PD-së i ka humbur populli, jo kauza

Nga Ben Andoni Kauza e PD-së e këtij momenti dhe e gjithë kësaj fushate, pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025, është kërkesa për “Qeveri teknike”, që do të çoj në zgjedhje të ndershme. Pavarësisht se zgjedhjet e fundit janë njohur me të gjitha moritë e problematikave dhe me dosjet e ankesave të […]

Nëntor 2, 2024 - 18:00
 0
PD-së i ka humbur populli, jo kauza

Nga Ben Andoni

Kauza e PD-së e këtij momenti dhe e gjithë kësaj fushate, pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025, është kërkesa për “Qeveri teknike”, që do të çoj në zgjedhje të ndershme. Pavarësisht se zgjedhjet e fundit janë njohur me të gjitha moritë e problematikave dhe me dosjet e ankesave të tyre, PD-ja me të gjithë të drejtën e saj këmbëngul që kjo rrugë është më e mira për të shkuar drejt një palë zgjedhje të pakundërshtueshme nga palët! Kuptohet se kjo mbetet për t’u gjykuar, pasi në asnjë rast kur ka humbur (veç rastit të fundit të vitit 2013, që e pranoi de jure dhe pastaj de facto u përpoq që ta hidhte poshtë), nuk ka pranuar verdiktin apo të ketë bërë Mea culpa për militantët e përkrahësit e saj. Në asnjë situatë paszgjedhore, nuk është bërë analizë, paçka se zyrtarët e saj të thonë se kanë bërë analiza të thella në bazë. E kupton kur flet me njerëz të PD-së se janë të paqartë, ashtu si vetë njerëzit që e drejtojnë. Për fatin e keq, mendjet e qeta dhe të hapura jo vetëm që nuk kanë arritur ta drejtojnë atë, por çkado fjalë që është thënë dhe shprehet nga Berisha atje kthehet sakaq në normë dhe rrjedhë narracioni. Që nga ofendimi për SPAK-un, që tashmë “paradoksalisht” është në kreditet më të larta; mbështetja për arrestimin e ish-presidentit Meta (jo procedurën e arrestimit të tij, që mbetet një nga momentet më të këqija të institucioneve të shtetit); mbrojtjen pa kushte të Belerit, pavarësisht problematikave që përmbledh emri i tij; apo problematikat më të mëdha që lidhen me individin shqiptar, që nga pensionet, deri te çmimet e kështu me radhë, kemi një opozitë që vuan më shumë për të përcjellë zërin e saj tek njerëzit. Jo më kot, ende nuk kanë një zë për diasporën, që duhet të drejtonte një nga sfidat më të mëdha të procesit zgjedhor të viteve të fundit dhe ku Rama e ka nga prioritetet kryesore. Për të gjitha këto dhe jo vetëm, si edhe me zërat cinikë të drejtuesve të saj, Noka-Bardhi-Paloka drejtuar publikut për mefshtësinë apo indiferencën, duhet të shikojnë sesi kanë humbur njerëzit, ndërkohë që kauzat janë aty dhe po ndihen shumë më tepër falë SPAK-ut dhe medias, por më shumë nga të gjitha, ato që njerëzit i ndjejnë dhe i vuajnë në kurriz. Ndaj, më shumë se çdo gjë në këto muaj të fundit para zgjedhjeve, PD-së i duhet populli, ai që i është larguar nga politika e tyre prej diferencës së të ashtuquajtur elita dhe klaneve, nga ngulfatja e Berishës mbi çdo strukturë dhe mbi të gjitha nga ajo që publikut nuk i jep më shpresë. Eh sa për zgjedhjet, nuk ka njeri që të besojë plotësisht se PD do të bënte zgjedhje të mira. Janë ende të hapura shumë nga bëmat e tyre, ashtu si edhe tandemit të tyre, PS, me të cilin tashmë po konfliktohen. Harrojnë se njerëzit besojnë më shumë në variantin e Mark Twain: “Nëse votimi do të bënte ndonjë ndryshim, ata nuk do të na linin ta bënim fare”. Javanews

 

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.