Guvernatori Sejko në Koferencën e Bankës së Kosovës: Anëtarësimi në SEPA, prioritet kombëtar
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë me temë “Kapërcimi i kufijve, ndërtimi i së ardhmes: Integrimi në SEPA rrit përfshirjen financiare – duke mundësuar rritje ekonomike të qëndrueshme”, të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me rastin e 25-vjetorit të themelimit të saj. Në […]
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë me temë “Kapërcimi i kufijve, ndërtimi i së ardhmes: Integrimi në SEPA rrit përfshirjen financiare – duke mundësuar rritje ekonomike të qëndrueshme”, të organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me rastin e 25-vjetorit të themelimit të saj.
Në këtë konferencë morën pjesë guvernatorë të bankave qendrore e drejtues të lartë të autoriteteve mbikëqyrëse të rajonit, si edhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare.
Punimet e konferencës u përqendruan kryesisht në: integrimin në SEPA; transformimin digjital dhe implikimet për shërbimet financiare; rritjen e stabilitetit financiar në një ambient në ndryshim; ndërmjetësimin financiar në sektorin bankar rajonal.
Sesioni i tretë i konferencës, ku Guvernatori Sejko ishte i ftuar të merrte pjesë si folës, u fokusua në trajtimin e temës “Roli i ndërmjetësimit financiar në sektorin bankar të Ballkanit Perëndimor dhe ndikimin e tij në zhvillimin ekonomik rajonal”. Paneli diskutoi lidhur me modernizimin e sistemeve të pagesave të nxitur nga prania e bankave të huaja dhe zgjerimi i adoptimit të bankingut digjital, vendimtar për nxitjen e përfshirjes financiare.
Guvernatori Sejko ndau me të pranishmit këndvështrimin e Bankës së Shqipërisë lidhur me temën, duke theksuar se sigurimi i një sistemi pagesash të sigurt dhe efikas është në fokus të Bankës së Shqipërisë. Meqenëse objektivi kryesor i bankës qendrore është stabiliteti i çmimeve, një mjedis i sigurt për funksionimin normal dhe me sa më pak kosto për qytetarët, të pagesave sa më të shpejta është i domosdoshëm krahas nxitjes së ndërmjetësimit financiar.
Guvernatori shtoi se sistemet e pagesave janë shtylla kurrizore e tregut financiar dhe ekonomisë në tërësi, kështu që siguria dhe efikasiteti i tyre janë vendimtare për rritjen e ndërmjetësimit financiar.
Diskutimi i Guvernatorit vazhdoi me lehtësimin e ndjeshëm që digjitalizimi ka sjellë në fushën e sistemeve të pagesave, si dhe në rolin e bankës qendrore.
Duke iu referuar rastit të Shqipërisë, ai u shpreh se Banka e Shqipërisë, që prej vitit 2018, ka intensifikuar përpjekjet për rritjen e përfshirjes financiare dhe përdorimit të pagesave elektronike, nëpërmjet Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023) dhe që prej vitit 2021, me Projektin e Modernizimit të Sistemit të Pagesave të Ballkanit Perëndimor.
Në kuadër të kësaj strategjie, Banka e Shqipërisë ka harmonizuar legjislacionin e saj me atë evropian për pagesat nëpërmjet transpozimit të Direktivës për Shërbimet e Pagesave (PSD2) dhe Direktivës për Pagesat elektronike, të cilat janë njëherazi thelbësore për suksesin e SEPA-s. Rezultatet nga tregu, në lidhje me inovacionin dhe konkurrencën që promovon ky ligj, janë inkurajuese si për formalizimin në ekonominë shqiptare, ashtu edhe ndërmjetësimin financiar.
Në vijim, Guvernatori përmendi dhe disa iniciativa të tjera, të cilat synojnë rritjen e sigurisë dhe eficiencës së tregut vendas të pagesave, por edhe integrimin e tij me atë evropian, siç janë: Ligji ”Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, i cili synon nxitjen dhe rritjen e përfshirjes financiare nëpërmjet krijimit të lehtësirave për kategori konsumatorësh, të cilët kanë vështirësi apo pamundësi për hapjen dhe mbajtjen e një llogarie pagesash në banka dhe në të njëjtën kohë të promovojë pagesat digjitale si një mjet pagese më i lirë; Sistemi Ndërbankar i Pagesave me Vlerë të Madhe (AIPS), i cili ka rritur ndjeshëm përdorimin e transaksioneve ndërbankare për shlyerjen e transfertave vendase për klientët në Euro.
Në përfundim të diskutimit të tij, Guvernatori Sejko theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA përbën një prioritet kombëtar, pasi shënon një moment historik të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian.
Ai shtoi se Shqipëria është vendi i parë në rajon, i cili dërgoi aplikimin formal për t’u pranuar në këtë zonë. Aktualisht, ky aplikim po shqyrtohet nga Këshilli Evropian i Pagesave, si administrator i skemave SEPA, si dhe nga Komisioni Evropian./ Monitor
What's Your Reaction?