Anëtarësimi në BE i Shqipërisë kalon nga Italia

Italia vendi përballë nga ku Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian Nga Roland Qafoku Me kostumi blu veror, këmishë të bardhë e kombinuar me atlete të bardha, Edi Rama mbërriti në Itali për takimin e tij të radhës me shqiptarët që jetojnë e punojnë matanë kufirit shtetëror. Një fjalim më paqësor, më i […]

Maj 27, 2024 - 13:15
 0
Anëtarësimi në BE i Shqipërisë kalon nga Italia

Italia vendi përballë nga ku Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian

Nga Roland Qafoku

Me kostumi blu veror, këmishë të bardhë e kombinuar me atlete të bardha, Edi Rama mbërriti në Itali për takimin e tij të radhës me shqiptarët që jetojnë e punojnë matanë kufirit shtetëror.

Një fjalim më paqësor, më i qetë dhe më i ngrohtë ishte fjalimi i kryeministrit Edi Rama në Milano. Aty ishin mbledhur mbi 10 mijë shqiptarë, 2-3 mijë më shumë se në Athinë. Aktualisht në shtetin fqinjë, me të cilët na ndan deti Adriatik jetojnë mbi 700 mijë shqiptarë ku rreth 250 mijë janë me pasaportë italiane.

Në pallatin e sportit “Busto Arsizio” në Milano, ku u mbledhur mijëra shqiptarë, takimi nisi me himnin kombëtar të Shqipërisë dhe himnin e Italisë. Në këtë takim kryeministri Rama shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Linda, ministra të kabinetit qeveritar, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, etj. Takimi nisi me një koncert.

Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje para 10 mijë pjesëmarrësve në sallë që shqiptarët të kthehen për t’u marrë me turizëm në Shqipëri dhe të kontribuojnë për ta bërë më shpejt Shqipërinë aty ku duhet të jetë. Ai tha se koha e mirë e Shqipërisë ka ardhur, ndërsa ftoi diasporën që të vijë dhe të investojë kursimet nga emigracioni, si dhe për të vënë në zbatim edhe dijet e tyre.

Para shqiptarëve të cilët ishin mbledhur në Milano për të qenë pjesë e takimit të kryeministri Rama, u publikua një dokumentar në lidhje me eksodin e viteve ‘90- dhe tragjedinë e Otrantos. Kjo ka bërë që emigrantët në sallë të shpërthenin në lot duke kujtuar vështirësitë të cilat i është dashur të kalonin.

“E stato un albanese”.  Me siguri të gjithë ata që e kanë shkelur Italinë në vitet ’90, e kujtojnë këtë zile alarmi – tha gjatë fjalimit kryeministri Rama –  Përplaseshin dy makina, dhe gazetarët thoshin “E stato un albanese”.  Ndodhte një grabitje, telegazetat lokale informonin: “E’ stato un albanese”. Kryhej një vrasje, telegazetet kombëtare e fillonin me lajmin “E’ stato un albanese”. Edhe kur ikte në drejtim të paditur, vrasësi i panjohur ishte “un albanese”.

Rama ka folur edhe për paragjykimet ndaj emigrantëve shqiptarë shumë vite më parë. Kreu i qeverisë kujtoi edhe thirrjet e Umberto Bossit, ish drejtues i ‘Lega Nord’, që shqiptarët të vriten në mes të detit. Po ashtu Rama tha se djali i tij bleu në Shqipëri diplomë në universitetin privat ‘Kristal’ në kohën e Berishës.

Duke u ndalur tek përpjekjet shpesh fatale të shqiptarëve për të arritur në brigjet italiane, Rama foli edhe për suksesin e atyre që ja dolën.

Më pas kryeministri tha: Asokohe italianët nuk kishin fare se si ta dinin, se përpara se të preknin brigjet e Italisë, shqiptarëve iu jehonte shpirti nga “liberta”-ja dhe nga “felicita”-ja e Albanos dhe Rominës.

Sipas Ramës lidhja ishte e tillë se edhe Kupën e Botës në 1982, shqiptarët e përjetonim sikur edhe ata të kishin pjesën e tyre.

Kryeministri Edi Rama duke përmendur arritjet me Italinë, tha se 421 mijë shqiptarë do të përfitojnë nga marrëveshja me Italinë për pensionet. Kreu i qeverisë vlerësoi marrëdhënien me kryeministren e Italisë Giorgia Meloni dhe tha se kjo marrëveshje u arrit edhe falë angazhimit të saj personal.

Sipas Ramës, shqiptarët e Italisë nuk e ndërruan emrin, siç ndodhi në Greqi si një njollë turpi. “Ju shqiptarët e Italisë nuk i ndërruat emrat, por sërish dhe gjerësish siç u ndodhi tragjikisht qindra mijëra vëllezërve dhe motrave tona në Greqi për një arsye të vetme dhe të lemeritshme që e dimë shumë mirë të gjithë dhe që do të mbetet një njollë turpi në historinë e Europës demokratike”, tha Rama.

Kryeministri renditi sukseset e shqiptarëve në 3 dekada duke u shprehur se janë më shumë se mbresëlënëse.

Më pas Rama iu referua Skënderbeut si aleati i parë i italianëve. Ai tha se Gjergj Kastrioti ishte aleati i mbretit të Napolit edhe sot rrënjët tona në Itali janë në 51 fshatra arbëreshe. Dhe ata janë katranipët e sotëm të Skënderbeut.

Rama iu referua italianëve që shkelën tokën shqiptare që nga ndeshja e Cezari me Pompeun e deri te projekti i arkitektëve italianë për ndërtimin e Tiranës moderne.

Në mbyllje të fjalimit të tij Rama do ët thoshte: Sot ka ardhur dita që çdokush rreth e rrotull jush, në lagje, në punë e kudo qoftë, nga italianët kur i thoni Albania, ju thotë “Mezi po pres të shkoj me pushime” dhe ka ardhur dhe dita kur nëse rastis ndonjëri që ju sheh shtrembër, keni të gjitha arsyet ta shihni me kokën lart dhe t’i thoni “C’e qualcosa”?”

Për shumë vite ishit ju, shqiptarët e Italisë dhe të gjithë Europës që e mbajtët Shqipërinë në këmbë me dërgesat për familjet tuaja. Sot është radha e Shqipërisë t’ju bëjë juve krenarë, kur flisni për atdheun tuaj apo kur italianët dhe europianët e tjerë flasin për Shqipërinë dhe për dinjitetin e saj të fituar përfundimisht europian”.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

albanianlive AlbanianLive.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.