“Asnjë cent s’ia kam marrë shtetit”, Kurti sulmon ish-krerët e UÇK-së në Hagë
Ndonëse sipas ligjit për Gjykatën Speciale, e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, parashihet që të gjithë të akuzuarve të iu paguhen shpenzimet që i dalin gjatë përballjes me këtë gjykatë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është ankuar për shumën që deri tani Kosova ka paguar në mbrojtje të të akuzuarve, ku aktualisht […]
Ndonëse sipas ligjit për Gjykatën Speciale, e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, parashihet që të gjithë të akuzuarve të iu paguhen shpenzimet që i dalin gjatë përballjes me këtë gjykatë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është ankuar për shumën që deri tani Kosova ka paguar në mbrojtje të të akuzuarve, ku aktualisht gjendet edhe kupola e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këtë, Kurti e bëri në seancën e së premtes, ku po raportonte për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, posaçërisht pas pranimit të draftit evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, gjatë një debati me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Bekim Haxhiu.
“Mbi 20 milionë euro tashmë janë paguar për mbrojtje, edhe unë kam pasur nevojë për mbrojtje, por kurrë asnjë cent s’e kam marrë”, shtoi.
“Nuk është e vërtetë ajo që deputeti Haxhiu tha se ka pasur që ta bëjë OKB-ja, “sepse s’bëhet pa Këshillin e Sigurimit, aty i ki Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuara, aty i ki shumë shtete që janë mike, dhe jo vetëm armike, e ki edhe Francën”, theksoi Kurti.
Nga ana tjetër Haxhiu e akuzoi Kurtin, se kundërshtimet që i kishte bërë atëkohë për Gjykatën Speciale nuk kishin qenë “parimore”, ndërsa shtoi se e kanë votuar këtë gjykatë, në të cilën tha se tani “po sakrifikohen njerëz”, sepse, siç pohoi ai, “është mbrojtur interesi i Kosovës, mos të dëmtohej Kosova dhe historia e lavdishme e luftës së UÇK-së”.
Ai shtoi se “ju keni deponuar raporte” në këtë gjykatë, madje përmendi një rast, ku theksoi se “50 mijë euro e ka paguar deputeti juaj një raport anti-UÇK”, pa i përmendur emrin deputetit në fjalë.
“Deputetët e juaj kanë deponuar raporte kundër UÇK-së me të cilat sot përballen krerët e saj. Ministrja jote [Donika Gërvalla] ka deponuar dhe ka deklaruar se ka deponuar raporte kundër krerëve të UÇK-së”.
Ndryshe, aktualisht në Gjykatën Speciale, për krime të pretenduara lufte po akuzohen – ndër të tjerë – ish-drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi, ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK), Kadri Veseli, ish-Inspektori i Përgjithshëm i UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nisi më 3 prill të këtij viti, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Dhomat e Specializuara kanë shpalosur aktakuzën kundër katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së e që nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është barazvlerësuar me një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.
Por, për çka konkretisht po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.
Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.
What's Your Reaction?