Zërat nga brenda “Ferrit” në Tokë, ulërima për paqe në Gaza

Heshtja ndonjëherë vret më shumë se bombat apo lufta… sepse historitë e patreguara janë të destinuara të përsëriten. Që prej 7 tetorit të kaluar e deri më 29 tetor të këtij viti, bilanci zyrtar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për luftën dhe sulmet e Izraelit në Gaza është: mbi 43 mijë persona të vrarë. […]

Nëntor 3, 2024 - 20:30
 0
Zërat nga brenda “Ferrit” në Tokë, ulërima për paqe në Gaza

Heshtja ndonjëherë vret më shumë se bombat apo lufta… sepse historitë e patreguara janë të destinuara të përsëriten.

Që prej 7 tetorit të kaluar e deri më 29 tetor të këtij viti, bilanci zyrtar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për luftën dhe sulmet e Izraelit në Gaza është: mbi 43 mijë persona të vrarë. Prej tyre mbi 13 mijë janë fëmijë, të gjithë të pafajshëm. Gjithashtu edhe mbi 7 mijë gra humbën jetën bashkë me mijëra burra dhe të moshuar të tjerë.

Mbi 100 mijë janë plagosur dhe dhjetëra struktura spitalore u rrënuan në themel. Shifra këto që tregojnë pak nga horrori që ndodh çdo minutë në një enklavë të Palestinës të shkatërruar thuajse plotësisht, tashmë të kthyer në ferrin më të keq mbi tokë. Zërat nga brenda Gazës na kanë treguar kushtet e mjerueshme me të cilat jetojnë, duke nisur nga mungesa e një strehe mbi kokë, ushqimi, uji i pijshëm e deri tek pasiguria që e nesërmja mund të mos i gjejë të gjallë. Shumë na thonë se në fakt për ta, shpëtimi i vetëm nga ky ferr… mbetet vdekja…

Kjo është Qamar Sobh, një vogëlushe nga Gaza që me plot kuptimin e fjalës mbart në shpinë gjithë atë çfarë ka mbetur në familjen e saj: motrën e vogël Samia. Në përpjekje për t’i shpëtuar ferrit të luftës dhe për të çuar motrën e vogël në një strukturë për ta mjekuar, ecën në këmbë çdo ditë për 2 kilometra… Por këtë herë ajo ndihmohet nga një ekip humanitar, shkruan A2.

“Botë, të lutëm na dëgjo. Ne jemi të lodhur, ka njerëz të vdekur kudo. Thërrisni dhe na sillni ambulancë. Ishim ulur kur e gjithë kjo ndodhi”, thotë vogëlushi në Gaza.

Dëshpërimi i tij erdhi pasi forcat izraelite bombarduan një treg ushqimor në qytetin e Gazës në qendër të enklavës palestineze ku u vranë të paktën 5 njerëz.

Në tokën e ferrit, ka nga ata që i afrohen vetë “vdekjes” si mënyrën e vetme për të mbijetuar.

“Kjo është tenda ime, e vendosur pranë këtyre varrezave. Shikoni se sa e tmerrshme dhe e frikshme është për fëmijët. Shikoni se si po jetojmë, nuk kemi ushqim dhe as ujë. Mbulohemi me batanije. Këtu jetojmë ne. Shikoni se sa errësirë ka në varreza. Fëmijët e mi nuk kanë asgjë për të ngrënë apo pirë. Ata qajnë gjithë natë pasi duan të hanë. Por ku mund të gjej ushqim për ta?”, tha Razzak Al-Qassas, i zhvendosur në Khan Yunis.

Kjo është Ola Hammad nga veriu i Gazës. Ne kemi qenë në kontakt me të prej ditësh teksa na ka rrëfyer historinë e saj tragjike se si familja i ishte ndarë nga lufta, e cila i shkatërroi ëndrrat, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Në pamundësi për të folur dhe e sëmurë me hepatit, na ka dërguar këtë letër:

Letra nga brenda ferrit, Gaza

Unë quhem Ola Hammad dhe mbusha 25 vjeç, 6 muaj pas Luftës së Përmbytjes, më 5 Prill. Nëna ime më lindi në qytetin Khan Yunis, në jug të Rripit të Gazës dhe jetova gjithë jetën time në veri të Gazës deri më 15 tetor. Dita ime e fundit në Gazën veriore është dita e ndarjes. Unë po shkruaj historinë time tani, ndërsa rreth meje bien raketa, ndërsa zhurma e shpërthimit më dhemb mbi kokë. Kjo zhurmë nuk më është larguar që nga 7 tetori dhe makineritë e pushtimit po afrohen. Nuk e di edhe sa ditë apo orë jetë më kanë mbetur, transmeton A2.

Jeta ime para 7 tetorit ishte e bukur dhe gjithmonë ndjeva mirësinë e Zotit ndaj meje. Ai nuk më la kurrë. Unë kam lindur në një familje të bukur dhe babai im ishte shumë i pasur, falë Zotit. Unë kam qenë gjithmonë një nga më të mirët në shkollë. Pastaj Zoti deshi që të studioja kiminë e aplikuar dhe më pas të diplomohesha. Në vitin 2021, nisa një punë që do ta dëshironte kushdo dhe nuk u ndala këtu. Përfundova studimet për farmaci, më pas erdhi lufta dhe shkatërroi universitetin në të cilin studioja, shkatërroi të gjitha ëndrrat e mia dhe shkatërroi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen time.

Kur nisi lufta më 7 tetor, të gjithë e dinim se kjo nuk ishte si asnjë luftë tjetër. Ishte ose vdekje ose fitore. Shtëpia e fqinjit tonë u bombardua dhe ne shpëtuam për mrekulli. Vdekja na ndiqte kudo që shkonim. Qëndruam vetëm 8 ditë në Gazën veriore në shtëpinë time të madhe e të bukur derisa u shkatërrua. Pushtuesi hodhi mbi ne fletëpalosje se Gaza po evakuohej dhe duhej të shkonim në Rafah. Ne e refuzuam këtë, por babai im, Zoti e ruajt, kishte frikë për ne. Ai na kërkoi të iknim në jug të Rripit (Rafah). Unë, nëna ime, motra ime dhe vëllai im i vogël ikëm nga Gaza veriore.

Nuk e dija që kjo ishte lamtumira e fundit për gjyshin tim që ra dëshmor dhe për shtëpinë time që u shkatërrua. Edhe sot e kësaj dite e vuaj momentin e ndarjes.

I thashë lamtumirë babait tim dhe dy vëllezërve të mi me lot dhe ankth, dhe besuam te Zoti dhe shkuam në Rafah. Rrugës, në Salah al-Din, një kamion dhe dy makina para nesh plot me njerëz të zhvendosur si ne, që shkonin në Rafah, u bombarduan. Ne shpëtuam përsëri. Pashë dhjetëra dëshmorë të shpërfytyruar para syve dhe nuk e harroj kurrë atë ditë.

Arritëm në Rafah dhe vendosëm çadrën në një zonë të quajtur Tal al-Sultan. Nuk mund ta përshkruaj jetën tragjike brenda çadrave. Nuk u përshtata kurrë. Rashë në depresion. Vazhduam të prisnim që lufta të mbaronte dhe të ktheheshim në shtëpi. Pastaj papritmas morëm lajmin se shtëpia jonë ishte bombarduar. Nuk kishim asnjë kontakt me babanë, gjyshin dhe vëllezërit në Gazën veriore. Prita me ditë derisa dëgjuam zërin e tyre dhe ata ishin mirë, falë Zotit. Më pas ata qëndruan në shtëpinë e xhaxhait tim derisa kanë mbërritur makinat e pushtuesve.

Ne humbëm kontaktin me ta për 11 ditë, sikur të ishin 11 vite më janë dukur. Çdo ditë kalonte si një makth, derisa pamë foton e parë në internet kur automjetet e pushtuesve mbërritën në veri të Gazës dhe arrestuan të rinjtë dhe ua hoqën rrobat. Fotoja ishte pranë shtëpisë së xhaxhait tim ku jetonin babai dhe gjyshi dhe vëllezërit e mi. Në atë kohë më ishte thyer zemra dhe isha i sigurt se babai dhe vëllezërit e mi ishin me ta. Vazhdova të shikoja foton dhe t’i kërkoja, por nuk i gjeta… A i vranë… A i arrestuan… Ku janë… Pse nuk u shfaqën në foto!

Ditën e dhjetë, ndërsa po shikoja video në Instagram, gjeta babain të zhveshur dhe duke folur me ushtarin me një trimëri të papërshkrueshme. Babai im është shumë i guximshëm dhe nuk ka frikë nga asgjë. Vëllai im ishte ulur përballë dhe ai gjithashtu ishte zhveshur, por për fat të keq vëllai im nuk është trim si babai. Zemra më thyhej pa pushim. E pashë videon dhe po shikoja babain tim dhe mendoja: A do ta shoh përsëri!

Ndihesha e vetmuar dhe e tjetërsuar. Qaja shumë dhe prisja një telefonatë apo ndonjë shenjë apo ndonjë lajm që do të dëgjoja për ta. Doja që dikush të më gënjente dhe të më thoshte se ata ishin mirë që zemra ime të qetësohej. Më pas mora një mesazh zanor në ditën e njëmbëdhjetë nga babai im në Messenger dhe ai më tregoi se ishte mirë dhe se pushtuesi i mallkuar i arrestoi, ua hoqi rrobat dhe i çoi në breg të detit për dy ditë, pa ngrënë e pa pirë, në muajin shumë të ftohtë të dhjetorit. Pavarësisht gjithë kësaj, shqetësimi i vetëm i babait tim ishte se a ishim ne mirë.

Gjyshi im pa se çfarë ndodhi me ta dhe më pas shëndeti i tij u përkeqësua. Gjyshi im përjetoi Nakba (spastrimin etnik) në vitin 1948 dhe dëshmoi Luftën e Përmbytjes në 2023 dhe vdiq në të, në moshën 92-vjeçare. Ai vdiq nga mbytja nga era e gazit dhe e fosforit kur ndodhi bombardimi pranë tij më 16 dhjetor dhe u varros në shtëpi. Ne këtu në Rafah mësuam se gjyshi im ra dëshmor pas 3 ditësh për shkak të një ndërprerjeje komunikimi. Kemi qarë shumë, aq sa zemra na dhimbte.

Më pas e morëm lajmin për martirizimin e kushërirës sime për shkak të mungesës së mjekimit për të, sepse ishte e sëmurë me kancer. Çdo ditë dëgjonim lajmin për vdekjen e njërit prej të afërmve dhe fqinjëve tanë. Njerëzit po vdisnin nga uria në veri të Gazës. Familja ime atje po përjetonte një zi të vërtetë buke. Nga ana tjetër, këtu në Rafah ka ushqim, por nuk mundëm ta blinim për shkak të çmimeve të larta dhe nuk kishim para.

Ne po jetojmë ditët më të këqija të jetës sonë këtu në kampin e të zhvendosurve. Çdo gjë e marrim me vështirësi ose nuk e marrim fare. Ushqimi dhe uji nuk janë gjithmonë në dispozicion. Ne hamë vetëm atë që na mban gjallë. Nuk ndihemi kurrë të ngopur.

Ne kishim toka të mëdha bujqësore që përmbanin të gjitha perimet dhe frutat që mund të imagjinoni dhe Zoti i bekoi. Ne shpërndanim perime dhe fruta te të afërmit dhe fqinjët. Por shtëpia jonë e madhe u bombardua dhe tokat bujqësore u rrënuan me buldozer. As kafshët nuk u kursyen. Të gjithë u bombarduan nga pushtuesi i mallkuar. Këtu babai humbi gjithçka.

Ka dy ditë që bombardimet nuk kanë të ndalur asnjë minutë. Masakrat përsëriten, fëmijët vriten dhe mbesin jetimë, gratë mbeten të veja, dhe sot një predhë ra në shkollën pranë nesh, dhe pati dhjetëra dëshmorë dhe të plagosur, kështu që njerëzit këtu u detyruan të iknin përsëri në Maëasi të Khan Yunis.

Tani, unë jam këtu në Rafah, vetëm. Më mungon babai dhe vëllezërit e mi, dhe raketat bien rreth meje, duke bombarduar çdo minutë. Nuk mund të shpëtoj familjen për mungesë parash.

Ne jemi këtu duke pritur vdekjen, por vdekja është shumë më e mire të vijë shpejt sesa ta presim atë. Unë nuk dua të jem vetëm një numër. Kam synime të mëdha në jetë. Unë dua të jem farmaciste dhe t’i shërbej popullit tim. Motra ime dëshiron të përfundojë studimet në Fakultetin e Mjekësisë dhe vëllai im i vogël dëshiron të përfundojë karrierën e tij arsimore dhe kjo është e drejtë e të gjithëve. Dhe nëna ime dëshiron të jetë krenare për ne dhe që ne të qëndrojmë gjithmonë pranë saj. Na kujtoni gjithmonë. Nëse e humbim këtë jetë. Lutuni për ne.”

Histori të ngjashme janë me qindra dhe me mijëra çdo ditë, ku njerëz dhe vogëlushë të pafajshëm mbetën të vetëm në atë tokë ferri. Sikur kushtet e mjerueshme humanitare në Rripin e Gazës të mos mjaftonin, Izraeli do të merrte një vendim që ka gjasë të përkeqësojë edhe më tepër jetët e civilëve deri në nivelin e pajetueshëm. Në maxhorancë të madhe parlamenti i shtetit hebre miratoi një projektligj për të ndaluar veprimtarinë e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë. Një veprim shumë i kritikuar nga vetë OKB, por edhe aleati më i madh izraelit, Amerika. Shqetësimi kryesor është se miliona palestinezë, që jetojnë nën pushtim, mund të vuajnë nga uria dhe mungesa e konsiderueshme të pajisjeve jetike, përfshirë medikamentet.

“Ne kemi një popullatë këtu që është gjunjëzuar, duke kaluar nëpër mjerim dhe vuajtje absolutisht të patregueshme. UNRËA po luan një rol të paprecedentë për çdo organizatë tjetër humanitare kudo në botë. Duke pasur parasysh shtrirjen e mandatit tonë, i gjithë sistemi humanitar këtu mbështetet çdo minutë të çdo dite tek Agjencia e OKB për Refugjatët Palestinezë për të ofruar shërbime për 2 milionë njerëz që jetojnë në kushtet më të këqija të mundshme. Gjatë 12 muajve të fundit, UNRËA ka ofruar ndihmë ushqimore për 1.9 milionë njerëz, për 90% të popullsisë së Gazës. Ne po ofrojmë strehim për qindra mijëra njerëz që jetojnë brenda dhe përreth shkollave tona. 60% e të gjitha konsultimeve shëndetësore në Gaza kryhen nga personeli i UNRËA”, tha Sam Rose, zv. Drejtor i UNRWA.

Që prej 7 tetorit të kaluar, 38 fëmijë izraelitë janë vrarë, 13 319 fëmijë janë varë në Gaza, 786 prej të cilëve më të vegjël se 1 vjeç. 165 fëmijë humbën jetën në Bregun Perëndimor. Fëmijët nuk janë terroristë. Pyes veten se çfarë do të ndodhë me 1 milionë fëmijët në Gaza. Çdo të bëjnë ata në harkun kohor të 20 viteve.”

“Nëse Agjencia e OKB për Refugjatët Palestinezë nuk është në gjendje të operojë, ka të ngjarë të shihni kolapsin e sistemit humanitar në Gaza. UNICEF do të bëhej efektivisht i paaftë për të shpërndarë furnizime. Këtu po flas për vaksinat, po flas për rrobat e dimrit, po flas për pajisjet higjienike, ato shëndetësore, ushqimin terapeutik për kequshqyerjen. Ne e dime se përsëri po trokasim në derën e urisë. Kjo do të thotë se është gjetur një mënyrë e re për të vrarë fëmijët”, tha James Elder, zëdhënës i UNICEF.

Me paqen që nuk duket askund në horizont, madje as si një hije në formë armëpushimi, palestinezët po zhyten në dëshpërim. Shuarja e mundshme e “engjëllit” mbrojtës, Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, rrezikon ta zhytë enklavën edhe më poshtë ferrit. Gjendja e mjerueshme humanitare në Gaza kërkon një përgjigje të menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse nga bashkësia ndërkombëtare. Bllokada, mungesa e burimeve jetike, dhe vuajtjet e përditshme të popullsisë civile janë dëshmi e një krize që nuk mund të vazhdojë të shpërfillet. Çdo ditë që kalon pa zgjidhje rrit dhimbjen, frikën dhe pasigurinë për një popull që kërkon të jetojë me dinjitet. Por përtej tragjedisë, a ekziston ende një shpresë për të ardhmen… për paqen për të gjithë?

Politika nuk mund të lihet jashtë këtij ekuacioni, pasi është sektori që ka prodhuar këtë situatë mjerimi dhe lufte në tokën Palestineze. Pyetja që vjen natyrshëm në këtë situatë, ku gjysma e Rripit të Gazës është rrënuar me themel nga ushtria e Izraelit, është se cili do të jetë hapi i radhës? Si mund të bëhet paqe për të gjithë, veçanërisht për palestinezët që me dekada kërkojnë t’u njihet e drejta për të ekzistuar dhe tashmë me dëshpërim, kërkesa kryesore është që të mbijetojnë. (A2 Televizion)

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.