“Koli i Bardhës shkon në Afrikë” ose Sokol Balla na merr me vete…

Nga Martin Leka Moskë. Ishte një ditë para finales së Kupës së Botës. Më shumë se gjashtë vjet më parë, 14 Korrik 2018. Moska kishte marrë tjetër kuptim, falë magjisë që të jep vetëm një top futbolli. Një top që ishte shumë më i rëndësishëm dhe më me vlerë edhe se koka e Vladimir Putinit… […]

Nëntor 17, 2024 - 15:00
 0
“Koli i Bardhës shkon në Afrikë” ose Sokol Balla na merr me vete…

Nga Martin Leka

Moskë. Ishte një ditë para finales së Kupës së Botës. Më shumë se gjashtë vjet më parë, 14 Korrik 2018. Moska kishte marrë tjetër kuptim, falë magjisë që të jep vetëm një top futbolli. Një top që ishte shumë më i rëndësishëm dhe më me vlerë edhe se koka e Vladimir Putinit…

Në “krasnaja ploshçad” apo Sheshin e Kuq, apo emrin e vjetër “Pozhar” ose vendi i djegur, ndodhet Katedralja ikonike e Shën Vasilit. Më tej mauzoleu ku ende qëndron trupi i Vladimir Leninit e përbri muri ndarës i Kremlinit, fortesa prej kohësh e Vladimir Putinit. Si për dreq e jo rastësisht, të këqiat rimojnë. Dhe në këtë shesh zyrtarizoheshin Carët…

Atë ditë, duke ecur vetëm nëpër mijëra turistë të zhurmshëm që vëzhgojnë e shkrepin aparatet papushim, ballë për ballë (jo si filmi me temë sovjetike) ndeshem me Sokol Ballën. Nuk e mbaj mend cili e tha, ai apo unë: “sa e vogël është bota mor burrë”! Kaq ishte dhe në atë çast u shkrep edhe një selfi.

Ky detaj mu kujtua menjëherë sapo fillova të lexoj librin e ri të Kol Ballës. (I them Koli, pasi nuk mbaj mend ti kem thënë ndonjëherë Sokol që kur e kam njohur, siç Saliu i thotë jo rrallë).

Librin me titullin interesant, po aq me kopertinën tej kornizave të së zakonshmes së koncepteve të shtëpive botuese, e lexova si me “dihatje”. Fillimisht nga një kuriozitet i çmendur për “kontinentin e zi”, kuriozitet që ma shuajti si flakë kashte Covid-19. Ishte fundmarsi 2020 kur kisha prerë biletën për Seychelles, Victoria, aty ku organizatorët e eventit na kishin ftuar për probleme të transmetuesve publikë. Që kur erdhi ftesa, hapa hartën e vendeve më të afërme dhe plani ishte të shkonim në Madagaskar e Mozambik. Por planet i bëri hi një telefonatë me prefiks +248. Aktiviteti ishte anuluar për shkak të Pandemisë dhe nuk mund të udhëtonim sepse hotelet janë të mbyllura, si edhe fluturimet për Victoria. Nuk e di kë dhe si shava pas këtij lajmi, por sigurisht, pasi mbylla telefonin.

Se pse duhet vizituar kontinenti “i zi”, e ka latuar mjaft bukur në parathënien e librit “Koli i Bardhës shkon në Afrikë” Remzi Lani përmes “sindromës së Afrikës” së Kaputchinsk-it.

Tani pas leximit të librit “Koli i Bardhës shkon në Afrikë”, më duket sikur kam qenë dhe unë atje. E vetmja gjë e munguar është një fotografi në Afrikë. Sepse Koli na ka dhënë, përmes një stili unik të rrëfimit, gati-gati një “pamje televizive”. Kur mbyll së lexuari faqen 212, je gati të gjesh një antidot për Kolin që sapo ka lënë Indinë; apo ti kërkosh falje Hakan Shykyrit; apo ti rrasësh një shpullë policit gjerman nga Peja…

Përmes librit dhe tregimit, ti gjendesh kudo e ngado, cep më cep të botës. Je herë në rutinën e përditëshme të të zakonshmes, herë në magji, herë në parajsë, por edhe buzë ferrit ndonjëherë.

Koli nuk është një udhëtar i thjeshtë e i zakonshëm. Ai është selektiv dhe inteligjent në rrugën drejt të panjohurave e të paprekshmes. Egoist dhe këmbëngulës për të arritur aty ku ka synimin. Në faqet e librit kupton se autori është edhe udhëtar; edhe tregimtar; edhe historian; edhe politikan; edhe gjeograf; edhe tifoz i kualifikuar.

Që të mos rrekem kot të bëj si “Kallulli”, po e mbyll me një histori nga Armenia, aty ku Shqipëria për herë të parë u kualifikua në një evropian. Me një gafë timen në fakt. Tribuna qendrore, mbushur me armenë. Kishte 2 minuta që kishte filluar ndeshja dhe një aksion i të kuqve për pak sa nuk shënoi gol. Topi kaloi ngjitur me traversën. U ngrita në këmbë e me duart në kokë lëshova një “mooos”. Si gjithë stadiumi. U ula dhe të gjithë më shikonin me habi. Diku 3-4 metra larg, Koli më bënte me gjeste të ulesha e të mos reagoja, por sërish unë s’kuptova gjë. Në një moment qetësie nga zhurmat, më tha se ne ishim me uniformw tw zwzw. Me idenë se ne ishim gjithnjë të kuq, (në politikë kemi qene e jemi) unë po bëja tifozin e armenëve. Ata ishin me të kuqe. Kisha qenë për dy minuta një idiot i dobishëm për armenët…

Nëse ekziston aksioma “çdo libër i lexuar është një dritare për të parë botën”, duke lexuar “Koli i Bardhës shkon në Afrikë”, kjo është fiks prova. Për të parë më shumë se një dritare…

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.