi jetën për shkak të plagëve të marra.
Në “Quo Vadis”, në Vizion Plus, nën moderimin e Pranvera Borakajt, mbrëmjen e sotme ishte avokati Altin Kaziaj, i cili i shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave. Avokati tha se organet e rendit dhe policia kanë për detyrë të parandalojnë ngjarjet kriminale dhe të sigurojnë jetën e qyetarëve. Arlind Bushati kishte denoncuar më 11 tetor se dy persona të armatosur kishin tentuar ta vrisnin në mes të qytetit, por fatmirësisht arma ishte bllokuar duke rezultuar në një atentat të dështuar. Megjithatë Bushati nuk arriti që t’i shpëtonte breshërisë së djeshme të plumbave.
Altin Kaziaj: Janë një seri ngjarjesh që na tregojnë se jemi në luftë civile. Kryeministri thotë “hëngshi kokat”, por policia dhe të gjitha organet e rendit kanë për detyrë të parandalojnë këto ngjarje kriminale, sidomos në rastet e denoncimit. Zotëria ka shkuar dhe ka denoncuar dhe policia nuk i ka dhënë mbrojtjen e jetës. Hetimet e bëra me metoda policeske, duhet t’i jepnin mbrojtje personit në vetvete. Është një tregues i qartë i një fryme politike. Policia e Shtetit është pasojë e një gjendje të paracaktuar nga kjo forcë politike e cila po numëron të vdekurit. Po shkojmë drejt numrave të ’97 kur kishin të gjithë armë në shtëpi. Një person i pafajshëm ka humbur jetën dhe një tjetër po lufton për jetën. Në çdo 6 muaj këtu ndryshon ministri i Brendshëm, dhe asnjëherë nuk kemi pasur dorëheqjen për shkak të ngjarjeve të tilla./vizionplus.tv
What's Your Reaction?