SPAK mund ta zhdukë “leninizmin” nga klasa politike

Nga Martin Leka Ai, SPAK-u, ka në dorë ligjin dhe terma rreth tij. Por përtej kësaj, ky organizëm kushtetues duket se ka në dorë edhe të ardhmen prosperitive të vendit. Në shkollën e mesme, një ndër lëndët, që quheshin shoqërore, kishim dhe lëndën “marksizëm-leninizëm”. Ishte një libër i kuq. Ajo që na kishte mbetur në […]

Nëntor 3, 2024 - 14:30
 0
SPAK mund ta zhdukë “leninizmin” nga klasa politike

Nga Martin Leka

Ai, SPAK-u, ka në dorë ligjin dhe terma rreth tij. Por përtej kësaj, ky organizëm kushtetues duket se ka në dorë edhe të ardhmen prosperitive të vendit.

Në shkollën e mesme, një ndër lëndët, që quheshin shoqërore, kishim dhe lëndën “marksizëm-leninizëm”. Ishte një libër i kuq. Ajo që na kishte mbetur në mendje nga ky libër, ishte postulati i famshëm që përbënte gjithë doktrinën bolshevike, leninizmin: “Kur themi Partia, nënkuptojmë Lenini, kur themi Lenini, nënkuptojmë Partia”.

Siç mund ta shikoni, fjala “partia” është shkruar me të madhe dhe është gabim. Atëherë, nëse do ta shkruaje me “p” të vogël, mësuesi do ta rrethonte “P” me laps të kuq dhe përveçse do të ishte gabim drejtshkrimor, do të ishte dhe gabim parimor. Sepse partia atëherë ishte emër i përveçëm.

Pa u futur në terma të politikës akademike, po thjeshtohemi në terrenin praktik shqiptar, të njohur nga të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht intelektit të tyre.

Partitë kryesore shqiptare janë kthyer praktikisht parti leniniste. Janë parti të liderëve të tyre.

Partia Demokratike është parti berishiste. Leniniste. Eshtë parti e Sali Berishës. Pa atë, edhe aq sa është rrudhur, do të ishte minore, po aq sa partia e Nard Ndokës. Edhe vetë demokratët, kush nën zë e kush me zë, e dinë dhe e thonë. Në protestën kundër krimit të shtunen në Shkodër, pyetjes së një gazetari anëtar i strukturave të Partisë Demokratike se pse ke dalë sot në protestë, një grua ju përgjigj: “kam dalë se jam demokrate e flaktë, nuk ju tradhëtoj ju kurrë”, ndërkohë që në sfond dëgjoheshin dy zëra si të cjerrë që bërtisnin emrin Berisha. Për më tepër, në një protestë që ishte një marshim kundër krimit makabër të pak ditëve më parë e që duhej të kishte mesazhe të forta, mesazhi më i artikuluar ishte lirimi i Sali Berishës. Partia dhe “Lenini” janë një!

Partia e Lirisë, ish- Lëvizja Socialiste për Integrim, është parti e atij që e themeloi. Leniniste. Eshtë parti e Ilir Metës. E themeloi dhe ndikoi politikën jo vetëm në atë pak anëtarësi, por edhe më tepër se kaq, falë pragmatizmit në bazë interesi (jo politik) në politikën qeveritare. Herë me Berishën kundër Nanos e herë me Ramën kundër Berishës e herë kundër Ramës me Saliun, kjo parti është bërë lavjerrësi që e luan lideri sipas oreksit e midesë së tij. Meta e krijoi, iku president e ja la gruas, la presidencën e i mori gruas partinë. “Lenini” dhe partia janë një!

Partia “Socialiste” sot është partia e Edi Ramës. Leniniste. Në forume flet Rama e pas tij mbledhja mbyllet. Në debate, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk del asnjë ministër. Ministrat janë mbyllur në një tunel e dëgjojnë liderin. Presin, më kot, ndonjë lajmës tu thotë ndonjë porosi nga shefi nëse duhet të flasin. Dhe nëse flasin, nuk ka shans të mos e kenë një fjali për prolog e epilog “nën udhëheqjen e Edi Ramës apo sic ka thënë Edi Rama”… Pra, bëhen kopje e keqe e liderit të tyre. Sepse partia dhe “Lenini” janë në simbiozë e nuk ka shans të jenë njëri pa tjetrin.

Përtej këtyre partive, në skenën politike shqiptare janë shfaqur disa parti që drejtohen nga disa të rinj. Këto parti, edhe pse ndaj tyre ka një nihilizëm të theksuar, edhe pse sot janë të reja e të vogla, mund të bëjnë një ndryshim të madh e të jenë një shembull kundër doktrinës leniniste.

Në ndihmë të një ndryshimi të madh e të pritshëm, na shfaqet SPAK, I votuar edhe nga “leninistët”,  i cili nuk ka lidhje me doktrinat politike, por vetëm më ligjin. Po si dhe në ç’mënyrë?

SPAK ka nën arrest shtëpiak e akuzë për korrupsion kryetarin e PD, politikan e lider partie prej më shumë se 30 vitesh, Sali Berisha. SPAK ka nën arrest me burg për korrupsion ish-presidentin e kryetarin e ish-Lëvizjes Socialiste per Integrim, sot partia e Lirisë, Ilir Meta, politikan prej më shumë se 30 vitesh. SPAK ka të dënuar me burg, në arrest dhe nën akuzë dhjetra bashkëpunëtorë të kryeministrit Rama përfshirë ish-zëvëndësin e tij, ministra, deputetë, kryetarë bashkishë e dhjetëra zyrtarë të tjerë, për të cilët Rama ka përgjegjësi, në mos juridike, morale e politike padiskutim.

SPAK, duke përdorur vetëm gjuhën dhe forcën e ligjit, do mund t’i heqë opozitës së Berishës e Metës, (përfshirë Adriana Kalanë) arësyen e protestës së përjavëshme para Bashkisë së Tiranës…

SPAK mund ti heqë protestuesve të përnatshëm arësyen për të dalë në rrugicë poshtë ballkonit të Salës…

SPAK vetëm me forcën e ligjit mund të shkulë leninizmin nga politika shqiptare.

V.O (Nuk është çudi që vetë Edi Rama, para zgjedhjeve, mund ti heqë opozitës kauzën e saj, atë të mosbindjes (të ashtuquajtur) civile)

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.