Mosbindja ndaj “Mosbindjes”

Nga Mero Baze Mosbindja civile nuk arriti dot të krijonte një identitet të sajin. Edhe pse Berisha e pagëzoi “mosbindje civile”, në fakt filloi si luftë civile, me zjarr në Parlament, djegie karrigesh dhe sulme me bishta karrigesh kundër deputetëve socialistë. Meqë pati reagime të këqija në opinionin publik, vazhdoi si demonstratë jocivile, duke i […]

Nëntor 5, 2024 - 23:30
 0
Mosbindja ndaj “Mosbindjes”

Nga Mero Baze

Mosbindja civile nuk arriti dot të krijonte një identitet të sajin. Edhe pse Berisha e pagëzoi “mosbindje civile”, në fakt filloi si luftë civile, me zjarr në Parlament, djegie karrigesh dhe sulme me bishta karrigesh kundër deputetëve socialistë.

Meqë pati reagime të këqija në opinionin publik, vazhdoi si demonstratë jocivile, duke i vënë zjarrin selisë së Partisë Socialiste dhe duke hedhur molotov mbi Bashki dhe Kryeministri.

Meqë kjo zbuloi, ndër të tjera, edhe mbështetjen e pakët popullore, u transferua në një lëvizje guerile në gjashtë rrethrrotullime të Shqipërisë, me shpresën se “e treta është e vërteta”. Nën parimin “shpërndahuni se po na numërojnë”, opozitarët tentuan të duken shumë, duke zënë në grupe të vogla rrethrrotullimet kyçe të vendit, ku dogjën goma dhe morën të shara pa fund nga qytetarët.

Dhe ndërsa kërcënimet për diversifikimin e formave të “mosbindjes civile” vazhdonin, befas sot Gazmend Bardhi njoftoi se do t’i ktheheshin betejës parlamentare për të sulmuar buxhetin e shtetit që do të diskutohet në Parlament.

Më shumë se sa një ndërprerje e “Mosbindjes civile”, kjo ngjan si një mosbindje ndaj mosbindjes, duke parë efektin bumerang që ajo pati për PD dhe deputetët e saj.

Shenja e parë ishte dritarja e Berishës.

Ai sot foli për televizionet kombëtare, që, sipas tij, transmetojnë lajme për qeverinë, ndërkohë që vetë është në çdo televizion gjithë ditën – qoftë kur është në dritare, qoftë në rrjete sociale. Por nuk e zuri në gojë mosbindjen civile.

Dukej sikur po bënte sikur nuk e kishte mendjen për çfarë kishte ndodhur, pasi e ka keqpërdorur aq shumë termin “mosbindje civile”, sa shuarja e saj me një fjalë goje të Gazment Bardhit e bën edhe më qesharake gjithë butaforinë e aksionit të tij.

Madje, për t’u dukur dhe ai institucional, ka bërë edhe emërime të reja për udhëheqësit politikë të qarqeve, duke zëvendësuar Salianjin dhe duke emëruar Topallin si drejtuese politike e diasporës, ndoshta për shkak të lidhjeve të vjetra që ka Shkodra me Venecian.

E vërteta është se mosbindjes nuk i bindeshin më këmbët. Nuk qëndronte dot më në këmbë. Dhe tani u ul në karriget e Parlamentit. Për PD është një gjë shumë më e mirë dhe më efektive në luftën opozitare, por për ideatorin e mosbindjes civile, është një dështim i radhës, që zakonisht ai e shpall fitore sa herë i ndodh kështu.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.