I hutuar dhe i gjakosur, mbetet ende mister identiteti i personit të tretë në masakrën e Shkodrës, policia kontrolle në disa klinika mjekësore
Edhe pse kanë kaluar pesë ditë nga ngjarja e rëndë që tronditi Shkodrën më 30 tetor, personi i tretë i cili dyshohet se
Edhe pse kanë kaluar pesë ditë nga ngjarja e rëndë që tronditi Shkodrën më 30 tetor, personi i tretë i cili dyshohet se ndodhej në makinë me viktimat Hamza Lici dhe Arlind Bushati ende nuk është identifikuar.
Policia e Shkodrës ka nisur kontrollet në dy klinika mjekësore me qëllim gjetjen e personit të tretë që ka qenë në makinën tip “Benz” me targa kroate. Kontrollet nëpër klinika kanë ardhur pasi policia ka dyshime të forta se një person i plagosur është paraqitur sa për të marrë mjekimet dhe më pas është larguar.
Qëllimi i kontrolleve nga policia ka qenë sekuestrimi i pamjeve të kamerave të sigurisë. Vetëm kjo do të vërtetonte dyshimet e policisë nëse personi i plagosur është paraqitur për mjekim në klinikat private, pas ngjarjes.
Gjithashtu policia ka dërguar për ekzaminim në laborator prova të marra në vendngjarje si fije floku, gjurmë gishti, profile biologjike, profile djerse dhe gjaku për të zbuluar gjurmë të ADN-ve të secilit person që ndodhej në makinë, me qëllim identifikim shkencërisht të personit të tretë në makinë.
Nga pamjet e siguruara nga vendngjarja, dyshohet se personi misterioz mund të jetë Ibrahim Lici. Ai është parë teksa qëndron pranë trupit të pajetë të Hamza Licit dhe Arlind Bushatit. Ibrahim Lici është një emër i njohur, pasi është në kërkim nga policia i dyshuar për vrasjen e Endri Mustafës. Ibrahim Lici përpara disa muajsh u arrestua në Turqi por më pas u la i lirë. Ka dyshime pikërisht se ky person është Ibrahim Lici për shkak të ngjashmërisë së madhe . Megjithatë kjo ende nuk është faktuar nga policia.
Kush është Ibrahim Lici
Ibrahim Lici akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës në maj të vitit 2021.
Në 13 shkurt të këtij viti, ai u arrestua në Turqi, por disa javë më vonë ai u la i lirë nga autoritetet turke si pasojë e mungesës së marrëveshjes së ekstradimit drejt vendit tonë. Hamzai, viktima e atentatit në sHkodër, foli nga Turqia, duke thënë se i vëllai ishte i pafajshëm. Por konfliktet mes grupeve vijuan.
Akuzat ndaj Ibrahim Licit u ngritën pas dëshmisë së 15 vjeçarit, Ergys Malja. Fillimisht Malja, ka treguar se ishte ai që kishte nxjerrë nga shtëpia Endri Mustafën dhe së bashku ishin drejtuar në zonën e quajtur “Gropat e Eskavatorit”. Sipas 15-vjeçarit, papritur i ka dalë në rrugë, Ibrahim Lici me një motor, i cili e ka qëlluar me pistoletë, Endri Mustafën, duke e lënë të vdekur në vend.
Ndërsa vetë i mituri Ergys Malja, ka treguar se është larguar me vrap duke mundur të shpëtojë.
Vetëm një javë pas krimit të rëndë, policia arrestoi Ergys Maljan si bashkëpunëtor në këtë vrasje. Fillimisht Malja, u dënua me 24 vite burgim nga gjykata e Shkodrës, por për shkak të moshës, dënimi i tij u reduktuar, duke u dënuar përfundimisht me 12 vjet heqje lirie.
Lici nga arratia ka mohuar të gjitha akuzat, madje ai ka pretenduar se ditën e ngjarjes ka qenë në Tiranë në shoqërinë e shokëve dhe një vajze.
31-vjeçari Ibrahim Lici është dhe i dyshuari kryesor i vrasjes së dy vëllezërve Bilali në Shkodër. Astrit dhe Brahim Bilali, më 30 mars 2019, u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi në portën e shtëpisë. Ngjarja u hetua si përplasje mes bandave rivale në Shkodër.
Astrit Bilali, i cili mbetur i vdekur së bashku me të vëllanë e tij, është babai i Astmer Bilalit, ish kampionit të boksit i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër./vizionplus.tv
What's Your Reaction?