Aktakuzë e re për rastin e Ivanoviçit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj M.M, në rastin që ka të bëjë me vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç. M.M, pjesëtar i komunitetit serb, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më 19 tetor 2022, nën dyshimet se ai ishte anëtar “i një grupi të organizuar kriminal” të lidhur me vrasjen […]

Dhjetor 27, 2023 - 22:08
 0
Aktakuzë e re për rastin e Ivanoviçit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj M.M, në rastin që ka të bëjë me vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç.

M.M, pjesëtar i komunitetit serb, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më 19 tetor 2022, nën dyshimet se ai ishte anëtar “i një grupi të organizuar kriminal” të lidhur me vrasjen e Ivanoviçit.

Siç njoftoi Prokuroria Speciale, aktakuza ndaj M.M është ngritur pasi ai dyshohet se ka kryer veprat penale: “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, ‘’Kanosja” dhe ‘’Falsifikimi i dokumenteve”.

“Rasti ka të bëjë me vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviç, ku i pandehuri si pjesë e grupit veprimet i ka ndërmarrë pas ndodhjes së vrasjes, duke penguar procedurën penale dhe pas hetimit, i njëjti ka përdorur dokumente të falsifikuara si dhe ka kanosur personat zyrtarë, të cilët kanë zhvilluar procedurë penale ndaj tij”, u tha në njoftimin e Prokurorisë. Ivanoviç u vra më 16 janar të vitit 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, para ndërtesës së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut. Më shumë se pesë vjet pas vrasjes, çështja ende nuk është zbardhur.

Për rastin e Ivanoviçit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur edhe tri aktakuza të tjera.

Aktakuzat përmendin vetëm individë të cilët, siç thuhet, “me vetëdije dhe qëllim kanë ndihmuar grupin kriminal për të kryer veprën penale të vrasjes së Oliver Ivanoviçit”. Nuk bëhet i ditur autori i vrasjes apo porositësi i saj.

Akuza u ngritën ndaj policëve Nedeljko Spasojeviç, Radeta Basara, Zharko Jovanoviç, si dhe ndaj sekretares së Oliver Ivanoviçit, Silvana Arsoviç dhe Marko Roshiç, banor i Mitrovicës së Veriut.

Hetime për vrasjen e Ivanoviçit zhvillohen edhe nga Prokuroria Speciale e Serbisë, por çështja në Serbi është ende në fazën e hetimeve paraprake.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës dhe e Serbisë nuk bashkëpunojnë, ndërkohë që procedurat në Kosovë kërkojnë ndërmjetësimin misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) për marrjen e deklaratave të dëshmitarëve.

/a.d

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.