A duhet çregjistruar “Lista Serbe”, si subjekt elektoral në Kosovë?!

Nga Ben Andoni Bojkoti i djeshëm serb i zgjedhjeve në Veri ishte krejt i dukshëm dhe i pritshëm, por ajo la një pikëpyetje të madhe: A duhet respektuar më si subjekt elektoral “Lista Serbe”?! Nga ana tjetër, përderisa Republika e Serbisë është e angazhuar të pengojë çdo proces integrues të qytetarëve kosovarë-serbë, duket se si […]

Prill 22, 2024 - 18:40
 0
A duhet çregjistruar “Lista Serbe”, si subjekt elektoral në Kosovë?!

Nga Ben Andoni

Bojkoti i djeshëm serb i zgjedhjeve në Veri ishte krejt i dukshëm dhe i pritshëm, por ajo la një pikëpyetje të madhe: A duhet respektuar më si subjekt elektoral “Lista Serbe”?! Nga ana tjetër, përderisa Republika e Serbisë është e angazhuar të pengojë çdo proces integrues të qytetarëve kosovarë-serbë, duket se si do që të jetë e të shpaloset fati i “Listës Serbe” nuk do mund të ndryshojë asgjë për qytetarët e etnisë së saj por edhe për qetësinë në Kosovë. Të paktën në këto kohë. Nga qasja e tyre me parlamentin dhe jetën politike; nga bisedat e tyre informale me zyrtarët e Kosovës (i frikshëm servilizmi i zyrtarëve, dalë në përgjimet); nga rasti “Bajnska” dhe Radojçiqi, nënkryetari i saj, që e mori përsipër; si edhe nga trajtimi që i bëjnë vetë autoritetet e shtetit të Kosovës këtij subjekti, një vëzhgues kupton mirëfilli atë që ndodh me Republikën e re. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës para do kohësh ndau mjetet buxhetore me vlerë totale prej 4.8 milionë euro për partitë politike në mesin e të cilave përfituese është edhe “Lista Serbe”, që mori 360 mijë euro, sipas vendimit për mbështetjen e subjekteve politike për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2024! (Në listë ishte para AAK-së!!!) Të mendosh edhe pas Bajnskës, kur mbeti i vrarë rreshteri kosovar Afrim Bunjaku. Nëse braktis dhe bën thirrje vazhdimisht për bojkot, çfarë ndihme të duhet, kur nuk përfaqësohesh?! Kjo e ka ndarë Kosovën sot, kurse dje me bojkotin e radhës, publiku ka parë paradokset sesi jetojnë në Republikën e re. A mund të çregjistrohet një subjekt i tillë? Kjo është tema, që ngërthen në argumente njohësit e të drejtave zgjedhore, por edhe që kanë sens për ndryshimin. Kur nuk angazhohesh pse duhet të mbështetesh?!

“Lista Serbe” tashmë i bën hije edhe çdo angazhimi alternativ serb në Kosovë dhe është e afërt me Partinë Progresive Serbe të presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Me fuqinë e Beogradit është jo vetëm partia e vetme, e cila përfaqëson serbët në institucionet e Kosovës, por dhe që ka marrë pjesë në punën e institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës. Justifikimin në orët e fundit e pati me përsëritjen se mospjesëmarrja në votimet për shkarkimin apo jo të kryetarëve shqiptarë lidhej me dy kërkesat: Formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe, tërheqja e të gjitha njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga Veriu.

Lista Serbe inicioi bojkotin e zgjedhjeve të vitit 2023 në Veri, që më parë kishte anëtarët e saj si kryetarë dhe organizoi protesta të dhunshme si rezultat i të cilave u plagosën 30 ushtarë të KFOR-it dhe dhjetëra protestues serbë. Në Veri, “Lista Serbe” e formuar në vitin 2013, ka fituar gjithnjë mbi 90 për qind të votave. Kuptohet se Beogradi po e luan xhelozinë përmes kësaj force, ku deklarohet se, falë mbylljes së syve nga faktori ndërkombëtar: “regjimi në Prishtinë”, mori liberalizimin e vizave, ngriti bashkëpunimin me NATO-n dhe po anëtarësohet në Këshillin e Evropës! Pa ditur se Kosova ka paguar me sakrifica të mëdha për çdo hap të vetëm.

Në këto kushte, ajo që ka mbetur për t’u parë është përballja ndaj qasjes aspak miqësore të këtij formacioni, mos kërkimi i faljes për Bajnskës dhe marrjen e përgjegjësive të ndëshkimit për të. Publiku kosovar është trallisur kur ka dëgjuar dhe një përgjim të një zyrtare të lartë aktuale (edhe paraardhësit janë diktuar në këto marrëdhënie) me një nga zyrtarët e lartë të saj. Kjo shpjegon deridiku stepjen e shtetit të Kosovës për të mos e shpallur antikushtetuese, pasi Lista Serbe është e regjistruar në Kosovë dhe duhet t’i përmbahet detyrimeve të saj dhe jo të ndërhyjë tashmë edhe në dialogun e dy subjekteve, që janë sipër tagrit të saj organizativ, respektivisht Kosovës e Serbisë.

Kronika e të dielës, që lidhej me numrin e pjesëmarrjes së votuesve për shkarkimin apo jo të katër kryetarëve të Komunave veriore, ishte e hidhur. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bënte të ditur se deri në orën 15:00 në katër komunat në veri të Kosovës, morën pjesë vetëm 203 persona në votime. Në Leposaviq kishin votuar deri atëherë 122 persona, në Zubin Potok 17 dhe në Mitrovicë të Veriut 64 persona, kurse në njoftimin e KQZ-së, referohej, se për të njëjtën orë në Zveçan ende askush nuk u paraqit për të votuar.

Ashtu si me kërkesën për bojkotin për votimet në Veri, muaj më parë, ashtu edhe me bojkotin për votimet e shkarkimit të të njëjtëve kryetarë, “Lista Serbe” ka treguar fuqinë e saj të ndikimit përmes Beogradit, por edhe mënyrën sesi menaxhohen serbët në Veri. Pak javë më parë, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, konfirmonte se autoritetet më 2 shkurt kanë mbyllur tri komuna paralele serbe në Pejë, Istog dhe Klinë.

Për publikun duhet të dihet se Serbia e ushtron “ndihmën” e saj për serbët e Kosovës përmes zyrës me të njëjtën emër, që ata i shtojnë dhe përcaktorin e religjionit “Metohi”. Dikur e njëjta strukturë ka qenë Ministri. Ndarjet buxhetore të Serbisë për “Krahinën e Kosovës”, sipas tyre u rritën pas vitit 2016. Përmes ministrive të ndryshme dhe për qëllime të ndryshme, u akrduan 853.2 milionë euro nga buxheti për “Kosovën tjetër”, që mund të lexohet si Komunat e Veriut mbi Ibër dhe gjashtë të tjerat në Jug, ku ata kanë shtrirë strukturat e tyre. Më saktë 80 për qind e totalit të pagesave për Kosovën, të paraqitura në llogaritë përfundimtare nga viti 2008 deri në vitin 2021, kaluan përmes të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën, prej autoritetit të Ministrisë për Kosovën, sipas REL.

Mbështetja financiare e shtetit serb shkon në sistemin arsimor dhe shëndetësor të komunave me shumicë serbe në Kosovë (madje punojnë me programe serbe), paçka se ato marrin rregullisht fonde nga buxheti i Kosovës për paga të punëtorëve në sistemin arsimor dhe shëndetësor. Në një investigim të kohëve më parë, REL-i gjeti se, në disa raste, buxheti i Kosovës i ndarë për ta, është shpenzuar në forma të dyshimta. Me pak fjalë, serbët paguhen me kontratat e shtetit të Kosovës dhe pa kontratë nga shteti i Serbisë. Shtesa e rrogës bënte që punonjësit që përveç pagës bazë në Kosovë, të kishin një shtesë nga shteti serb, që nënkupton se të ardhurat e tyre shkonin nga 900 deri në 1.300 euro në muaj (rroga në Kosovë u shkonte deri 600 Euro).

Këtu, ashtu si në çdo gjë tjetër, hyri fuqia në terren e “Listës Serbe”, por në shkurt të vitit 2018, ua ndaloi serbëve të ardhurat nga buxheti i Kosovës dhe madje pa ndonjë arsyetim. Kuptohet se qeveria e Kosovës e ka pasur të vështirë monitorimin e fondeve të saj, por “Lista Serbe” nuk u ndal këtu, pasi me direktivën e saj: Punonjësit serbë të institucioneve të Kosovës në veri, përfshirë gjykatat, dhanë dorëheqje në nëntorin e vitit 2022, për shkak të një vendimi të Qeverisë Kurti për t’i riregjistruar makinat me targa serbe me targat e Kosovës.

Presioni i “Listës Serbe” u bë me strukturat, që ndahen në dy grupe: ato që operojnë në sistemin e shëndetësisë, arsimit dhe kulturës, në njërën anë, dhe ato të sigurisë dhe drejtësisë, në anën tjetër, që bëjnë protestat. Mijëra qytetarë serbë të Kosovës vazhdojnë punën në institucione paralele, të financuara dhe menaxhuara nga Beogradi, që nga paslufta më 1999, për të cilët Serbia ka një fond që është e vështirë të kontrollohet. Kuptohet se ka një rreshtje tashmë, pasi serbët kanë bojkotuar Komunat, kompanitë e ndërmarrjet publike, çerdhet, shkollat fillore dhe të mesme, si dhe universitetet publike, të financuara drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, ka në shumë qytete të Kosovës, ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit serb.

Presioni i këtyre strukturave nuk ka reshtur që pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Përpjekja e parë për shuarjen e tyre u bë 11 vjet më parë në prill të vitit 2013, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, por zbatimi i saj i plotë në terren lë për të dëshiruar. Një pjesë e komunitetit është integruar vetëm në disa institucione, si edhe te policia apo Drejtësia, por tashmë edhe këto e braktisën punën në shtetin e Kosovës. Pikërisht janë këto që e kanë dobësuar Kosovën dhe ia vështirësojnë kontrollin në terren.

Në çdo moment, dora antikushtetuese e “Listës Serb” duket hapur. Në Kuvendin e Kosovës, kjo listë ka dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb.

E megjithatë, “Lista Serbe” ka treguar se është një formacion që nuk do të bashkëpunojë dhe sistematikisht nuk e respekton kushtetueshmërinë e Kosovës, duke treguar se është subjekt elektoral problematik. Faktet i hedhin poshtë argumentet, në rastin e tyre. (Homo Albanicus)

 

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.