Pensioni social si zgjidhje kushtetuese
Nga Mero Baze Edi Rama po përpiqet t’u sqarojë pensionistëve shqiptarë skemën e vështirë të pensioneve, e cila është skemë piramidale e pastër. Kontributet e ekonomisë për skemën e pensioneve janë më të vogla se sa pensionet që shpërndahen aktualisht. Thënë shkurt, skema është e falimentuar. Natyrisht nuk është Shqipëria vendi i vetëm që e […]
Nga Mero Baze
Edi Rama po përpiqet t’u sqarojë pensionistëve shqiptarë skemën e vështirë të pensioneve, e cila është skemë piramidale e pastër. Kontributet e ekonomisë për skemën e pensioneve janë më të vogla se sa pensionet që shpërndahen aktualisht. Thënë shkurt, skema është e falimentuar.
Natyrisht nuk është Shqipëria vendi i vetëm që e ka këtë hall. E kanë dhe vende shumë më të zhvilluara. Në Perëndim këtë hall po e zbut emigracioni i ri, që regjistrohet dhe formalizohet si fuqi punëtore.
Problemi që ka Shqipëria, është se ekonomia e sotme mban me pensione një gjeneratë të moshuarish që janë gati sa dyfishi i këtyre që punojnë sot.
Pra kjo skemë vuan mes të tjerash dhe diferencën e numrave mes dy gjeneratave, asaj që merr pension dhe asaj që kontribuon për pensionet.
Problemi tjetër më i dhimbshëm është se kjo skemë është e falimentuar edhe me pensione të ulëta, e jo më me pensione të rritura drejt minimumit jetik.
Pra edhe pse pensionet janë shumë të ulëta, skema prapë është e falimentuar.
Opozita, e cila e ka kryetarin e saj pensionist, ka një sjellje jopolitike ndaj këtij problemi, duke thënë gjëra populiste, pa asnjë vlerë. Kryetari i parties, që është dhe një nga pensionistët më të pasur të Shqipërisë, herë pas herë lëshon broçkulla rreth pagave dhe pensioneve, ndërkohë që ka pasur të ardhurat më të ulëta në skemë gjatë kohës që ka qeverisur.
Në këto kushte debati nuk bëhet më si të fuqizohet skema, duke rritur natyrisht kontributet për pensionet. Por si ta kompensojë qeveria skemën.
Kompensimi i skemës kërkon pak më shumë se 1 miliard euro në vit, nëse do të arrish një minimum pensionesh të pranueshme.
Në këto kushte qeveria duhet të guxojë dhe të gjejë një zgjidhje sociale për pensionet, pa ndërhyrë në financimin e skemës. Zgjidhja është përcaktimi i minimumit jetik të Shqipërisë, që e ka detyrim kushtetues, dhe kompensimin e çdo pensionisti me një pension social, që shkon tek kufiri i minumimit jetik. Pra nëse minimumi jetik rezulton 250 euro, atëherë qeveria të kompensojë me pension social çdo pensionist derisa t’i shkojë shuma 250 euro. Kjo zgjidhje, edhe nuk e prek skemën e pensioneve, edhe rrit përgjegjësinë e qeverisë për qytetarët e saj, duke i kompensuar ata për minimumin jetik, i cili është dhe detyrim kushtetues.
Ndryshe sqarimi i pamundësisë së ndërhyrjes në skemën e pensioneve do të bëhet një debat dëshpërues, pasi të moshuarve të sotëm, nuk mund t’u tregosh ëndrrat e së ardhmes, përveç atij kryepensionistit që shpreson të vijë në pushtet, në moshën 84 vjeçare.
What's Your Reaction?